Përfaqësuesja e OBSH, pro vendimit të qeverisë për maskat/Menne: Ja kur mund të aplikohet testi i shpejtë për COVID, për vaksinën duhet të presim…

Oct 14, 2020 | 10:34
SHPËRNDAJE

Përfaqësuesja e OBSH-së dhe drejtoresha e zyrës në Shqipëri të OBSH, dr. Bettina Menne është shprehur pro vendimit të Qeverisë për mbajtjen e maskave edhe në ambientet jashtë.

koronavirusi

Në një intervistë dhënë për TvKlan, doktoresha thotë se shumica dërrmuese e popullsisë mbetet e rrezikuar nga virusi ndaj edhe vendimi është më rëndësi për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

“Virusi ka ende një potencial të madh për të dëmtuar jashtëzakonisht shumë njerëzit e rriskuar, nëse nuk ndërmarrim ndonjë veprim. Pra, fakti i përdorimit të maskave dhe larjes së duarve, distancimi i vazhdueshëm social dhe fizik dhe shmangia e grumbullimit, kontaktit të ngushtë dhe hapësirave të mbyllura është shumë i rëndësishëm.

Ne po vazhdojmë të mbështesim Ministrinë e Shëndetësisë dhe qeverinë në përgjigjen ndaj pandemisë Covid-19 dhe po punojmë posaçërisht për mjekët e familjes dhe kujdesin parësor shëndetësor. Po mbështesim vazhdimisht ngritjen e kapacitetit të laboratorit kombëtar dhe njohuritë mbi menaxhimin e rasteve”.

Prej 10 ditësh OBSH ka certifikuar të ashtuquajturin “test i shpejtë diagnostik”, ose RDT, por sipas doktoreshës ky test nuk duhet të aplikohet në çdo rast por vetëm atëherë kur autoritet janë përpara një vendimi që duhet marrë urgjent.

Ndërkohë që lidhur me vaksinën, Menne i zbeh shpresat që mund të dal brenda këtij viti, duke bërë me dije se vaksina do të jetë gati në mesin e vitit tjetër.

Dr. Menne, si e gjykoni situatën aktuale?

Është e qartë që ka përsëri një rritje të lehtë në shifra. Ka pasur një periudhë lineare për disa kohë për sa i përket numrit të rasteve. Shqipëria po kalon një situatë shumë të ngjashme me pjesën tjetër të Europës me 75 raste në javë për 100,000 banorë. Kjo do të thotë se shumica dërrmuese e popullsisë mbetet e rrezikuar.

Dhe ne jemi shumë të kënaqur kur shohim se qeveria po miraton masa të rrepta të tilla, si përdorimi i maskave në ambiente të jashtme. Virusi ka ende një potencial të madh për të dëmtuar jashtëzakonisht shumë njerëzit të rriskuar, nëse nuk ndërmarrim ndonjë veprim. Pra, fakti i përdorimit të maskave dhe larjes së duarve, distancimi i vazhdueshëm social dhe fizik dhe shmangia e grumbullimit, kontaktit të ngushtë dhe hapësirave të mbyllura është shumë i rëndësishëm.

Ne po vazhdojmë të mbështesim Ministrinë e Shëndetësisë dhe qeverinë në përgjigjen ndaj pandemisë Covid-19 dhe po punojmë posaçërisht për mjekët e familjes dhe kujdesin parësor shëndetësor. Po mbështesim vazhdimisht ngritjen e kapacitetit të laboratorit kombëtar dhe njohuritë mbi menaxhimin e rasteve.

A mendoni se do të ketë një tjetër mbyllje të vendit në karantinë?

Kjo pyetje është shumë e vështirë për t’u përgjigjur, sepse hapi i parë është ndërmarrë tani: maskat do të mbahen pothuajse gjithmonë. Ky është një hap shumë i rëndësishëm që do të shmangte çdo mbyllje të mundshme.

Sigurisht që duhet të vëzhgohet situata në të gjithë Europën për të parë çfarë po ndodh në të gjithë botën dhe në Europë. Për të shmangur mbylljen, që nuk po e rekomandojmë, qeveria është duke zbatuar një qasje hap pas hapi.

Si e gjeni efektin e hapjes se veprimtarive në mjedise të mbyllura? A ka pasur efekte negative prej kësaj?

Nuk ka efekte negative. Është pak herët për të folur për efektet e hapjes, zhvillimin e aktiviteteve në ambiente të brendshme, por çështja kryesore këtu është saktësisht e njëjta që thamë shumë herë: mbajtja e maskave, shmangia e vendeve me shumë njerëz, shmangia e grumbullimeve. Dhe dy faktorët kryesorë do të përcaktonin efektin e rihapjes dhe efektivitetin e saj: Së pari, që këto masa mbrojtëse të zbatohen në mënyrë rigoroze, që njerëzit t’i dinë, që të dinë pasojat dhe të vazhdojnë masat që përmenda më parë. Unë jam e sigurt se askush nuk dëshiron që të përsëritet mbyllja e vendit dhe ne duhet të sigurohemi që aktivitetet socio-ekonomike të vazhdojnë, njerëzit të punojnë, fëmijët të mund të shkojnë në shkollë etj.

A e keni këshilluar qeverinë që të përdorë testin e shpejtë të Covid-19, që OBSH certifikoi së fundmi?

Rreth 10 ditë më parë, OBSH certifikoi të ashtuquajturin “test i shpejtë diagnostik”, ose RDT. Qeverisë shqiptare dhe autoriteteve u është dhënë tashmë udhëzimi, i cili është në dispozicion në faqen e internetit të OBSHsë ku mund të marrin informacionin mbi testet e shpejta. Sidoqoftë, këto teste të shpejta nuk do të zëvendësojnë testin PCR, i cili është testi që ka saktësinë më të lartë.

Prandaj, ne po sugjerojmë vetëm përdorimin e këtyre testeve në ato ambiente ku është e vështirë të bëhet testi PCR. Për shembull, kur duhet të merrni një vendim shumë urgjent, si në një institucion të kujdesit për të moshuarit ose në një institucion të mbyllur; kur duhet të merrni vendime urgjente për menaxhim e rastit si salla e urgjencës ose kur duhet të testoni gjendjen shëndetësore të profesionistëve të shëndetësisë, punonjësve të kujdesit shëndetësor.

Testet nuk rekomandohet të përdoren për depistimin e udhëtarëve, nxënësve, dhuruesve të gjakut dhe në mjediset ku ne nuk dimë si është transmetimi, ose ku nuk ekzistojnë masat e sigurisë. Nëse një person është prekur nga Covid-19 dhe nëse ky person është pozitiv dhe ka simptoma, kjo varet nëse ai ose ajo ka simptoma të lehta ose simptoma të rënda. Ajo që dimë sot është se në përgjithësi, infeksioni në trup mund të zgjasë deri në 8 javë, por varet nga ashpërsia.

Ka raste të rralla në literaturën ndërkombëtare dhe të raportuara nga vendet ku një person, i cili është infektuar ka vështirësi të ndihet plotësisht i shëndetshëm. Ka disa efekte të ndjerit i lodhur etj, por e gjithë kjo varet nga simptomat dhe ashpërsia e këtyre simptomave që personi ka pasur.

Në raste të rënda, ne në fakt po mendojmë procesin e rivlerësimin, që do të thotë të mësohesh me simptomat që të ka lënë sëmundja, por kjo vlen kryesisht për shqetësimet psikologjike ose neurologjike ose kardiopulmonare, ose shqetësime të tjera fizike.

Dr. Menne, a mendoni se do të kemi brenda fundit të këtij viti një vaksinë të miratuar kundër Covid-19?

Jo. Aktualisht ka 200 Vaksina kandidate dhe 42 janë duke u testuar në njerëz dhe rreth 10 prej tyre po hyjnë në fazën 3, që do të thotë se disa mijëra njerëz janë testuar për saktësinë e vaksinës. Pra, provat klinike të fazës 3 për disa vaksina kandidate filluan në korrik.

Ne presim që rezultatet nga këto prova klinike në shkallë të gjerë, disa prej tyre që kanë 20-60,000 subjekte, të kenë rezultatet e para gati në fund të vitit, por pas kësaj, duhet që vendi të ketë rregulloret në fuqi, të ketë sigurinë dhe efikasitetin dhe duhet të prodhojë vaksinat. Pra, sipas këtij afati kohor, presim që dozat të mbërrijnë në vend në mes të vitit 2021.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura