Përfundoi në hotel me sekretaren e opozitës, “ministri i ri” rrëfen rolin që e specializoi si gënjeshtar dhe tradhtar

Feb 23, 2020 | 13:03
SHPËRNDAJE

Aktori protagonist i “Mbledhje e jashtëzakonshme në Parlament” rrëfen shfaqjen që po bën bujë në Tiranë, pasi u nxjerr të palarat politikanëve

Nëse pyesni veten se ku qëndron ngjashmëria midis një hoteli dhe një Parlamenti, duhet të ndiqni shfaqjen “Mbledhje e jashtëzakonshme në Parlament”, komedia që po bën bujë këto ditë në Tiranë, pasi shënjestron politikën dhe politikanët shqiptarë.

Aktori i njohur Klod Hoxha, në rolin e ministrit të ri të qeverisë, i cili përfundon në hotel me sekretaren e opozitës, rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus” “torturën” që përjetoi nën lëkurën e politikanit, duke u specializuar në mashtrues dhe tradhtar që ia del gjithmonë.

E shkruar në vitet ’80 nga Ray Cooney, “Mbledhje e jashtëzakonshme në Parlament” mbetet shumë aktuale edhe sot. Çfarë pa më 14 shkurt publiku në skenë me shfaqjen e kësaj komedie?

Panë një komedi, ku nëpërmjet humorit, batutave dhe situatave prekim edhe realitetin tonë. Panë atë që përherë kemi ndjerë, por për ta thënë, kush më mirë se teatri që ka qenë dhe është opozita më e mirë e politikës mund ta thotë? Komedia është farsë, që do të thotë se asgjë nga ajo mund të ndodhë në realitet, por siç thotë edhe autori, mund edhe të ndodhë. Ne këtë ia lëmë në dorë publikut pastaj.

Cili është roli yt mes aktorëve: Rozana Radi, Dritan Borici, Alban Musa, Ajlin Petrela, Lorenc Kaja, Jorida Meta dhe Aldion Matarangasi, Suela Konjari dhe Elidon Alika?

Nëse do të vazhdoj kështu, mund të bëhem Kryeministri i ardhshëmbatutë nga shfaqja kjo (qesh). Sa për pyetjen, unë jam strategu. Jam ministri dhe si i tillë më duhet të inskenoj gjithçka aty për aty. Të gjej zgjidhje, të jap zgjidhje, por e gjitha e bazuar mbi gënjeshtra. Jam gënjeshtari më i mirë dhe çuditërisht ia dal. A nuk ia del kështu edhe politika përherë? (qesh).

Një ministër që shkon në hotel me sekretaren e opozitës. Si zhvillohet kjo ngjarje dhe sa mendon se e gjejnë veten politikanët shqiptarë?

E gjitha ndodh brenda një seance të jashtëzakonshme. Ministri vendos pa rënë në sy të Kryeministrit, të ikë fshehtas në hotel-parlament me sekretaren e opozitës. Është ministër i ri në detyrë, por nuk humbet kohë të “zgjidhë” problemet e “popullit”.

Ministri, sekretarja e opozitës dhe një dhomë hoteli, ky është trinomi që ndiqet me një mori ngjarjesh dramatike për personazhet, duke përcjellë situata dhe batuta nga më komiket. A punohet në qeverinë tuaj, apo qeverisja merr kah seksualitetit?

Pse, cila nga qeveritë nuk punon? (qesh). Ne pikërisht për të punuar jemi mbledhur në hotel (qesh). Kjo është komedia. Ministri vjen për të plotësuar epshet e tij, pra sërish një rast ku abuzohet me detyrën. Sekretarja nga ana tjetër i ka qëllimet e sakta. Është në opozitë tashmë e do t’i duhet të mbijetojë. Një komedi që sjell të qeshura pa fund, por në thelb ka dramën e saj të madhe: Abuzimi me detyrën, tradhtitë bashkëkohore, paaftësia. Një llum që nuk i dihet se kur do t’i vijë fundi ose me saktë, a do t’i vijë ndonjëherë fundi kësaj?! T’ju them të drejtën, dyshoj! Vepra ka 40 vite e shkruar, por ja ku jemi sot, po njësoj.

Të joshi si projekt sa u njohe me të, apo mendove për një moment se shumë i konsumuar është ky subjekti i politikanëve me sekretare, ndërkohë që vajzat e “Instagram”-it mund të hyjnë më shpejt se kurrë në jetën e kujtdo?

Shekspiri është vendosur dhe mbivendosur dhe sërish josh të luash. E vërteta është se vitet e fundit jam fokusuar te filmi dhe isha larguar nga teatri. Kur më ftoi regjisorja Elma Doresi për rikthim, nuk isha fort entuziast. Por kur mbërrita në skenë, u kujtova se sa i bukur është teatri dhe se sa më kishte marrë malli.

Si ishte momenti i provave, u ndjetë pak në siklet kur patë njëri-tjetrin vetëm me robdëshambër?

Ne jemi të gjithë profesionistë dhe këto gjëra nuk na bëjnë përshtypje. Ne jemi një familje e madhe aty. Provat kanë qenë edhe më të bukura se shfaqja, jua siguroj. Jam ndierë komod, me njerëz sikur kemi një jetë që njiheshim. Motoja jonë: Të gjithë për një, një për të gjithë, këtu merr vlerën dhe kuptimin e vërtetë.

Do të ftoni politikanë ta ndjekin dhe, a mendon se ata do të intrigohen ta shohin komedinë tuaj, apo do ta refuzojnë?

Do të kemi patjetër, sikundër kemi pasur që ditën e parë. Qëllimi ynë është: Një  shfaqje ose një natë, Parlamenti të jetë përballë Parlamentit. Do të përpiqemi ta realizojmë (qesh).

Nga salla e të zgjedhurve me vota, në skenën e teatrit me bileta. Si ishte të hynit nën lëkurën e politikanëve shqiptarë?

E lodhshme pak. (qesh) Tani ua dimë vërtet hallin që ata kanë. (qesh) Mbahem për njeri i drejtë në shoqëri dhe person që ndihmoj dhe besoj shumë. Këtu kam të kundërtën. Më duhet të gënjej tërë kohës. Gënjeshtër mbi gënjeshtër. Situata që më duhet t’i krijoj në çdo moment. Ka shumë rëndesë, aq sa them: Jemi mirë në teatër ne. (qesh).

Duke u nisur nga filmi i fundit “Internimi”, ku luaje nën kostumin e zyrtarit të viteve ‘80, çfarë ndryshimi ndjen poshtë kostumit të zyrtarit në ditët e sotme?

Vitet ndryshojnë. Asgjë më shumë. Vitet dhe forma. Abuzim atëherë, abuzim edhe sot, abuzim edhe në ’80-ën kur vepra është shkruar. Disa gjëra, vërtet nuk do ndryshojnë… /Panoramaplus.al nga Klotilda Harka

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura