Për “shpëtimtarin” dhe punëtoret e monumentit të tij!

Apr 3, 2020 | 18:00
SHPËRNDAJE

gjekmarkaj1

Nga Agron Gjekmarkaj

Ndonëse në ndërgjegje na lëvrinte si krimb bindja e ujitur nga veprimet e Edi Ramës gjatë këtyre shtatë viteve pushtet se ai gjithçka e kthen në propagandë, si gëzimin ashtu edhe hidhërimin kolektiv, e mbështetëm dhe e mbështesim në masat shtrënguese të distancimit social gjatë kësaj pandemie të koronavirusit, por jo e jo në vizionet e tij autokratike e sidomos në llogaritë politike që bën me këtë realitet.

Dikush mendon se protagonizmi i tij (i Kryeministrit) është detyrë. Mbase deri në një farë mase, por më shumë është efikasiteti dhe jo spektakli folklorik me kalkulime të pastra imazhi për nesër!

Mjafton të ndërtosh krahasimin me Konten në Itali, Makronin në Francë, Sançezin në Spanjë, Micotaqisin në Greqi, për të mos shkuar deri te Merkel në Gjermani. Ata shfaqen tejet seriozë e racionalë për të domosdoshmen, me një gjuhë të thjeshtë e njerëzore, të drejtpërdrejtë dhe mbi të gjitha të pakursyer në oferta dhe ndihma financiare për njerëzit e mbyllur, për biznesin e madh e të vogël, për mediat në vështirësi, larg teprimeve. Madje, Konte, me tragjedinë e madhe të vendit të tij mbi supe, ngjan kaq i përunjur sa të vjen ta mëshirosh! Gjithë pjesën tjetër e menaxhojnë shefat e emergjencave civile dhe specialistet e mjekësisë.

Në Itali, çdo natë shfaqet Borreli në orën 18:00 dhe bën bilancin duke informuar për pandeminë, sukseset, humbjet dhe parashikimet për më pas. Ai mban atë pozicion që këtu ka Haki Çako. E ka parë njeri Hakiun këto kohë?!

Në shtetin tonë të privatizuar për çdo gjë shfaqet ai, i gjithëpushtetshmi, i gjithëdituri, interlokutori i Krishtit dhe Muhametit mbi tokë, ai që zotëron të mirën dhe virtytin, monopolin e së drejtës dhe instrumentet e saj, duke i përdorur mediat si një pronë personale për të realizuar si dikur Hugo  Çavez emisionin “Alo, Edi jam”. Por asnjë ndihmë apo aluzion për to ndaj mediave nuk ka, megjithëse janë tejet të rrezikuara nga kriza. Ëndrra e tij që “kazani” të shpohet dhe “kadrinjve” t’u thahet gjuha, me gjasë po bëhet realitet duke ua shtrënguar lakun dhe lidhur te kangjellat e Kryeministrisë me një tas në dorë, ku ai te hedhë lëmoshë dhe urdhra.

Në këtë parodi të shëmtuar, ai merr bekime e puthje nga ana tjetër e receptorit dhe kjo bëhet live që ta shohë gjithë njerëzia, se si jeta rrotullohet e gjitha rreth tij. Se vetëm ai është “shpëtimtari”, ndërkohë që në të gjithë vendin janë bërë vetëm dy mijë teste koronavirusi, duke anashkaluar përmasat reale të përhapjes së tij.

Me luhatje gjuhe e termash në mënyrë ekstreme në harkun e një muaji është ai që përhap panik, i bindur që litarin e tij e shtrin sa i duhet dhe e tërheq po aq sa duhet sipas interesit të tij politik. Ndërkohë turr Policinë, Prokurorinë, Antiterrorin, të përndjekin njerëz, të cilët thonë atë që mendojnë për këtë situatë të pazakontë. Ky është shfrytëzim i fatkeqësisë me dhunën e pushtetit për të mbjellë frikë dhe dekurajuar çdo zë që bëhet zëdhënës i mendimeve ndryshe nga të Kryeministrit. Uniteti i domosdoshëm si në këtë rast nuk nënkupton unitet për t’u vetëgënjyer, për të gënjyer të tjerët apo për të besuar gënjeshtrat. E vërteta është se shumë qytetarë kanë probleme të mëdha për të siguruar ushqimin e përditshëm në kushtet e reja.

Qeveria veproi tri javë me vonesë dhe nuk mori asnjë masë për të karantinuar mijëra shqiptarë që vinin çdo ditë nga veriu i Italisë apo në bllokimin e linjave të komunikimit me këto rajone.

T’i mbyllësh njerëzit brenda është e lehtë në pamje të parë, edhe pse zgjedhje kjo e detyrueshme, por duhet të mendosh edhe sesi këta njerëz do të jetojnë, sesi do të mbijetojnë bizneset që u japin punë. Qeveria miratoi një paketë ekonomike shumë më të vogël se e Kosovës, vend ky me buxhet e popullsi ku e ku më të paktë. Mbi të deri tani nuk ka asnjë transparencë, asnjë rezultat konkret. Qytetarët dhe ekonomia askund nuk po e ndiejnë dorën e “ngrohtë” të Qeverisë. Ne nuk jemi një vend i varfër, por kemi të pasur politikanët. Tek ata kriza ushqimore nuk mbërrin. Ne kemi të mirëqenë Kryeministrin, ministrat, të cilët vërtet nuk kanë në dispozicion miniera ari, por nuk po tulaten aspak të bllokojnë koncesionet apo tenderat që shpërndajnë fitim të ndërsjellë mes dhënësit e marrësit. Shtysa të forta e justifikojnë këtë hezitim!

Të mbërthyer të gjithë pas ekranit shohim show-n e Kryeministrit pas dërgimit të mjekëve dhe infermierëve në Itali, ku më shumë kohë harxhon në englendisje e intervista televizive sesa në menaxhimin e situatës në vend, duke deklaruar që është arrestuar nga Policia në Bolonja, për t’u dukur andej detit një viktimë e dikurshme tërheqëse dhe duke e mohuar këtej, sapo opozita i kujton ligjin e dekriminalizimit! Në rastin më të mirë gënjeshtër banale e një personi që as skuqet as zverdhet prej saj!

Po kaq ministrja Manastirliu lidhet me mjekët tanë në Breshia të Italisë me “Skype”, sikur ata të ishin prona e saj për të kapitalizuar maksimalisht propagandën e shefit të saj, duke nënkuptuar që ne jo vetëm që shpëtuam vatanë, por edhe dynjanë!

Po kështu me llogore e ngecje, të paqartë e shpesh të pavërtetë, duke artikuluar edhe marrëzi, shfaqen ministrat që ngjajnë si kortixhanë oborri, Cakaj (me gjasë i karantinuar së dyti pranë mixhes Baton), Manastirliu, Denaj e Ahmetaj, duke zënë hapësirat në çdo ekran e çdo natë në mënyrë sproporcionale dhe aspak efikase. Pandemia me gjasë po u shërben atyre si “deux ex machine”, për të justifikuar dështimin e eksperiencës së tyre qeverisëse në ekonomi, gropën e madhe që po shfaqej në të para se ajo të trokiste. Ata, më shumë sesa t’u japin zgjidhje problemeve të shumta e të zymta, shfaqen si bojatisës së monumentit të “shpëtimtarit”!

E kemi paralajmëruar që në fillim se Edi Rama, sido që të shkojë, këtë rol do të merrte sido që fati të sillej me ne, por na befason jo dhe aq hazarllëku i lepe-peqeve të kabinetit të tij, por më shumë i atyre që lërojnë tokën e opinionit publik! “Monumenti i shpëtimtarit”, në një vend të rrënuar do t’u shërbejë vetëm zogjve për të kryer ca nevoja të tyre. Qeveria nuk po bën asgjë, thjesht na ka mbyllur brenda. Nëse ky është shpëtimi i vetëm që prisni, jua ka bërë Zoti qejfin!/ Analizë për Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura