Perënditë e Kosovës ekspozohen në Francë

Mar 23, 2015 | 14:16
SHPËRNDAJE

Përgjatë 3 muajsh, hyjnitë e Kosovës vizitojnë Francën. Prej ditës së djeshme deri më 22 qershor, do të qëndrojë e hapur në Muzeun Kombëtar Arkeologjik të Francës, në Saint Germain en Laye, ekspozita “Dieux des Balkans” (Perënditë e Ballkanit).

Dy nga objektet e ekspozuara në Muzeun Arkeologjik

Kjo ekspozitë paraqet një seri statuetash në terrakotë, pjesë e koleksionit të Muzeut Kombëtar të Prishtinës. Bëhet fjalë për figurina që i përkasin civilizimit të Vincës, një kulturë e rëndësishme e periudhës neolitike, të mesëm e të vonë, në Europën Lindore (gjysma e dytë e mijëvjeçarit VI dhe V para Krishtit), përqendruar në Ballkan. Janë figurina që u përkasin tri hyjnive të ulura në fron, një pozicion pushteti, dy figura femërore në pozicion lutjeje, dy figura zoomorfe dhe një vazo rituale zoomorfe.

Sipas pritësve të kësaj ekspozite, veprat tregojnë për një traditë të pasur religjioze, me një stil të mrekullueshëm dhe origjinal, të gjetura me bollëk në qendra të banuara, në raport me praktika kulturore të blegtorëve e fshatarëve. Kjo është hera e parë që ato ekspozohen në një muze europian të këtyre përmasave. Sipas organizatorëve të ekspozitës, qëllimi i saj është t’i zbulojë publikut francez pasurinë dhe cilësinë e statujave të kulturës së Vincës, si dhe pasurinë e parahistorisë së Ballkanit Qendror.

Gjithashtu, kjo ekspozitë përuron një bashkëpunim mes Francës dhe Kosovës në fushën e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore, ku janë përfshirë institucione si Instituti Nacional i Trashëgimisë, Shkolla Franceze e Athinës dhe Shkolla Franceze në Romë.

Alma Mile 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura