Për “Të ndaluarin” dhe visaret e Visar Zhitit

Jan 26, 2018 | 16:22
SHPËRNDAJE

LEONORA LAÇI8-c1200x600

I lexoj më endje, etje, me një frymë, ndjej rreshtat tek rrëshqasin, vargjet, çdo trepikësh… edhe kur shkruan për Atjonin… Bëhet fjalë për veprën “Si na erdhi ai, i ndaluari” të Visar Zhitit, botuar nga “Omsca-1” në 2017. Ndjej krenari që jetoj dhe lexoj visaret shqiptarë, shkrimtarët e ndaluar në periudhën komuniste, do të doja që ata të jetonin përgjithmonë fizikisht, sepse veprat do t’i mbijetojnë, për të fituar kohën e humbur, që të shkruajnë atë që s’patën kohë ta shkruajnë e të ndjejnë atë, që s’munden ta ndjejnë.

Visaret e kombit si ; Visar Zhiti, Arshi Pipa, At Zef Pllumi, Fatbardha Mulleti-Saraçi, At Anton Harapi, Mustafa Kruja e shumë e shumë të tjerë e kanë radhën për t’u lexuar. Tek “I ndaluari”, ndeshim udhëtime në kohë, mesazhi që, të falësh është hyjnore, poezi e prozë, fakte historike, vuajtje e gëzime, ngjarje që vijnë një herë në jetë, ndeshim takime e mostakime, entuziazme, qëndresë, koincidenca, ngjarje që piktakohen nga Roma në Moskë, nga burgu në liri, nga ShBA-të në Europë. Na shkruan dhe për Hyun, Ati Jonë… S’shkëputesha dot nga libri, apo libri nga unë, nata e errët nuk m’u duk dhe aq, sepse isha futur në errësirën e vërtetë, jo atë të mungesës së dritës, errësira e librit – vuajtjet e autorit – bashkë më të vuaja dhe unë… Dua t’i kthehem sërish… Ndjej pështjellim ndjenjash, ndrojtje ta botoj apo t’i flak tutje këto rreshta… visari-zhiti-1

Sepse kam harruar detaje të pafundme, një shkrim i tillë s’dua t’ia humbë vlerat e çmueshme të librit, por as për t’ia rritur nuk ka nevojë, sepse i ka të gjitha… Aty gjen njerëz të mëdhenj e të vegjël, shkrimtarë a dëshmitarë apo dëshmitarë-shkrimtarë, bashkëvuajtës e të përkëdhelur… Shkruan për libra e ish-libra, për të birin e të shoqen, për ëndrra e realitete, për njeriun e vjetër e të ri, për të djeshmen e të tashmen, për të bukurën e jo të bukurën. Nuk shan, nuk urren, i do të gjithë, miq të vërtetë e ato jo të vërtetë, i pranon… Nëpërmjet poezive njohim Jevtushenkon e nëpërmjet rrëfimeve njohim Visarin, dhe veten. Njohim nomenklaturën e vegjëlinë, njohim të njohurën e të panjohurën. Visari, jo vetëm fali, por dhe të birit i mësoi vetëm për të bukurën, në pak rreshta tregon shumë. Visar Zhiti shkruan për dosjen e tij dhe ata që dëshmuan kundër tij.

Pseudonimet “Flaka” që i daltë flaka, “Shkëndija” që ngjan me dritën e partisë dhe “Rozafati”, mor, të mjerë, po me Kështjellën ç’patët, edhe këtë e keni përzierë në punët e partisë e në spiunllëqet e tuaja?! Visari, disa nga këta, i di kush janë, por nuk i çjerr maskën. Ai shprehet se: “Doja të ruaja imazhin e shokëve, të atij sinqeriteti e gëzimesh të varfra të asaj moshe”. Nëpërmjet përshkrimeve, kuptohet që nuk mund t’i besohet as vetes zgjuar apo në gjumë qofsh, nëse thua diçka, do mbash përgjegjësi… E lindur në një kohë tjetër e brez tjetër, që Visari në bashkëbisedimet me Atjonin na ndihmon të besojmë. Thellë brenda meje do të doja të ndjeja të njëjtën dhimbje si atëherë, se ndoshta do ia dimë vlerën të sotmes, të ndrydhja mendimet, ndjenjat e kështu të mësoja të mbaja gojën mbyllur…

Të vetëpërmbahesha, se ndoshta vetëm kështu s’do ndjeja mjerimin e sotëm, dobësimin më tej të vlerave njerëzore. Nganjëherë, Visari e Jevtushenko më ngatërrohen, shkrihen njëri me tjetrin, edhe pse në vendndodhje e botëkuptime të ndryshme. Visari i frymëzuar nga ai, e unë e frymëzuar nga Visari, tashmë në kohën e liberalizmit…

Visari i visareve kombëtarë, përdor shpesh herë ironinë, kur i thotë profesorit të tij që po punonte për përkthimin e poezive të Jevtushenkos e i thotë që duhet të njohim kundërshtarin, ndryshe sido ta luftojmë… pasi profesori e qorton se krijimet e Jevtushenkos janë të ndaluara. Por ky justifikim nuk ia mbush dot mendjen as profesorit e as të tjerëve përreth, as Visarit vetë dhe me këtë siguroi burgun. Partia të dënonte, edhe kur dëshiroje të njihje kundërshtarin, që do ta luftoje. Partia vendoste standardet, tregonte çfarë është e mirë për ty, çfarë të mendosh, çfarë të ndjesh, partia të tregon “arat e babait”. V.Zhiti na shkruan për baltën e muret, shoqëria jonë vazhdon të jetojë me mure e baltë.

Ai na shkruan dhe për egocentrizmin, që e ndjejmë në formimin tonë, e shohim rreth nesh te njerëzit e mirëshkolluar të kohës, që janë egocentrikë të pandreqshëm. Flasin për mesjetën në kontekstin komunist e deri sot, politikën e njohin më mirë, fusin hundët dhe në arte e kulturë. Do Zoti që mos të merren dhe me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun.

Shkodër, 2018

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura