Për thyerjen e qarkut veskeq akademik

Oct 18, 2017 | 13:11
SHPËRNDAJE

elvin gjevoriELVIN GJEVORI*

Në 1922, duke analizuar prapambetjen e Shqipërisë dhe të shkollave të vendit, Faik Konica ngrinte alarmin duke thënë: “Gjëndja e shkollave në Shqipëri jo vetëm nuk do të mirësohet, po do të vejë për ditë më keq. Nuk është kurrë punë që vëndi i pusisë dhe i gjakut, dheu i dinakërisë dhe i çpifjes, toka e plaçkës dhe përtimit, të nxjerrë një tokicë apostujsh të ditur të më- simit, të cilët, me anë të shkollës, të ritin një brez Shqipëtarësh me ndërgjegje dhe me karakter.

Që të dalin apostuj të tillë, duhet të kenë qenë ata vetë në shkolla të mbaruara. Si e shihni, kemi të bejmë me një “qark veskeq”, a viscious circle, nga i cili s’delet: që të kemi shkolla të mira, duhet të kemi mësonjës të lartë së gjithash; po që të kemi të tillë më- sonjës, duhet të kenë qënë vetë në shkolla të mira” (Konica, “Dielli” 18 Shkurt 1922). 95 vite më vonë, Shqipëria duket sikur përballet me të njëjtën sfidë. Një sistem shkollor-në të tëra shkallët e tij-që nuk i përgjigjet nevojave të vendit, i nënfinancuar, me staf të mangët, dhe që nuk prodhon as profesionistët dhe as qytetarët që i nevojiten Shqipërisë së ardhshme. 95 vite më vonë, kemi shumë më shumë shkolla e mësues, por po aq pak qendra të prodhimit të dijes së mirëfilltë dhe ndërtimit të ndërgjegjes qytetare.

Thuajse i dëshpëruar, Konica propozoi të silleshin 500 mësues nga Zvicra, Austria, Suedia apo Anglia që ta thyenin “qarkun veskeq”, të përmirësonin shkollat dhe nëpërmjet tyre të përmirësonin shqiptarin. Sot ne kemi në Shqipëri shumë më shumë se 500 shqiptarë të trajnuar e të edukuar në shumë më shumë vende se ato që përmend Konica. Gjithsesi, përballemi me të njëjtin “qark veskeq”.

Arsyeja kryesore është se në këto 25 vite është ndërtuar një kastë veskeqe në akademi, e cila përfiton vetëm kur shumica humb dhe lulëzon vetëm kur njerëzia thjesht mbijeton. Institucionet universitare publike janë bërë koka e këtij “qarku veskeq”, që prodhon mësues të dobët, specialistë të padobishëm, e qytetarë jo-qytetarë, të cilët, më pas, e trashin zullumin, e shtojnë trashësinë dhe rëndojnë egërsinë e qyteteve tona. Akreditimi i universiteteve, publikuar javët e fundit, ishte një alarm i ngjashëm me atë që lëshoi Konica 95 vite me parë.

Ashtu si Konica, raporti drejtoi gishtin drejt institucioneve arsimore, sidomos universiteteve publike dhe tha: Të paaftë dhe të padëshirë për të zhvilluar burimet njerëzore të vendit. Por çuditërisht, kur raporti i akreditimit anglez e paraqiti gjendjen katastrofike publikisht, mori si përgjigje një kundër-akuzë. Fajin s’e kishin universitetet publike, por vetë agjencia që nuk dikërka të bëjë punën, për të cilën u mor. Mbasi u mbarua punë me agjencinë, disa u kujtuan që kjo puna e akreditimit nuk bën fare; për ne jo e jo, por as për botën akademike. Sepse shkenca nuk u maskërka dhe as nuk duhet të matet. Shkenca është shkencë.

Ja pra dhe problemi u zgjidh. Por problemi nuk mund të zgjidhet kështu. Gjëja më e mirë që i ka ndodhur universiteteve shqiptare, sidomos atij të Tiranës, është ky akreditim, që tha me zë të lartë të vërtetën që e pëshpëritim mes nesh. Për të zgjidhur situatën, duhet filluar nga diagnostikimi i problemit. Prandaj, shkenca matet dhe duhet të matet. Jam i bindur se kolegët dhe miqtë e mi në Universitetin e Tiranës, të arsimuar në institucione elitë nëpër botë, janë dakord. Si fillim, shkenca matet me sasinë e financimit që i jepet qendrave kërkimore (inputet).

Ajo, gjithashtu, matet edhe me produktin shkencor (outputet). Sa libra botojnë studiuesit, kërkuesit dhe pedagogët e universiteteve tona me shtëpi botuese ndërkombëtare, të cilat bazohen në‘peer review’? Sa artikuj shkencor botojnë pedagogët në revista shkencore ndërkombëtare të rankuara në “Scopus” apo “Thomson Reuters”? Sa bashkëpunime kanë me qendra ndërkombëtare studimore? Sa financime kërkimore fitojnë? Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë dëshpëruese. Shumica e librave botohen me pak ose aspak cilësi, duke mos kaluar në thuajse asnjë hallkë kontrolli të bazuar në ‘peer review’. Shumica e pedagogëve i ngatërrojnë revistat shkencore me mallra konsumi dhe mendojnë që sa me shumë të paguash për të botuar, aq më e mirë është revista.

Bashkëpunimet ndërkombëtare janë të pakta, sporadike dhe thuajse gjithmonë të filluara nga partnerët e huaj, që kërkojnë të studiojnë Shqipërinë. Faktet dhe matjet objektive, botuar nga UNESCO, tregojnë se kërkimi shkencor në Shqipëri është në pozicion të mjerueshëm. Shqipëria shpenzon vetëm 0.2% të PBB për kërkim shkencor, ka shpenzimet më të ulë- ta për frymë në rajon për kërkim dhe inovacion, dhe është më e varura nga fondet shtetërore.

Nga 2005 në 2012, Shqipëria ka outputin shkencor më të ulët në rajon dhe ka marrë vetëm një patentë mbi produktin e një kërkimi shkencor. Po aq shqetësuese, Shqipëria ka numrin më të ulët të certifikimeve ISO në rajon dhe jemi më dobët edhe se Azia Qendrore në indeksin e ekonomisë së njohurisë. Për dekada, si pasojë e mbylljes hermetike të universiteteve publike ndaj praktikave të mira të kërkimit shkencor, Shqipëria është përballur me një brain drain masiv edhe jemi katandisur me 157 kërkues, për 1 milion banorë, ndërsa Mali i Zi e i vogël ka 673.

Dhe në fund, Scopus, institucioni prestigjioz i rankimit të revistave shkencore, e rendit Shqipërinë të 119, midis Mongolisë dhe Madagaskarit, për botimet shkencore. Pra, shkenca matet që ç’ke me të dhe të dhënat tregojnë se produkti shkencor në Shqipëri është i pafinancuar, i dobët, i padobishëm për zhvillimin ekonomik, i papërfillshëm numerikisht, i pabotueshëm, fiktiv dhe bëhet nga halli e për të kaluar radhën.

Qartësisht, kasta veskeqe akademike është bërë një hall i madh publik se as nuk pranojnë problemin, as nuk pranojnë zgjidhjen, e as nuk pranojnë të hapin rrugë që ta zgjidhin kërkuesit e rinj që dinë më shumë e më mirë. Gjendja që paraqiti akreditimi anglez, sidomos për institucionet publike të arsimit të lartë ishte e rëndë; por gjendja faktike, siç tregojnë shifrat, është akoma më rëndë.

Përgjigja nuk mund të jetë që anglezët ia “fusin kot” apo që shkenca nuk matet. Matet që ç’ke me të. Nuk duhet të shpikim gjë, thjesht të hapim sytë e të mësojmë nga ato që bën bota e civilizuar. Zgjidhje tjetër nuk kemi, ndryshe, siç na e tha Konica që në 1898: “në njëqint vjet, në vafshim si vemi, do të jemi aqë poshtë sa dhe sot”.

*Kryeredaktor i Revistës Shkencore “Polis”, UET

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura