Përballja e parë në Komisionin e Ekonomisë pas kritikave të Metës, ç’ndodhi mes deputetëve të PS dhe këshilltarëve të Presidentit

Jun 23, 2020 | 17:00
SHPËRNDAJE

Dje, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave u rrëzua dekreti i Presidentit “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 63/2020, Për përmirësimin e zonave të biznesit BID”. Sipas asaj që prezantoi relatori, ligji synon krijimin e një mekanizmi ku poseduesit e njësive tregtare, të cilat përdoren për qëllime biznesi, të nxiten të marrin pjesë në procesin e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës, që sipas këtij ligji quhet BID, nëpërmjet kontributeve private, të cilat përdoren për shërbime shtesë për bizneset në zonën BID përkatëse.

milva

Por, nga ana tjetër, Presidenti e ktheu këtë ligj me argumentin se ky akt i ri ligjor shkel Kushtetutën në disa nene të tij njëkohësisht, si dhe përmban parashikime që bien ndesh me legjislacionin aktual në fuqi, duke mos respektuar për pasojë edhe nenin 116 të Kushtetutës, i cili përcakton hierarkinë e akteve në Republikën e Shqipërisë.

Ndërkohë, kjo përballje në Komisionin e Ekonomisë ishte e para pas kritikave që bëri Presidenti Meta se në diskutimet e dekreteve që ai i kishte kthyer Kuvendit, nuk ishte thirrur asnjë përfaqësues në komisione. Përballë deputetëve të PS-së ishte këshilltari Bledar Dervishaj, që argumentoi se me këtë ligj dëmtohet biznesi dhe iniciativa sipërmarrëse e lirë.

Deputetja Blerina Gjylameti tha se në këtë ligj nuk ka asnjë përplasje me Kushtetutën dhe ndonjë konventë ndërkombëtare.

“Ligji ofron një mekanizëm të qëndrueshëm. Është në përputhje me Kushtetutën dhe me konventat ndërkombëtare dhe me aspak efekte anësore. Por edhe eficient me shpenzimet dhe nuk ka përmbajtje që bien ndesh me ligjet aktuale”, tha Gjylameti, duke u shprehur ndër të tjera nëse Presidenti ka njohuritë e plota për këtë ligj.

Por, në këtë pikë, këshilltari i Metës, Bledar Dervishaj, theksoi se Presidenti ka njohuri të detajuara për këtë ligj, pasi ai ka më shumë se 4 vite në Kuvend.

Një saktësim, sa i takon ligjit Presidenti ka njohuri shumë të thelluara. Jo vetëm Presidenti, por i gjithë stafi. Ligji ka 4 vjet në Kuvend. Mbi arsyetimet e Presidentit mund të flasin vetëm deputetët…”, tha Bledar Dervishaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura