Përfundon aplikimi në rrethe, shtyhet dy ditë plotësimi i A2

Aug 4, 2015 | 12:45
SHPËRNDAJE

Të gjithë kandidatët për në universitete, që për arsye të ndryshme nuk arritën të plotësojnë në afatin e duhur Formularin A2, Agjencia Kombëtare e Provimeve ka vendosur t’u japë një shans të dytë.

maturantet
Bëhet fjalë për dy ditë shtesë, pas përfundimit të plotësimit të datave në rrethe, ditën e mërkurë dhe të enjte. Për ata që nuk arritën të respektojnë afatin e caktuar për të bërë renditjen e dhjetë preferencave, drejtoresha e AKP-së, Rezana Vrapi, bën të ditur se janë datat 5 dhe 6 gusht në dispozicion për ta.

Por, ndryshe nga maturantët që arritën ta kryenin këtë proces brenda afateve të caktuara, këtyre kandidatëve që po u jepet një tjetër mundësi, nuk mund ta kryejnë plotësimin në një ambient çfarëdo, ku mjafton të ketë internet, por vetëm në Drejtorinë Arsimore përkatëse.

Është kjo e fundit që mbledh aplikimet për t’ia dërguar AKPsë, e cila i fut këta kandidatë direkt në sistem. Ndërkaq, sot kanë afat të plotësojnë formularin maturantë në gjashtë qytete veriore, si Kukësi, Hasi, Tropoja, Bulqiza, Dibra dhe Mati, duke përmbyllur kështu afatin prej tetë ditësh në dispozicion për kandidatët e vendit. Procesi i aplikimit ka shkuar përgjithësisht mirë, ndërsa mësohet që në shumë shkolla mungesa e internetit ka pamundësuar plotësimin e formularëve në shkolla.

Shifrat e deritanishme flasin për rreth 27 mijë maturantë që kanë plotësuar formularin me dhjetë degët që duan. Ndonëse shifra nuk është ende përfundimtare, në krahasim me atë të vitit të kaluar, rreth 40 mijë na bën të mendojmë se këtë vit më pak kandidatë do të mbeten jashtë dyerve të universiteteve.
BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura