Përballja me Zjarret/ Rama lajmëron rritje të pagave për trupat e Emergjencës Civile. I thur lavde Peleshit: U gdhi në Jug dhe u ngrys në Veri!

Sep 3, 2021 | 11:57
SHPËRNDAJE

Duke folur nga Baza Ajrore e Farkës lidhur me situatën me zjarret që vendi ynë kaloi në muajin gusht, kryeministri Rama tha se do të rriten pagat për trupat e Emergjencës Civile.

Po ashtu Rama foli për një proces modernizimi të Emergjencave Civile, që sipas tij ka nisur dhe do të vazhdojë.

 

Ne do bëjmë atë që duhet për të rritur edhe pagën. Që nuk do jetë asnjëherë e mjaftueshme, por është një motiv më shumë, jo vetëm për të çuar në shtëpi më shumë të ardhura, por për të ndjerë edhe respektin për punën që bën”, tha Rama.

Kreu i qeverisë nuk i kurseu superlativat për ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi. “Dua të falënderoj ministrin sepse ka nderuar Republikën e Shqipërisë në këtë muaj sfidues, duke u gdhirë në Jug e duke u ngrysur në Veri. Me forcën e shembullit jam i bindur që ka frymëzuar dhe motivuar edhe drejtuesit e tjerë. Ky është modeli që ne kemi detyrimin të kemi parasysh sa herë që sfidat bëhen të atilla që i vënë njerëzit në nevojën për një motivim më të madh se në ditët e zakonshme”, tha ai.

Po ashtu kryeministri u shprehu falënderimet ambasadorëve Yuri Kim dhe Luigi Soreca, që sipas tij janë më shumë se ambasadorë, dy qytetarë që shqetësohen për vendin.

Prandaj dua ti shpreh një falënderim të posaçëm qoftë ambasadorit të BE dhe SHBA. Ky falënderim nuk është as formal as diplomatik. Është një falënderim për dy përfaqësues të dy fuqive të mëdha që janë aleatë strategjik të vendit tonë, ku sa herë Shqipëria ka një nevojë janë më shumë se sa ambasadorë, janë qytetarë të këtij vendi dhe njerëz që shqetësohen menjëherë për këtë vend dhe vihen në dispozicion për të ndihmuar”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura