Përballë një komunikimi njerëzor

Apr 21, 2015 | 13:05
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI

   Për herë të parë, mjediset e Teatrit Kombëtar të Beogradit u takuan këto ditë me gjuhën shqipe. Është fjala për tragjedinë e njohur të Shekspirit “Romeo dhe Zhulieta”, një shfaqje dinjitoze e përbashkët e aktorëve shqiptarë dhe serbë, e luajtur në të dy gjuhët. Një nismë e bukur, sikurse dhe festivali i letërsisë “Polip”, që organizohet qysh nga viti 2010 në Prishtinë me autorë shqiptarë e serbë dhe të vendeve të tjera. Gjatë netëve të kësaj shfaqjeje, jashtë ndërtesës së Teatrit nuk munguan forca jo të pakta policore. Megjithatë, shfaqja dukej se sfidonte gjithçka.
E rëndësishme është që qendra “Multimedia” në Prishtinë dhe ajo “Radionica Integracije” në Beograd e përmbushën qëllimin e tyre, duke sfiduar realisht gjuhën e urrejtjes, larg sfondit politik. Ogur i mirë, të cilin e sollën aktorët e të dy vendeve, me regjisor dhe producent aktorin e shquar serb Miki Manojloviç, si dhe dramaturgun dhe bashkëproducentin shqiptar, Jeton Neziraj. Për Manojloviç, ky mision shihet mjaft i domosdoshëm. Të gjithë ata që e mbrojnë kombin, atë serb dhe atë shqiptar, pohon ai, dhe thonë se ne këtu duhet të ndërtojmë mure, apo se nuk duam t’u shohim, as ju ne, e as ne ju, e kanë gabim. Vetmia është e tmerrshme. Për të, vetmia është dënimi më i madh. Është diçka që shënon fillimin e fundit. Prandaj, me të drejtë dhe gazeta britanike “The Guardian” nënvizon faktin që “’Romeo dhe Zhulieta’ ndihmojnë shërimin e plagëve nga lufta e Kosovës… Se, më shumë se pesëmbëdhjetë vjet pas konfliktit të ashpër, një skenë e tragjedisë së Shekspirit sjell kosovarët dhe serbët së bashku për të nxitur pajtimin…”.
Një nismë e guximshme kjo, për të cilën kemi shumë nevojë. Pra, të gjitha mundësitë e bashkëpunimit ekzistojnë, sikurse në këtë rast, në teatër, në fushën e kulturës. Ngjarje të tilla nuk mund të mos kenë ndikimin e vet, në marrëdhëniet midis dy vendeve. Pavarësisht, pas kësaj, që diku mund të shfaqen madje edhe etiketime deri në “tradhti” të këtyre apo atyre nismëtarëve, e rëndësishme është që mesazhet e veprës, loja e aktorëve të të dy palëve përcjellin atë për një të nesërme ndryshe, të nevojës normale, për një komunikim njerëzor me njëri-tjetrin. Ja pra, dhe teatri, shkëmbimi i kulturave në përgjithësi i hapin realisht rrugën dialogut, një tabloje tjetër për afrimin e popujve. Kjo bën që skemat e vjetra të njohura të bien e të mbahen larg asaj klime të përshtatshme për to, larg asaj urrejtjeje të servirur me forma primitive.
Jemi dëshmitarë se si tensione të ndryshme nxjerrin krye e marrin jetë në marrëdhëniet midis dy vendeve, dy popujve, shqiptarë e serbë. Por shtimi i Manojloviçëve, i shkrimtarëve si Tomislav Markoviç, Sasha Iliç, aktivistëve të shquar të të drejtave të njeriut, si Natasha Kandiç, shpejt do të sjellin një frymë tjetër në marrëdhëniet midis dy shteteve, atij të Kosovës dhe Serbisë. Sikurse dhe shfaqja e tragjedisë “Romeo dhe Zhulieta”, që në kohët e sotme transmeton edhe emocionet e banorit të rajonit tonë, me një impakt të lexueshëm: uljen e tensioneve, zbutjen e kombeve në këtë kohë globalizimi, krijimin e një mjedisi tjetër politik.
Kështu, edhe vetë këtyre personaliteteve e atyre që do të vijnë do t’u bëhet më i lehtë misioni i tyre dhe nuk do të etiketohen si njerëz që janë “kundër shtetit serb” e që, madje, “helmojnë stabilitetin e rajonit”. Dhe përse këto etiketime? Sepse bartësit e tyre kërkojnë që Serbia të mos shkëputet nga kursi europian, që politika e krimeve ndaj atyre që nuk janë bashkëkombës të vet të marrë fund, si dhe për t’u ndarë përgjithmonë nga garnitura e njohur e politikanëve që u krijojnë shtrat të ngrohtë nacionalizmave ekstremë, intolerancës.
Nevoja e një komunikimi njerëzor kërkon zgjimin e institucioneve shtetërore, të cilat duket se nuk i përgjigjen kësaj klime që krijojnë disa figura të njohura në fushën e kulturës etj. Ato vetë duhet të zhvishen nga çdo lloj gjenerimi i mosmarrëveshjeve, përplasjeve, duke i shërbyer demistifikimit të së kaluarës me problematikën e njohur midis dy vendeve, në rrugën e përbashkët të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Pra, një komunikim larg retorikave nacionaliste, që vetëm mbajnë në këmbë hipotekën e vjetër të ngarkuar me urrejtje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura