Për të kompensuar socialistët në mëdyshje

Apr 18, 2015 | 13:01
SHPËRNDAJE

SAMI NEZA

   Kandidati socialist për Tiranën, Erion Veliaj, kaloi nëpërmjet shumë hamendjeve deri sa u caktua zyrtarisht nga Kryeministri si njeriu që do të përfaqësojë socialistët dhe koalicionin e tyre në kryeqytet. Në përgjithësi hamendjet jashtë PS u krijuan më së shumti nga sondazhet brenda socialistëve, ku Veliaj nuk dilte më i votuari ndër kandidatët e mundshëm. Por edhe gjatë vitit të fundit përfshirja në disa çështje parash e tenderash që cenuan kredibilitetin e tij, shërbyen për të përforcuar dilemat.
Megjithatë, kushdo që e ka ndjekur grafikun e tij politik dhjetë vitet e fundit, ka qenë i bindur se as mëdyshja e socialistëve për të dhe as problemet e tij përgjatë dy viteve si ministër, nuk do ta ndalnin në hapin tjetër, atë të garës për Tiranën. Veliaj është njohur në vend si drejtues i lëvizjes “Mjaft”, një lëvizje që u financua kryesisht nga fondacioni Soros.
“Mjaft”, një dizajn më shumë politik sesa social, ka pasur sukses si formulë organizimi e funksionimi edhe në vende të tjera të Lindjes. Në Shqipëri ishte kundërshtare frekuente e Fatos Nanos kur qe kryeministër. Aq i madh ishte padurimi për ta larguar si kryeministër, sa potencoheshin edhe ktheheshin në ushqim politik edhe gjëra krejt të parëndësishme të sjelljes së tij siç ishin protestat “antifirst lady”, që vinin në lojë gruan e re të tij, Xhoanën. Lëvizjet e “Mjaft” kombinoheshin perfekt me produktet e gazetës “Shekulli”, pronë e Koço Kokëdhimës, e cila atëherë ishte gazeta më e madhe në vend e ndërkohë edhe kundërshtare e Kryeministrit Nano. Rama, Veliaj dhe Kokëdhima shiheshin rëndom së bashku si për të përshkruar kombinimin e tyre politik, me një qëllim të vetëm – largimin e Nanos nga PS. Në fakt, roli i “Mjaft” në humbjen e PS në 2005 ishte i padukshëm, pasi kriticizmi i saj reflektonte shumë më tepër rivalitet brenda së majtës, sesa suport për një alternativë të re politike. Por roli i saj në largimin e Nanos nga PS ka qenë i dukshëm, largim që ishte përcaktues edhe për fatin e ardhshëm politik të Edi Ramës.
Përpjekjet e Veliajt për të hyrë në politikë, jo si i përzgjedhur i Ramës, por si partner me PS nëpërmjet G99, dështuan. Në zgjedhjet e vitit 2009, ajo nuk mori asnjë deputet. Në fakt, Veliaj kishte shanse të fitonte në Kuçovë, por ato u rrënuan nga beteja e fortë e Erjon Braçes, i cili nuk linte pallat, trotuar, rrugicë pa hedhur trakte kundër tij, ku shkruhej ndër të tjera që qytetarët të mos votonin një kandidat që po financohej nga një zyrë shërbimi funeralesh.
Megjithatë, Rama e kooptoi në strukturat e PS, duke e ngjitur me kujdes në hierarkinë e partisë, por duke e pasur si këshilltarin e tij të parë prapa skene. Marrëdhëniet mes të dyve kanë qenë marrëdhënie të investimit proporcional në karrierë, duke anashkaluar çdo mëdyshje dhe çdo pengesë. Miqësia e tyre ka qenë e panegociueshme. Debatet që lindën para kandidimit rreth emrit, kanë qenë fare të zbehta, për t’i bërë hije një bashkëpunimi afatgjatë, bashkëpunimi orientues edhe për një rreth më të madh bashkëpunëtorësh, të cilët janë sot më shumë se gjysma e qeverisë dhe pothuajse të gjitha zyrat e para të institucioneve më të rëndësishme publike. Duke qenë se Veliaj është një politikan i ndërtuar përmes kredencialesh, i duhet patjetër edhe një betejë elektorale. Nëse ai do të fitojë Tiranën, socialistët e Ramës e kanë ndërkaq zëvendësin e tij, kurdo që ai u duhet.
Dilema që perceptohej jashtë PS, ka qenë e ndryshme nga ajo që bënte hije brenda saj. Nëse dilema brenda PS do të ishte vetëm për Tiranën, Veliaj edhe mund të mos kandidohej. Socialistët kanë figura që mund të përballojnë garën e kryeqytetit, si Blushi, Majko etj., por edhe teknicienë të stafit të Ramës, si Dhimitri apo ndonjë tjetër; Ose nuk do të kishte ndonjë arsye që Veliaj të mos kishte konsensusin e partisë për këtë garë. Fundja ai ka një profil të fortë atje, drejton një superministri dhe nga shumë anëtarë të PS konsiderohet vlerë e shtuar për socialistët, e ndarë thellë në dy breza, por edhe në dy praktika. Çështja është më e gjerë dhe kandidimi më afatgjatë. Kjo ka shkaktuar mëdyshjet brenda PS, që në publik janë përcjellë si diskutime për kandidatin e Bashkisë së Tiranës.
Këtu zënë fill më pas edhe ngjarjet e vogla, që lidhen me ngjarjen e madhe. Rama ka përbuzur gjithnjë partitë e vogla, madje edhe parti me një emër në të majtën e vendit, siç janë ajo e Gjinushit dhe Milos. Por, kësaj here, Edi Rama ka ndërtuar një koalicion të gjerë për zgjedhjet lokale. Numri i partive të përfshira i kalon dyzet dhe në tërësi nuk është bërë kujdes që grupet politike të përfshira të kenë ndonjë përqasje ideologjike. Parti me pak ndikim, të tjera pa asnjë ndikim, ndonjë me emër halucinant, disa parti komuniste dhe një tjetër partia e mendimit të djathtë liberal, përbëjnë vargun e gjatë.
Koalicionet e mëdha në zgjedhjet lokale përgjithësisht nuk e kanë të njëjtin efekt si në zgjedhjet parlamentare. Kjo për shkak se votimi është më i izoluar dhe votat e partive të vogla kanë efekt kur ajo mblidhet përmes një proporcionali pak më të madh sesa bashkitë. Megjithatë, për rastin e Tiranës apo ndonjë qytet tjetër të madh, ku bashkitë përmbajnë një numër të madh votuesish, koalicionet kanë produkt, sidomos në ato raste kur votat janë kokë më kokë.
Rama e di se socialistët kanë konsensus të përgjithshëm për udhëheqjen e tij, por jo për ata që ai i zgjedh për drejtues. Koalicioni mund të kompensojë apo mund të sigurojë kryeministrin se përzgjedhja e tij mund t’ia dalë edhe me ndonjë votë socialisti, që nuk do të shkojë për Veliajn. Kështu, me pak punë, pak vota këtu e pak atje, mund të kapërcejë një sfidë, e cila duhet të sfumojë edhe sarkazmat e vjetra të Braçes me zyrën e Kuçovës, edhe oponencën e ardhshme të Blushit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura