Përbindëshat

Nov 28, 2021 | 10:00
SHPËRNDAJE

EDMOND  TUPJA

Edmond-Tupja (1)Këto dekadat e fundit, në planetin tonë të trazuar po vërehen lloj-lloj përbindëshash, njëri më i frikshëm se tjetri, dhe lista e tyre do të ishte tmerrësisht e gjatë për lexueset e lexuesit e mi të ditës së diel. Rrjedhimisht, do të flas vetëm për njërin lloj prej atyre.

Bashkatdhetaret dhe bashkatdhetarët e mi kryeqytetas, sidomos ato dhe ata që kalojnë, qoftë shpesh apo rrallëherë, në sheshgungën shëmtaraqe me emrin Skënderbe, i hasin pashmangësisht përbindëshat në fjalë rreth e rrotull këtij sheshi për vetë faktin se këta ngrihen në lartësi marramendëse. Nga ana e tij, “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) e përkufizon përbindëshin si një “qenie përrallore të frikshme, të përfytyruar me trupin jashtëzakonisht të madh e me pamje të shëmtuar”, kurse përbindëshat përqark sheshgungës së porsapërmendur, nuk janë përrallorë, ata janë të vërtetë, janë krijuar nga njeriu, janë prej betoni, hekuri, xhami etj, etj., si rezultat pastrimi parash të qelbura (pastrim i konfirmuar kohët e fundit edhe nga disa autoritete ndërkombëtare fort serioze). Perënditë e babëzitura dhe mizore të këtyre përbindëshave të plotfuqishëm në kohë dhe në hapësirë e kanë vrarë tashmë qendrën historike të Tiranës, i kanë kthyer në  liliputë monumentet historike të kryeqytetit tonë, të tilla si Kulla e Sahatit dhe Xhamia e Et’hem Beut, madje ata kanë ndër mend të shkatërrojnë edhe disa të tjerë, siç shkatërruan paturpësisht e pa pikë mëshire edhe Teatrin Kombëtar.

Mirëpo, njëri prej këtyre përbindëshave e çon edhe më larg cinizmin kur guxon e pretendon me shkrim, madje në gjuhën angleze, se it’s not just a project, it’s a sculpture that clearly reflects the city values, pra, në gjuhën e gjakosur shqipe, na mësuaka se “ai nuk është thjesht një projekt, se ai është një skulpturë, e cila pasqyron vlerat e qytetit”. Oh, e pabesueshme, vërtet e pabesueshme! Oh, çfarë shembulli i pacipë modestie! Kësaj i thonë jo vetëm të të bëjnë gomar duke të vënë në kurriz një samar faraonik prej kushedi sa katesh, por edhe të të detyrojnë të mendosh gomarisht, pra t’i duartrokasësh përbindëshat dhe t’i falënderosh ata, t’u biesh në gjunjë e t’u falesh atyre se  po na pasqyrojnë, po na nxjerrin në pah vlerat e qytetit, e kryeqytetit, e Tiranës sonë, paçka se po na e masakrojnë! Si nuk e paskemi ditur që këto vlera vetëm betoni, hekuri, xhami etj, etj., të mishëruar në kulla të kobshme me dhjetra e dhjetra kate lartësi, qenkan të aftë për të na i treguar! Pra, sipas një logjike të çmendur, duhej krijuar detyrimisht një Tiranë e përçudnuar, e zvetënuar dhe e pushtuar nga këto lloje përbindëshash në mënyrë që ne, kryeqytetasit e shkretë, e paditur, mjeranë, injorantë, zavallë e provincialë trutharë e të pandreqshëm, të ndërgjegjësohemi për vlerat e reja, bashkëkohore dhe supermoderne të qytetit ku kemi lindur, ku jetojmë e ku do të vdesim, vlera që më në fund do të na bindin për gjeninë frankeshtajniane të kryeministrit tonë të përjetshëm Rama dhe të kanakarit të tij të përveçëm kryebashkiakut Veliaj!

Por gjithçka nuk mbaron me sa është shkruar më sipër, jo, absolutisht jo! Një si parandjenjë më thotë se përbindësha të kësaj natyre do të mbijnë, do të lulëzojnë, do të shtohen e shumohen edhe në qytetet e tjera të atdheut tonë hallemadh të hallakatur! Kështu ka për të ngjarë, sepse vendi ynë po zbrazet nga bijat e bijtë e tij, të cilët do të vazhdojnë të mërgojnë në dhé të huaj deri sa kjo zbrazje të përfundojë me sukses të paparë, të padëgjuar, të panuhatur, të pashijuar e të paprekur ndonjëherë, ditën apo natën kur toka arbërore, falë globalizimit, do të nisë të mbushet plot e përplot me emigrantë të ardhur nga vendet e botës së tretë, së katërt  apo të pestë, si edhe nga shtetet e zhvilluara që do të kërkojnë të shkarkojnë në Republikën Sahariane të Shqipërisë, pra në ish-atdheun tonë të vetëvrarë, tepricën e emigrantëve të cilët, me praninë e tyre, u kanë rënduar pikërisht vendeve të zhvilluara buxhetet duke u krijuar problematika ekonomike, sociale e kulturore.

Së fundi, por jo më së paku, kam përshtypjen se dyshja, dueti apo çifti Rama-Veliaj synon, falë ndërtimit të pandalshëm të kullave të përbindshme, ta bëjë Shqipërinë jo si gjithë Europa, por si gjithë Manhatani, çka, me shumë gjasë, do ta miklojë jashtë mase, majde do ta kënaqë së tepërmi Shkëlqesinë e Saj Zonjën Ambasadore të SHBA-ve, sepse kështu, duke soditur e admiruar kullat, d.m.th. përbindëshat e Shën-Betonit në Tiranë, ajo do të çmallet me Nju Jorkun e saj të pazëvendësueshëm!

© Panorama.al

Te lidhura