Perëndimi, një hap para nesh për integrimin tonë

Apr 18, 2018 | 21:07
SHPËRNDAJE

prec zogajPREÇ ZOGAJ/ Edhe pse i pritshëm, rekomandimi pozitiv i Komisionit Europian për hapjen e negociatave është një lajm shumë i mirë, mbi të cilin nuk ia vlen të hedhësh asnjë pikë nga hidhësia e vonesave shumëvjeçare. Ne jemi kapur si asnjë vend tjetër, pas ëndrrës së integrimit europian. Kemi parë të na lënë targën shtete që kanë startuar njëherësh me ne, si Bullgaria e Rumania. Jemi parakaluar nga shtete, që janë nisur pas nesh, si Serbia dhe Mali i Zi. Kemi dyshuar për Europën: “Pse na lë të fundit?” Kemi akuzuar drejtuesit politikë të vendit: “Këta na e kanë fajin! Këta venë interesat e pushtetit mbi interesat e integrimit”.

Dhe përsëri, me shumë të drejtë, kemi vazhduar ta shohim familjen europiane si Itakën, ku do të kthehemi patjetër, edhe sikur ky udhëtim të zgjasë pafundësisht. Sepse në subkoshiencën tonë, nëse do të perifrazonin një poet të madh grek, Janis Ricosin, vlera e rrallë e këtij udhëtimi, aq sa është Europa si destinacion, është busulla që na mban në kursin e saj. Rekomandimi i djeshëm është një rreze e re në këtë maratonë me etapa. Në fakt, nuk është hera e parë që Komisioni Europian i hap Shqipërisë dritën jeshile.

Nga natyra, Komisioni është gjithnjë para vendeve anëtare të BE-së që do të vendosin. E reja kësaj radhe është lloji i pakushtëzuar i rekomandimit. Dhe, më e rëndësishmja, janë shenjat se Gjermania dhe vende të tjera me peshë në BE duket se kanë një mendje të mirë, për të mos thënë e kanë ndarë mendjen t’i japin Shqipërisë këtë vit hapjen e negociatave. Vetëm po të ndodhë ndonjë hata në Tiranë.

Nga nisemi për të bërë këtë pohim? Në radhë të parë, nga zhvillimet e kohëve të fundit, rajonale, kontinentale dhe me gjerë, që karakterizohen nga një bashkëveprim i fortë politik, diplomatik dhe ushtarak i fuqive të mëdha perëndimore dhe vendeve të NATOsë, në mbrojtje të sigurisë dhe vlerave të kërcënuara nga regjimet autoritariste diktatoriale. Për aq sa prekin politikat e zgjerimit të BEsë, këto zhvillime duket se sugjerojnë një përshpejtim të proceseve integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pa i kaluar në lupën zmadhuese problemet e tyre të brendshme.

Pa i injoruar kriteret e shpallura, por njëkohësisht edhe pa i trajtuar ato me dorë të shtrënguar si kriterin e vetëm të hapjes së dyerve për vendet pretendente, siç është Shqipëria. Këtu jemi kësaj radhe. Shqipëria ka shanse të përfitojë. Ajo ka bërë mirë disa prej detyrave të shtëpisë. Më e rëndësishmja prej tyre është miratimi konsensual i Reformës në Drejtësi dhe fillimi i zbatimit të saj të mundimshëm në një element të qenësishëm të saj, siç është vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve që i paraprin ngritjes së organeve të tjera të parashikuara në këtë reformë.

Reforma në Drejtësi vlerësohet nga BE si një premisë, që jep shpresë e siguri se krimi, korrupsioni dhe lidhjet e politikës me krimin do të ndëshkohen, se pandëshkueshmëria në sferat e larta, gangrena e demokracisë shqiptare, do të marrë fund. Hapja e negociatave shërben në këtë aspekt si një shtytje e fortë për të shkuar përpara, drejt ngritjes pa humbur kohë të KLP, KLGJ, SPAKU-t dhe Byrosë Kombëtarë të Hetimit, që do të përurojnë lindjen e drejtësisë së re. Shqipërisë i numërohet si arritje edhe rënia e kultivimit të kanabisit, në krahasim me vitin e zi 2016.

Është e vërtetë se në vitin 2017 mbjellja ka qenë në shifra të ulëta, kjo edhe falë luftës që ka bërë opozita dhe sensibilizimit ndërkombëtar për përmasat e frikshme që kishte marrë ky fenomen. Pas shkarkimeve të bujshme dhe fillimit të hetimeve penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe disa drejtuesve të tjerë të lartë e të mesëm me uniformë, Policia ka qenë më aktive kundër kanabisit. Por ka edhe një argument tjetër, sipas të cilit ishte stoku i madh i drogës së prodhuar në vitin 2016, që frenoi mbjelljet e reja në vitin pasardhës. Pra, ishin vetë narkotrafikantët, që kishin nevojë të shisnin rezervat para se të mbillnin rishtas.

Fakti që gjatë vitit 2017 ka vijuar normalisht trafikimi, por jo kultivimi, tregon se ky argument ka bazë. Gjithsesi, prova e vërtetë e zjarrit në lidhje me drogën është këtë vit, kur rezervat duket se kanë mbaruar dhe kërkesa në vendet ku trafikohet lënda narkotike është rritur. Qeveria ka premtuar heqjen e vendit nga harta e kultivimit të kanabisit. Operacionet e para policore të kontrollit nga toka dhe nga ajri janë shpresëdhënëse, BE e ka mbajtur shënim për mirë këtë punë. Në një konjukturë tjetër, këto arritje zor se do të mjaftonin për të rrumbullakosur një notë kaluese për Shqipërinë.

Dhe kjo jo vetëm për faktin se kriteret e BE-së janë rëndom si llastik që mund të tërhiqen sipas humorit të periudhës, por edhe sepse demokracia shqiptare realisht ka probleme të rënda. Brukseli i përmend ato me realizëm dhe shqetësim edhe në ditën e lajmit të mirë për Shqipërinë. Ligji dhe drejtësia, a kanë frikë të godasin lidhjet e politikës me krimin në sferat e larta. Korrupsioni vazhdon të bëjë kërdinë. Akuzat, qofshin të hartuara nga organet e specializuara të kontrollit dhe auditit, siç është për shembull KLSH, apo edhe kur i ngrenë segmente të caktuara të vetë organit të Prokurorisë përfundojnë rëndom në sirtarë dhe presin fatin në vartësi të momentit politik.

Asnjë zyrtar i sferave të larta e shumë të larta nuk është dënuar. Partneriteti Publik-Privat (PPP), si skemë e dënueshme korruptive, kërcënon me një zhvatje të re financat e shtetit në dëm të qytetarëve, në favor të zyrtarëve të qeverisë dhe klientëve të tyre. Eksodi masiv për aq sa e lejojnë rrethanat dhe masat e Europës kundër emigracionit i vë vulën çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj gjendjes së rëndë ekonomike, shoqërore dhe shpirtërore apo thënë me një fjalë, pajetueshmërisë që ka instaluar këtu qeveria e Edi Ramës. Europa sheh.

Po të donte të tregohej e rreptë dhe refraktare, do t’i mjaftonte numri i azilkërkuesve shqiptarë, që është nga më të lartët në raport me popullsinë, për të na lënë në klasë. Por, për fat, Komisioni ka vendosur ndryshe dhe gjasat janë që edhe vendet anëtare të pranojnë këtë vit rekomandimin e Komisionit. Jemi në situatën kur Perëndimi dhe Europa dalin përpara nesh, për sa i përket integrimit duke vënë interesat gjeostrategjike të zgjerimit mbi problematikat shqetësuese, por të zgjidhshme të demokracisë sonë.

Kontekstin e një vendimi të tillë e thoshte shumë qartë një paragraf i raportit, që shoqëron rekomandimin pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë: “Qeveritë e këtyre vendeve, të mos lenë vend për dyshime për orientimin dhe angazhimin e tyre strategjik dhe të shfaqin vendosmëri e progres të pakthyeshëm”. Ka ndodhur edhe më parë në udhëtime të tjera perëndimore të Shqipërisë, kur SHBA dhe Europa na kanë hapur dyert, edhe pse nuk kemi qenë gati apo e kemi vështirësuar me duart tona realizimin e ëndrrës. “Ejani, ejani!”, ka qenë thirrja dhe vendimi i partnerëve.

“Është interesi ynë, sikurse është edhe juaji, t’ju kemi brenda”. Kjo ka qenë përgjigja e miqve amerikanë dhe europianë, pikësëpari ndaj aspiratës së popullit shqiptar, aspiratë e cila vijon të mbetet shtytja dhe instrumenti numër një i ëndrrës sonë perëndimore. Prej këtu ka dalë batuta e njohur me një tingëllim shakaje, por që nuk është krejt shaka: drejtuesit e Shqipërisë mund ta vonojnë siç e kanë vonuar, por nuk mund ta ndalojnë integrimin e vendit të tyre në BE. Fjalën e radhës, që mund të jetë e fundit në këtë udhëtim të gjatë, do ta ketë drejtësia e re. Produkti i saj do të shkurtojë kohën e negociatave. Pa qenë nevojë për të na kaluar përsëri me hatër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura