Për një reflektim më të thellë të denoncimit Blushi

Feb 11, 2016 | 14:20
SHPËRNDAJE

Fatos Lubonja

FATOS LUBONJA*

Letra e Blushit mbi shkeljet e statutit në Partinë Socialiste është një dokument që do ta quaja historik për ata që nesër do të duan të studiojnë gjendjen e partive në Shqipëri pas 25 vjetësh rënie të diktaturës. Por do të ishte mirë që ky dokument të merrte edhe një dimension tjetër historik, të inicionte një proces ndryshimi në Partinë Socialiste. Kuptohet se kjo duket punë mjaft e vështirë për momentin, por, gjithsesi, ajo që ka bërë Blushi vlen shumë.

Kjo jo pse dokumenti na zbulon diçka që nuk e dimë (personalisht kam afro dhjetë vjet e më shumë që i quaj partitë tona banda), por sepse, duke ballafaquar realitetin e funksionimit të partisë së tij me parimet e shkruara në statuti ai na jep, nëpërmjet pak rreshtave të pakontestueshme, pasqyrën dramatike të paaftësisë së shqiptarëve për të ndërtuar organizma me frymë demokratike dhe në respekt të ligjit, duke demaskuar njëkohësisht retorika për rilindje të kësaj partie dhe të liderit të saj.

Ajo që vihet re, megjithatë, është se reflektimi që po bëhet mbi këtë dokument mbetet shumë i cekët. Ai thjesht po politizohet për qëllimet e ditës, duke anashkaluar kështu thelbin e problemit që ai denoncon. Çfarë ka ndodhur në PS trajtohet sikur të ketë të bëjë thjesht e vetëm me anomalinë e personit Rama që ka ardhur në këtë parti si një fatkeqësi; se, sikur PS-ja të pranojë të zhvillojë zgjedhje të kryetarit, gjithçka do të mbyllet me kaq, ndërkohë që, sipas meje, ky dokument meriton një analizë shumë më të thellë të asaj se pse PS-ja është në këtë gjendje si një fillim ky për ndryshime themelore në këtë parti e më gjerë.

Në fakt, do të kishte qenë gjëja më e lehtë sikur problemi i PS-së të kishte vetëm emrin Rama. Problemi i vërtetë është se Rama nuk është një përjashtim, por rregulli që mbretëron jo vetëm në PS, por edhe në të gjitha partitë e tjera dhe po ashtu në çdo organizëm të ngritur nga shqiptarët në këta 25 vjet; se Rama nuk do të ishte ai që është, sikur ne të mos jemi ata që jemi. Vështroni televizionet, që duhet të ishin një nga instrumentet më të rëndësishme të demokratizimit të vendit.

Në vend se pronarët të jenë (sipas ligjit) tre (në rastin e televizioneve kombëtare), ata janë de facto një dhe bëhen tre me shokët ose me gratë e familjarët e pronarit. Jo vetëm, por në vend se këta pronarë të jenë thjesht aksionerë që marrin fitimet sipas audiencës – kurse politikat editoriale të përcaktohen nga borde gazetarësh e pastaj nga redaktorë e kryeredaktorë – pronarët janë njëshi që diktojnë edhe politikat editoriale, sipas interesave të bizneseve të tyre, paçka se frekuencat janë publike dhe reklamat po ashtu nuk jepen që të pasurohen ata, por që publiku të ketë tribuna prej ku të ushtrojë lirinë e shprehjes. Nuk po flas për gjendjen e shumicës së gazetarëve nën këta pronarë, që janë më keq se gjendja e anëtarëve të PS-së nën Ramën.

Nuk po zgjatem me shembuj të tjerë nga fusha e biznesit apo e shoqërisë civile për të thënë se kudo ku kemi grupime shqiptarësh do të gjejmë sundimin e patrazuar nga parimet e demokracisë dhe nga ligji të një personi dhe rrethit të tij të ngushtë e se, prandaj, Rama nuk është i vetëm në këtë model, por është thjesht shfaqja më pa maska e modelit.

Prandaj them se dokumenti i Blushit duhet të na shtyjë të thellohemi në pyetjen se nga na vjen ky model dhe pastaj se çfarë duhet bërë për ta ndryshuar.

E KALUARA AUTORITARE, SADOMAZOKISTE

Shkaqet, sipas meje, duhet t’i kërkojmë sa në trashëgiminë e së kaluarës, aq edhe në zhvillimet postkomuniste. Nuk ka dyshim se partia e identifikuar me njëshin që s’pranon të vihet në diskutim i ka rrënjët në kulturën e një shoqërie thellësisht autoritare që ndryshe e kam quajtur edhe sadomazokiste, ku më të pushtetshmit shtypin më të dobëtit shkallë-shkallë dhe i nënshtrohen dhe servilosen më të fortëve po shkallë-shkallë.

Në këtë aspekt, edhe Rama nuk është tjetër veçse një nga hallkat e këtij sadomazokizmi. Po të kesh parasysh servilizmin, nënshtrimin dhe hipokrizinë që ka treguar dje ndaj atyre që ka pasur më sipër dhe sot ndaj atyre që ka mbi kokë (të huajt veçanërisht), do të kuptosh se arroganca që tregon mbi ata që ka poshtë nuk është gjë tjetër veçse gjysma tjetër e njeriut të rëndomtë autoritar, sadomazokist shqiptar; një njeri që thellë-thellë nuk ka respekt për veten e që pikërisht për këtë, nuk ka respekt as për të tjerët.

Dhe kjo sepse respekti nuk bën pjesë në kulturën e njeriut autoritar, sadomazokist, sepse psikologjia e raporteve të njeriut me njeriun në këtë kulturë nuk mbështetet në respektin për tjetrin, që nënkupton barazinë në dinjitet, por në kënaqësinë që të jep ushtrimi i pushtetit mbi ata që ke poshtë dhe poshtërimin që të ngjall nënshtrimi ndaj atyre që ke lart – çka disa i çon në iluzionin se, duke u ngritur në majë, do t’i shpëtojnë këtij të dytit.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ata që sot i nënshtrohen Ramës dhe nuk guxojnë t’i thonë se duhet të vihet në diskutim. Edhe ata nuk e bëjnë nga respekti, sepse për këtë duhet të kishin respekt për veten, por nga servilizmi dhe nënshtrimi që duhet të shfaqin për të qenë të pranuar në këtë lloj shoqërie. Pra, të fajësosh vetëm arrogancën e Ramës për këtë situatë, e të lësh pa prekur këta të dytët, do të thotë të mos kuptosh asgjë dhe të mos zgjidhësh asgjë.

DHUNA STRUKTURORE E SISTEMIT

Megjithatë, nuk ka dyshim se në Partinë Socialiste ka edhe të tjerë, përveç Blushit, që nuk e durojnë këtë situatë poshtëruese dhe fyese, pasi, sado që dominante, kultura autoritare sadomazokiste ka marrë shumë goditje gjatë këtyre 25 vjetëve. Sikur të ishte vetëm për atë në PS do ta kishin ngritur zërin kundër Ramës me kohë edhe të tjerë. Po kjo është vetëm gjysma e shpjegimit të gjendjes që ka denoncuar Blushi.

Gjysma tjetër duhet kërkuar në dhunën strukturore që ushtron mbi njerëzit sistemi politiko – ekonomik që kemi krijuar në zhvillimet paskomuniste. Disa, duke komentuar dokumentin e Blushit, i janë referuar këto ditë kohëve të arta të Fatos Nanos, kur kishte edhe zgjedhje, edhe ndryshime kryeministrash e kryetarësh partie.

Personalisht nuk mendoj kështu, jo vetëm sepse edhe Fatos Nano nuk ndryshonte në thelb nga modeli në fjalë (aq sa kur doli nga burgu, gjeti një karrige bosh që ia fërkonin e adhuronin pa guxuar as të uleshin në të), por sepse ishte Nano ai që i dha nismën fenomenit të ndërtimit të një pushteti jashtë strukturave të partisë, që sot shprehet në mënyrën më eksplicite me Edi Ramën e që është në bazën e dhunës strukturore që demonstron sot ky individ në parti dhe më gjerë.

Ç’dua të them me këtë? Nëse do të ndjekim historinë e PS-së së fillimviteve ’90, do të shohim se ajo qe një parti e dobët, më saktë një parti me ushtarë të mbetur pa gjeneralë. Ishte vetëm në sajë të marrëzive autoritariste të Sali Berishës që ajo u mbajt gjallë dhe u rifut në luftë për pushtet.

Në këtë kohë, figura të tilla si Rexhep Meidani, Kastriot Islami, Pandeli Majko, Ilir Meta, krahas disa më të vjetërve si Namik Dokle apo Servet Pullumbi, me mbështetjen shpirtërore të një figure që zuri vendin e babait shpirtëror të kësaj partie, Dritëro Agollit, kanë luajtur një rol të rëndësishëm për ta pajtuar këtë parti me pjesën tjetër të popullit e për të krijuar imazhin e një partie më të hapur e më demokratike se ajo e Sali Berishës.

Por, kush e kujton qeverinë që doli pas katastrofës së vitit 97, duhet të mbajë mend se ajo u quajt Aleanca për Shtetin sepse në atë qeveri kishte shumë eksponentë të Aleancës Demokratike si Ceka, Imami, Teta, apo socialdemokratët si Gjinushi e Milo, e të tjerë që kishin dalë si politikanë nga lëvizja demokratike që krijoi PD-në, e që, në vitin 97, u mblodhën në Forumin për Demokraci që u krijua si lëvizje opozitare kundër Berishës, pikërisht pse PS-ja në vetvete nuk kishte ndonjë kredibilitet në popull.

Kjo aleancë për shtetin ishte një zgjedhje e zgjuar e Fatos Nanos. Por ishte edhe një zgjedhje e imponuar nga dobësia e PS-së, që sipas meje, mbeti edhe më pas e tillë, madje iu thellua dobësia. Pse iu thellua? Le të mos harrojmë se, krahas përfshirjes në vendimmarrje të shumë figurave jashtë PS-së, si kompensim i pasjes së një partie me pak personalitete (edhe Edi Rama në këtë kontekst u thirr nga Nano), nën udhëheqjen e Nanos filloi edhe një fenomen tjetër.

Ato vite përkojnë me kohën kur filluan të dalin në skenë njëri pas tjetrit ata që sot i quajmë oligarkë, disa me origjina shumë të dyshimta të parave të tyre, që nga spekulimet deri te trafiqet e drogës dhe prostitucionit. Me këta njerëz Nano i “Aleancës për shtetin” krijoi një aleancë për antishtetin dhe anti PS-në. Kapja e medieve nga këta oligarkë që nuk i jepnin llogari partisë, por gjithnjë e më shumë e sponsorizonin atë, e bëri edhe më të fortë lidhjen e tyre me lidershipin duke krijuar pushtetin e vërtetë.

Vijmë kështu në kohën kur politikanët e partive fillojnë të punojnë si menaxherë të interesave të këtyre oligarkëve. Edi Rama nuk është tjetër, veçse një pjellë e kësaj kohe. Shprehja që tha Ilir Meta kur ky mori partinë: “një pallat, një votë” -në thelbin e vet sintetizon pikërisht faktin se partia, gjithmonë e dobët, në vend se të forcohej, ishte kthyer tashmë në fasadën e strukturave të vërteta të pushtetit e në vend se të përfaqësonte interesat e pjesës më të brishtë të shoqërisë, si parti e majtë, përfaqësonte interesat e këtyre oligarkëve.

Pushtimi më në fund i partisë me Ramën nga këta nuk ishte veçse akti i fundit i një drame të nisur me Nanon. Prandaj Blushi, i cili, për fat të keq e ka pranuar për një kohë shumë të gjatë këtë rol fasade (atëherë kur ishte shumë më lehtë të luftohej), në fakt është shumë më i vonuar edhe se Meta në këtë konstatim, dhe po ashtu Meta na shërben si provë se nuk mjafton vetëm denoncimi për të ndryshuar atë që denoncojmë.

Ç’DUHET BËRË?

Gjithsesi, me PS apo pa PS nga kjo gjendje e mjerueshme duhet dalë. E për këtë sa s’është vonë – në fakt është shumë vonë – duhet hapur një luftë në dy fronte: Së pari: lufta kundër njeriut autoritar sadomasokist si pjellë e një tradite të ngritur në kulm në kohën e diktaturës.

Lindja (jo rilindja) e një shqiptari të ri do të duhej të fillonte që këtu. Ky front është i vështirë sepse, për të lindur të rinj ndryshe, do të duhet të kishim prindër ndryshe dhe në rreth vicioz mungesa e këtyre prindërve ripërsërit të njëjtët fëmijë. Dalja nga rrethi vicioz, megjithatë, mund të përshpejtohet me ndërgjegjë- simin se rritja e fëmijëve të destinuar për të qenë thjesht objekte dhe jo subjekte që kanë dinjitetin dhe lirinë e tyre, në një botë të hapur bie në kundërshtim edhe me aspiratat e prindërve më injorantë e më autoritarë.

Dalja mund të përshpejtohet edhe me kontaktet me botën demokratike dhe me njerëzit me kulturën e kësaj bote; me shfrytëzimin më të mirë të lirive që garantojnë ligjet e shtetit tonë që janë hartuar sipas kësaj fryme; dhe mbi të gjitha, me shembullin e atyre që në jetën dhe veprën e tyre vënë lirinë, dinjitetin, ndershmërinë dhe koherencën, në vendet e para të vlerave njerëzore.

Së dyti: lufta kundër dhunës strukturore që ushtron pushteti gjithnjë e më oligarkik dhe më i korruptuar, që ka tjetërsuar edhe rolin e vërtetë të partive. Dokumenti i Blushit dhe aktiviteti i tij brenda PS-së është një kontribut i çmuar në këtë luftë. Por ai është edhe një kambanë alarmi, sepse na vë në dukje se, paradoksalisht, megjithëse pretendohet për hapa të mëdhenj përpara të Shqipërisë, numri i njerëzve me liri mendimi në parti e më gjerë po pakësohet përditë.

Prandaj mbështetja e Blushit nga brenda partisë për respektimin e të gjitha pikave të statutit të shkelura, – jo thjesht ajo e zgjedhjes së kryetarit, – do të ishte një kontribut, jo thjesht për kthimin e dinjitetit të njerëzve të Partisë Socialiste të nëpërkëmbur nga dhuna strukturore që ajo po ushtron edhe ndaj anëtarëve të saj, por edhe për të gjithë shoqërinë.

* Opinion i shkruar për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi pa lejen e gazetës. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura