“Për të prishur një xhami, në asnjë mënyrë mos acaroni popullin, mos provokoni, po se shembët sot…”, zbardhet dokumenti me porosinë e Enver Hoxhës

| 8:41
SHPËRNDAJE

pjimageDashnor Kaloçi/ Publikohet një dokument i panjohur i nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së që i përket muajit prill të vitit 1967 dhe është një bisedë e Enver Hoxhës me sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Dibrës, Sul Baholli, lidhur me aksionin e madh që kishte ndërrmarë në atë kohë regjimi komunist për ndalimin e fesë dhe prishjen e objekteve të kultit, si: kishat, xhamitë, manastiret, teqetë, tyrbet etj., ku rrethi i Dibrës, doli “flamurtar” dhe i dërgoi Komitetit Qëndror të PPSH-së një telegram me 41 emra klerikësh të bësimit islam të atij rrethi, të cilët pasi “mbështesin” atë aksion të madh të Partisë dhe i konsideronin zakonet fetare si: “çështje të së kaluarës që vinin për shkak të prapambetjes së thellë të popullit, zotoheshin se do rruanin mjekrat dhe do punonin më gëzim kudo që t’i caktonte partia për ndërtimin e socializmit”. Porositë dhe udhëzimet e Enverit në takimin me Sul Bahollin, duke mos i’a aprovuar ato që kërkonte Komiteti i Partisë së Dibrës për marrjen e masave administrative, ndaj atyre që kundërshtonin dhe pengonin luftën ndaj fesë, “pasi ajo punë kërkonte shumë kohë dhe duhej zgjidhur vetëm me punë politike”

Në vitet 1965-’66, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës filloi aksionin e madh për ndalimin me ligj të besimeve fetare dhe prishjen e objekteve të ndryshme të kultit, si kishat, xhamitë, manastiret, tyrbet, teqetë etj., ajo gjë ngjalli një reagim të madh, jo vetëm nga klerikë të ndryshëm, kryesisht të besimit katolik që ushtronin veprimtarinë e tyre fetare në qarkun e Shkodrës dhe rrethet e tjera në Veriun e Shqipërisë, por edhe nga besimtarë të ndryshem të cilët i dërgonin letra dhe telegrame Komitetit Qëndror të PPSH-së, dhe personalisht Enver Hoxhës, ku kërkonin që të mos u prisheshin objektet e tyre të kultit. Por krahas tyre, në atë aksion të madh që i ra barra ta zbatonin komitetet e partisë së rretheve, ndodhi një ngjarje që habiti pa masë, jo vetëm besimtarët e shumtë, por edhe vetë udhëheqjen e lartë dhe personalisht Enver Hoxhën. Kjo ngjarje që bëri bujë të madhe në atë kohë, (pasi u botua edhe në gazetën “Zëri i Popullit”), ishte një telegram që 41 klerikë të besimit islam të rrethit të Dibrës, i dërguan Komitetit Qëndror të PPSH-së, të cilët pasi “mbështesin” atë aksion të madh të Partisë dhe i konsideronin zakonet fetare si “çështje të së kaluarës” që vinin për shkak të prapambetjes së thellë të popullit, “zotoheshin se do rruanin mjekrat dhe do punonin më gëzim kudo që t’i caktonte partia për ndërtimin e socializmit”. Ky telegram që nuk kishte asnjë firmë, s’ishte gjë tjetër veçse një mashtrim dhe sajesë e Sul Bahollit, për t’u dukur dhe për të bërë bujë para udhëheqjes së lartë e personalisht Enver Hoxhës, në mënyrë që rrethi i tij, të dilte “flamurtar” në atë aksion të madh që kishte ndërrmarrë regjimi komunist. Por duket se ajo gjë nuk funksionoj krejtësisht ashtu siç e kishte menduar Sul Baholli dhe “shokët” e Komitetit të Partisë së rrethit të Dibrës, pasi hasi në reagime dhe në një rezistencë jo të vogël, si të klerikëve të besimit islam, ashtu dhe besimtarëve të shumë të atij rrethi. Nisur nga ky fakt, Sul Baholli dhe Komiteti i Partisë së rrethit, i kërkuan disa herë Komitetit Qëndror që ata të merrnin masa administrative dhe të dënonin ata klerikë dhe besimtarë që kundërshtonin atë aksion të madh për ndalimin e fesë dhe prishjen e objekteve të kultit. Mirpo kjo gjë nuk është prnuar nga Enver Hoxha, i cili ka thirrur në një takim Sul Bahollin, duke mos i’a aprovuar atë kërkesë për marrjen e masave administrative. Për më shumë rreth atij takimi, na njeh dokumenti në fjalë që Memorie.al e publikon të plotë në këtë shkrim.

Bisedë me shokun Sulë Baholli

Problemi i fesë dhe zakoneve

Jeni ju shokët e Dibrës të parët, që u vutë zjarrë me deklarata, klerikësh, xhamive, teqeve, bajrameve, shehelerët e ruajtën mjekrën, hoqën taçes dhe sereqet, jeni ju që na mbuloni me telegrame nga masat se s’do mbani agjërim, bajram etj. Tash vini dhe thoni se keni atje fanatizëm dhe indirekt, na kërkoni që të marrim masa administrative si me thënë.

Jo ne nuk do t’u japim këtë lejë, pse nuk është e drejtë, ne nuk do të lejojmë masa administrative. Për këto gjëra ka vetëm një masë, punë politike, ideologjike dhe me bindje. Ne vazhdimisht po ju themi, se këto nuk zhduken menjëherë, duhet kohë dhe gjatë gjithë kohës, duhet me punë në këtë drejtim, dhe puna duhet të konsistojë me forma të shumëllojta, dhe të përshtatëshme jo vetëm, për çdo rreth, por për çdo familje dhe individ veç e veç.

Mos lejoni që nga njerëz të ekzaltuar të bëhen provokacione me popullin, për majën e një minare, të cilën në rast se nuk e rrëzon sot, le ta rrëzoni mot.

Unë do t’u këshilloj një gjë: në rast se ne duam që feja dhe zakonet të zhduken, na brezi tonë, dhe nga brezat e ardhshëm, partija, duhet ta kapi punën nga gratë, dhë të mbështetet fuqimisht te gratë, për këtë çështje, se sa te burrat.

Problemi i gruas, e kam theksuar, dhe do e theksoj vazhdimisht, është një nga problemet kyçe të Partisë dhe të socializmit.

Partija dhe klasa punëtore, duhet ta ketë të kjartë, se pas rinisë, gruaja është ajo pjesë e popullit më përparimtare, më e lidhur me jëtën, me punën, me tokën, me Partinë. Pamvarësisht se ajo, aktualisht është më e prapambetur nga burri, pavarësisht se zakonet, traditat dhe fenë, ajo i ruan në familje, është depozitari i tyre, ajo është më në gjëndje t’i hedhi tej, t’i shkelmojë, t’i përvëlojë.

Duhet të kuptojmë, se këto zakone, në familje, i ka imponuar burri, gruaja vuan prej tyre, ose duke menduar se në të gjen zbutjen e vuajtjeve me shpresën, e shërimit të plagëve të saj mbi gruan, është i dispozuar që t’i ruaj, pse me këto zakone plekset, atavizimi i “superioritetit të tij”, i “zotësisë së tij, i zgjuarësisë së tij”.

Përse pra, partija duhet të kënaqet duke e mbështetur punën e saj vetëm te burrat për t’i zhdukur këto zakone, përse nëpërmjet burrit, ne duam të çlirojmë gruan, dhe nuk i futemi si duhet, çlirimit të gruas, me gratë, sidomos, pa neglizhuar dhe burrat. Me anën e grave ne do çlirojmë dhe burrat.

Flasim shumë për “ngritjen e personalitetit të gruas”, po bëjmë pak, dhe atë pak që bëjmë, e bëjmë si “lëmoshë për gruan”, si një favor që i bëjmë gruas. E gjejmë të natyrshme që futim 20 burra në parti, dhe të kënaqshëm pse futim një grua. Kjo pa dashur, dhe pa e kuptuar, do të thotë të mendosh si prapanik.

Sillen shumë arsye pa asnjë bazë. Jo burri është më i ngritur, etj., etj. Kjo nuk është e vërtetë për moshtarët deri në 35 vjet. Deri në këtë moshë nuk ka asnjë ndryshim në mes vajzës dhe djalit, pse që të dy janë të rritur njësoj në regjimin tonë socialist, por mëndjet tona patriakale, në këtë çështje nuk kanë bërë ndryshim. Eshtë absolutisht e nevojshme të bëhet kjo kthesë në punën e partisë, për çështjen e gruas. Mbështetuni fuqimisht te gratë në punën tuaj, dhe ju do të shihni se sa rezultate të shkëlqyeshme dhe të shpejta do të kini, veçanërisht në zhdukjen e zakonëve të rënda dhe fesë.

Çështja e besimeve fetare tek ne, si në burrat, si në gratë, nuk është një çështje e rrënjosur me studime dhe bindje filozofike, kjo është më shumë një problem pragmatik, një problem zakoni, i lënë trashëgim. Ky zakon natyrisht ka pësuar ndryshime të mëdha drejt zhdukjes, bile dhe pa bërë një punë ateiste të dëndur. Le t’i hedhim edhe në kohën para regjimit tonë socialist, praktikat fetare, megjithë që ekzistonin, ato prapë se prapë, po t’i barazojmë, me besimet fetare, dhe praktikat e saj në vëndet e tjera, kanë qenë më të zbehta.

Le të marrim, edhe besimin katolik, që shërbehej nga klerikë të mësuar, prapë në do të kosntatojmë se edhe këta nuk kishin mundur të depërtonin, jashtë praktikave të lithurgjisë, të zhvilluara në mënyrë të “zbehtë”, në krahasim më vëndet e tjera.

Kurse faljet më xhamira dhe në kishat orthodokse, bëheshin relativisht të rralla dhe kufizoheshin më shumë në ditët dhe festat fetare. Agjërimet dhe kreshëmt, e humbisnin efektin e tyre, dhe në të rinjtë, por edhe në të kaluarit nga mosha nëpër qytete.

Magjitë dhe nuskat dhe ato po dobësoheshin dhe ruanin një karakter aq primitive, sa që zhdukej kredia e tyre në masat. Magjistarët, fallëxhinjtë, njerzit e nuskave, natyrisht bëheshin anakronistë, ata mbeteshin nga më injorantët e injorantave, përpara zhvillimit të shoqërisë sonë.

Me vendosjen e regjimit popullor, me përparimin e madh arsimor, kultural, me ngritjen e nivelit të jetesës së popullit, e gjithë ajo prapambetje në zakone, dhe në fe, hëngri një grusht të mëtejshëm të rëndë.

Disa shokë, i vënë më tepër rëndësi “influencës”, së një hoxhe, ose një prifti injorant të fshatit, i cili në realitet nuk ka snjë kredi, se sa sqarimit të masës, mbi këtë çështje që janë shumë të lëkundëshme, të zbehta dhe pa baza, dhe që me një puinë më tyë kujdesëshme, i lëkund akoma më tepër, deri sa t’i zhdukim fare./Memorie.al

unnamed-11 28164974_10155837562052631_2749137382091060643_o Bektashinjte-foto-e-vjeter download-10 enveri-gratë5 hunqar Peshkopia peshkopia123

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.