PËRDHUNIMI I 15-VJEÇARES/ Gjykata rikthen dosjen: E paplotë! Çfarë thuhet në vendimin për 5 të arrestuarit

Jan 14, 2022 | 11:39
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Hetimet në lidhje me rastin e abuzimit seksual të një 15-vjeçare në fshatin Tarazh të Mirditës, ku janë vënë nën akuzë 5 persona, nuk janë bërë siç duhet.

te arrestuarit lezhe

Në këtë konkluzion ka dalë Gjykata e Lezhës, e cila pas disa seancave paraprake gjyqësore, e riktheu çështjen, duke urdhëruar prokurorin Ylli Pjetërnikaj që të plotësojë hetimet. Vendimi është marrë nga gjyqtari Artan Hajredinaj, pasi u njoh me dosjen dhe dëgjoi palët e përfshira në këtë proces.

MANGËSITË

Sipas burimeve, dosja ka pasur mangësi, duke ngritur dyshime të arsyeshme se nuk është arritur të provohen plotësisht akuzat për 5 personat e arrestuar në lidhje me këtë çështje. Pala mbrojtëse e pesë të pandehurve ka pretenduar për mangësi të theksuara në marrjen e deklarimeve të viktimës në këtë proces, konkretisht të 15-vjeçares së mitur dhe për kontradikta të këtyre deklarimeve në raport me komunikimet e dokumentuara që e mitura ka pasur më të gjithë të pandehurit. Në vendimin e arsyetuar Gjykata pritet t’i kërkojë organit të akuzës kryerjen e një sërë veprimesh të tjera hetimore, të cilat duhet të përfundojnë brenda datës 28 shkurt, kur edhe është caktuar seanca e radhës. Hetimet në lidhje me përdhunimin e 15- vjeçares nga Tarazhi i Mirditës u mbyllën në muajin shtator dhe Prokuroria e Lezhës e dërgoi çështjen për gjykim në Gjykatën e këtij rrethi.

AKUZAT

Ndaj Artan Kaçorrit, Albert Mollës, Ermal Tarazhit, Nikë Lleshit dhe 17-vjeçarit me iniciale A. GJ., të cilët vijojnë të jenë me masën e sigurisë “Arrest në burg”, është ngritur akuza “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”, e kryer në bashkëpunim. Referuar dosjes hetimore, personi i parë që ka abuzuar me të miturën është 32-vjeçari Artan Kaçorri. Ky i fundit kishte pasur lidhje me vajzën dhe në muajin mars madje i kishte blerë edhe një telefon për të komunikuar me të.

Kaçorri, i cili është i martuar, kishte arritur që të mashtronte të miturën e ta merrte në makinë e më pas ka abuzuar seksualisht me të, duke i bërë edhe video e foto intime, të cilat më pas u ka shpërndarë dhe 4 personave të tjerë, mes të cilëve dhe nipit të tij, 17-vjeçarit me iniciale A. GJ. Përmes videove dhe fotove, 5 personat kanë arritur ta shantazhojnë të miturën dhe ta detyrojnë që të kryejë marrëdhënie seksuale me to në mënyrë të përsëritur. Pas disa kohësh, shqetësimin e vajzës kishin arritur ta kuptojnë edhe familjarët e saj, teksa përballë kërcënimeve të vazhdueshme, edhe e mitura më në fund kishte vendosur të rrëfejë atë çfarë i kishte ndodhur. Kjo ngjarje që ndodhi në fshatin Tarazh të Mirditës tronditi mbarë opinionin publik dhe u shoqërua me protesta në disa qytete të Shqipërisë. Por 5 të akuzuarit kanë mohuar në vazhdimësi akuzat, duke e konsideruar këtë çështje të sajuar, me qëllim përfitimi nga familjarët e vajzës së mitur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura