Përballja me 2013-n/ Si ka lëvizur numri i deputetëve, ku i rriti mandatet PS-ja

Jun 28, 2017 | 14:08
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste, si fituese e zgjedhjeve të 25 qershorit, ka rritur numrin e mandateve në qarqet kryesore të vendit, krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të 2013-s, shkruan sot “Panorama”, duke bere nje analize krahasuese te rezultateve.

numerim

Në qarkun e Tiranës, socialistët u rritën me 1 mandat, nga 16 ka fituar 17 mandate, ndërsa Partia Demokratike ka përsëritur rezultatin e katër viteve më parë, 11 mandate. Me rritje në Tiranë është edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila nga 3 mandate në 2013-n, ka fituar 5 mandate.

Reforma territoriale ka dëmtuar Partinë Demokratike. PD ka humbur një deputet në Kukës, për shkak të uljes së numrit të mandateve. Edhe në Korçë, mandati i 5-të që PD ka marrë në 2013-n, i është hequr për shkak të lëvizjes demografike, si edhe në Berat, duke e çuar në tri mandate PD-në.

Në Vlorë, ku kandidon dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, Partia Socialiste është rritur me dy mandate, nga 6 mandate në 2013-n, në 8 mandate më 25 qershor. Demokratët kanë ruajtur tri mandate deputetësh, po aq sa kishin edhe në 2013- n.

Edhe LSI-ja ka ruajtur rezultatin e katër viteve më parë, ndërsa PDIU ka humbur mandatin që kishte katër vjet më parë. Qarku i dytë më i madh në vend, pas Tiranës, Fieri, ka një rritje në mandate për Partinë Socialiste, nga 9 në 2013-n, në 10 mandate. I sigurt se do të fitonte edhe mandatin e 10-të, numri dy i PS-së, Gramoz Ruçi, e vendosi emrin e tij të 9-in në listën e socialistëve në këtë qark.

Ndërsa Partia Demokratike nuk ka ndryshim krahasuar me 2013- n. Ajo ka ruajtur tri mandate edhe në 2017-n. Gjithashtu edhe LSI në Fier ka marrë 2 mandate, aq sa dhe në 2013- n. PDIU ka humbur mandatin që kishte fituar në 2013-n. Qarku i Elbasanit ka zhvillime interesante elektorale.

Socialistët kanë shtuar një mandat, nga 6 në 7, ndërsa demokratët kanë humbur një mandat, nga 4 deputetë në 2013-n në 3 deputetë sot. Por me rritje vjen Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila ka dyfishuar mandatet, nga 1 në 2 deputetë.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbajtur dy mandate, aq sa kishte fituar edhe në 2013-n, duke treguar stabilitet. Edhe në qarkun e Durrësit socialistët e kanë rritur numrin e mandateve, nga 6 në 8 mandate, ndërsa demokratët kanë marrë 4 mandate, aq sa në 2013.

tabela

ARISTIR LUMEZI/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura