“Për tifozët e armiqtë qesharakë të Merkel-Macron”- Patozi: S’i meritojmë negociatat dhe sikur vendet e BE mos kishin hall tjetër veç integrimit të Shqipërisë

SHPËRNDAJE

Kreu i partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, ndërsa komenton refuzimin e çeljes së negociatave, thotë se çështja nuk duhet bastarduar duke e trajtuar si “ndeshje futbolli, ku një pjesë bëhen me Gjermaninë, ndërsa të tjerët me Francën”.

Në facebook, Patozi shkruan se ky lloj tifozllëku është qesharak, ndërsa shton se ata që mallkojnë Macron, në fakt duhet t’i jenë atij mirënjohës.

patozi

Ndaj edhe në rastin e djeshëm ne ngjasojmë me atë studentin përsëritës, që kthehet i gëzuar në shtëpi për shkak se pedagogët e komisionit nuk janë marrë vesh me njëri-tjetrin për tezat e provimit. A thua se e ka ndritur më përpara dhe kur dihet nga të gjithë se njësoj do të ngelte”, shkruan mes të tjerash Patozi.

Postimi i plotë:

PËR TIFOZËT DHE ARMIQTË QESHARAKË TË MERKEL-MACRON

Nuk duhet ta bastardojmë kurrësesi refuzimin e BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë, duke e trajtuar si ndeshje futbolli, ku një pjesë bëhen me Gjermaninë, ndërsa të tjerët me Francën.

Vini re se si edhe brenda këtij tifozllëku absurd, sa të paarsyeshëm dhe qesharakë që janë! Sepse ata, që po mallkojnë Macron-in duke e sharë edhe nga gruaja, në fakt duhet t’i ishin atij shumë mirënjohës. Kurse të tjerët, që po e marrin në mbrojtje dhe po e mburrin pa kursim, sot duhet të kishin qenë më të mërziturit prej tij.

Me këmbënguljen e vet për të mos hapur rrugë, presidenti francez i ka bërë tërthorazi një nder qeverisë, por ka dëmtuar qartazi Shqipërinë. Sepse ka bërë të kalojnë në plan të dytë kushtet gjermane të vendosura nga Bundestagu, që e veçonin Tiranën nga Shkupi, në raportet e tyre me Brukselin. Duke i dhënë kështu përparësi problemeve të brendshme mes të mëdhenjve të Bashkimit Europian, gjë që për shqiptarët dhe maqedonët nuk ka ndonjë vlerë të madhe.

Ndërsa Gjermania, në fakt, ka bërë të kundërtën. Sepse ajo ka vënë në pozitë të vështirë kryeministrin, por i ka dhënë një dorë Shqipërisë, që ajo të mos ndëshkohej prej qeverisë së saj në rrugëtimin e vet drejt Europës. Në rast se propozimi i zonjës Merkel do të pranohej nga Franca, do të kishte qenë më e lehtë për të dalluar njollat e errëta të qeverisjen problematike të Edi Ramës, në kontrast të fortë me atë të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, problemi real që kemi ne sot nuk janë kundërshtitë për zgjerimin e vendeve anëtare të BE, të cilat po na mbajnë sërish larg Europës dhe vlerave të saj. Sepse ato mund të sheshohen që nesër ose edhe mund të mos zgjidhen kurrë.

Puna është se ne nuk i meritojmë negociatat edhe sikur të gjitha vendet e BE të mos kishin asnjë hall tjetër në këtë botë, por vetëm integrimin dhe anëtarësimin e Shqipërisë. Ndaj edhe në rastin e djeshëm ne ngjasojmë me atë studentin përsëritës, që kthehet i gëzuar në shtëpi për shkak se pedagogët e komisionit nuk janë marrë vesh me njëri-tjetrin për tezat e provimit. A thua se e ka ndritur më përpara dhe kur dihet nga të gjithë se njësoj do të ngelte.

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.