Për një parlamentarizëm antimafie, antikorrupsion

Sep 21, 2021 | 9:05
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO

PËLLUMB NAKOParlamenti filloi punimet nën një normalitet absolut. Sigurisht, u krijuan edhe komisionet përkatëse, të njëjtë si të viteve e dekadave më parë. Opozita zuri vendet e saj dhe ndër të tjera kryeson Komisionin e Integrimit. Ky i fundit të jep përshtypjen e një sheqerke për t’i treguar botës ndarjen e pushtetit edhe me opozitën. Ndërkohë, të gjitha palët brenda dhe jashtë vendit e dinë mirë sesa hipokrit është pikërisht kryesimi i Komisionit të Integrimit nga opozita, nisur nga fakti i thjeshtë që ajo nuk ka asnjë akses në problematikën reale të vendit.

Në një shtet me standarde të larta demokratike, në një ndarje të vërtetë rolesh pozitë-opozitë, komisionet që ndjekin dhe parandalojnë fenomenet, të cilat dëmtojnë realisht qeverisjen dhe vlerat sociale të vendit, duhen kryesuar nga opozita. Pas kostituimit të Parlamentit, më se natyrshëm të lind pyetja nëse komisionet e tij përbërëse janë të dhënë njëherë e përgjithmonë, apo ndryshojnë për të ndjekur dinamikën e problemeve që shqetësojnë në masë shoqërinë e vendit tonë? Opozita, institucionet ndërkombëtare, mediat e shumë aktorë të tjerë kombëtarë e ndërkombëtare flasin për një rritje të korrupsionit në vendin tonë këtë dekadë. Madje, për këtë gjë kanë filluar të flasin edhe nëpër guidat turistike.

E njëjta gjë edhe për forcimin e krimit të organizuar dhe sidomos të pastrimit të parave. Opozita ka vite e vite që denoncon problemet e mësipërme. Por në kuadrin e një parlamentarizmi normal, brenda të cilit ka menduar të ndërtojë luftën e saj për të ardhur në pushtet, duket se nuk e ka parë të arsyeshme që të ushtrojë presion karshi pozitës, duke luftuar që në momentet e para të kostituimit të Parlamentit, për të krijuar komisione parlamentare, të cilat të kenë në fokus pikërisht plagët më të rënda sociale të vendit: korrupsionin dhe krimin e organizuar, pastrimin e parave, mundësisht të drejtuara prej saj.

Komisioni i sigurisë, hera-herës me tipare folklorike, nuk ka mundësinë që të trajtojë problemet e mësipërme në mënyrë të plotë në të gjithë komponentët e tyre përbërës. Le të kujtojmë këtu Komisionin Antimafia dhe atë Antikorrupsion në Italinë e madhe fqinje. Beteja mund të mbetej pa rezultat, sepse pozita i ka të gjitha votat për t’i bllokuar nismat opozitës, por kjo e fundit do të jepte një sinjal të fuqishëm për ta kthyer parlamentarizmin në një institucion në krye të punëve të rëndësishme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përse duhen komisione të tilla parlamentare?- mund të jetë një pyetje tjetër. Si krimin e organizuar, si pastrimin e parave, si korrupsionin, është qeveria dhe institucionet e shtetit ato që i luftojnë.

Patjetër, por nuk mjafton. Këto fenomene kanë një shtrirje të gjerë dhe të thellë në mentalitetin e çdo individi në vendin tonë dhe si të tilla kanë edhe masivitet, ndaj dhe drejtësia e reformuar ose jo, nuk i ka mundësitë të shkulë rrënjët e tyre sociale. Korrupsioni dhe disa fenomene të tjera të lidhura me krimin e organizuar, siç është pastrimi i parave, kultivimi i kanabisit, karakterizohen nga një konsensus mjaft i gjerë në gjithë shtresat sociale të vendit duke u konceptuar gjerësisht prej tyre si mjete për të zgjidhur problemet ekonomike dhe jo si deviacione sociale ligjërisht të dënueshme.

Korrupsioni në formën e mitmarrjes nuk është shkak i gërryerjes së shoqërisë shqiptare, por produkt i kulturës së saj në raport me shtetin dhe shërbimet e ofruara prej tij. Pra, qytetari i thjeshtë, nëpërmjet aktit korruptiv, blen një shërbim ngaqë nuk ka besim tek administrata, e cila duhet ta ofrojë falas. Pra, Kodi ynë Penal dënon korrupsionin kur në mes futet paraja, po ashtu edhe në rastin e ndikimit e paligjshëm, por nuk i afrohet ose i afrohet shumë pak gjithë formave të tjera të teknologjisë së korrupsionit. Teknologjia e korrupsionit ka marrë forma dhe zhvillime të tilla saqë mënyrat e shfaqjes së tij që ndiqen penalisht mbeten periferike në raport me dëmet sociale që shkaktojnë, krahasuar me format kurruptive penalisht jo të dënueshme që janë kthyer në pjesë të civilizimit shqiptar, dhe i të gjithë klasave sociale të vendit tonë, përfshi sidomos ato drejtuese.

Këto forma as dënohen penalisht, dhe as luftohen moralisht. Përkundrazi, ngrihen në qiell. Klientelizimi, madje dhe ligjet klienteliste, shkëmbimet e favoreve, trafiku i influencës, tarafet, madje dhe tribalizimi, të përdorura nga shtresat me pushtet të shoqërisë, bëjnë kërdinë, por askush nuk ndihet fajtor as moralisht e as ligjërisht. Kurse blerja e kundërshtarit publik nëpërmjet favoreve të paguara nga paratë publike, mbetet tipar ekskluziv i kryebashkiakut të Tiranës. Në këtë atmosferë, etika qeverisëse, për të cilën u shqetësua Kryeministri, mbetet si një fllad pranveror.

Ish-ministrja e Brendshme u dënua për ca lekë që mori për të ushtruar ndikim të paligjshëm në punësimin e një personi, kurse klientelizimi tribal i ministrit aktual të Drejtësisë, që nuk dënohet penalisht edhe sepse pa mitmarje nëpërmjet ndikimit të tij dhe forcës imponuese të postit politik, ka futur në administratë me pozicione drejtuese rreth 13 anëtarë të familjes së tij (sipas medias një vit më parë). Sa mund të jenë raste të tilla? Dhe të mendojmë traditën shqiptare të familjeve të mëdha. Dëmi i tyre social bëhet mjaft i lartë. Administrata mbetet ndërmjet tribalizmit dhe militantizmit.

Ndaj, edhe një komision parlamentar që do të ndiqte problematikat e mësipërme do të bënte opozitën më aktive. Në këtë mënyrë, ajo do të ndihmonte në krijimin e një atmosfere sociale të përshtatshme për goditjen e teknologjisë korruptive të pandëshkueshme ligjërisht, shtrat i korrupsionit të niveleve vendimmarrëse, do të ndihmonte në një kontroll më të fokusuar për të bërë sa më transparente eficiencën e organeve kompetente të fushës. Po ashtu, do të ndihmonte në një qeverisje më të mirë për të zvogëluar korrupsionin e niveleve popullore të detyruara për të blerë shërbimet e shtetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura