Për vendin e punës, 1084 mjekë e dentistë në provim

Jan 13, 2016 | 10:22
SHPËRNDAJE

mesuewsit-provimPjesa më e madhe e atyre që penalizohen janë mjekë

Nuk morën kreditet, QKEV nis procedurat e regjistrimit

Janë 1084 mjekë, dentistë dhe farmacistë, që duhet t’i nënshtrohen testimit të certifikimit për të mos humbur vendin e punës.

Qendra Kombëtare për Edukimin në Vazhdim ka publikuar dje listën me emrat e profesionistëve të shëndetësisë, të cilët duhet të paraqiten për të kryer procedurat e regjistrimit për provimin që do të zhvillohet në sezonin e radhës. Pjesa më e madhe e atyre që nuk plotësuan kreditet në ciklin e parë të programit janë mjekë. Kështu, nga 1084 profesionistë, 627 janë mjekë, 367 stomatologë dhe 90 farmacistë. “Regjistrimi për provimin e certifikimit do të bëhet pranë QKEV-së. Pjesëmarrësit në provim duhet të jenë të pajisur me dokument identiteti, si dhe me një fotokopje të saj, të kenë faturën e pagesës për provimin e certifikimit, si edhe të paraqiten së paku 30 minuta përpara fillimit të provimit”, thuhet në njoftim. Tarifa që duhet të paguhet paraprakisht për të marrë pjesë në testimin e certifikimit është 10 mijë lekë. Ndërkohë që datat ende nuk janë shpallur nga Ministria e Shëndetësisë.

RREGULLORJA
Rregullorja e re e miratuar në muajin prill të këtij viti parashikon të gjitha procedurat që do të ndiqen për këtë kategori. Aty përcaktohet po ashtu se për mbetësit do të merret masa e largimit nga puna. “Urdhri Profesional, përkatësisht Urdhri i Mjekut, Farmacistit dhe Stomatologut janë përgjegjës për pezullimin e lejes së ushtrimit të profesionit të gjithë atyre profesionistëve, të cilët në përfundim të ciklit të certifikimit kanë 0 kredite dhe atyre që nuk e kanë kryer me sukses provimin e certifikimit në përfundim të periudhës 6-mujore në dispozicion. Urdhri është përgjegjës për ridhënien e lejes së ushtrimit të profesionit pas dorëzimit të dëshmisë së kryerjes me sukses të provimit të certifikimit”, thuhet në pikën 2 të nenit 4 të rregullores. Por ajo që është paradoksale është fakti që aty nuk janë të parashikuara rastet kur bluzat e bardha nuk regjistrohen për t’iu nënshtruar provimit. Sot, QKEV gjendet përballë faktit që vetëm 100 profesionistë i janë përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë në sezonin e parë të provimeve, që u mbajt në dhjetor të vitit që lamë pas.

KREDITET
Në mesin e muajit tetor të vitit që lamë pas u bënë publike emrat e profesionistëve të shëndetësisë, që nuk përfunduan me sukses ciklin e parë të programit për edukimin në vazhdim, në mesin e të cilëve kishte edhe nga ata që u vlerësuan me zero kredite. Në muajin dhjetor u zhvillua edhe sezoni i parë i provimeve për këtë kategori. Por nga të dhënat zyrtare rezultoi që vetëm 8 për qind prej tyre morën pjesë në testim. Pjesa tjetër nuk u paraqit. Për këtë arsye është parë e udhës edhe ofrimi i mundësisë së radhës për ata që rrezikohen.

Per te pare listen e plote klikoni ketu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura