Për një mbyllje me nder të qeverisë politike PS-LSI

Jul 29, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

prec zogajPREÇ ZOGAJ

Në xhiron finale apo në “orën e së vërtetës”, fati i Reformës në Drejtësi u përcaktua ndjeshëm nga zhvillimet e pritshme postreformë në kushtet e çarjes së koalicionit qeveritar PS-LSI. Anasjelltas, vetë këto zhvillime kishin dhe kanë një lidhje burimore me përplasjet e nëndheshme e të mbidheshme për reformën  që kanë filluar herët, por erdhën duke u agravuar javët e fundit.

Këtë histori, që me sa duket do të na shoqërojë deri sa të miratohet ligji i fundit i paketës së reformës, e shohim të kondensuar më mirë se askund tjetër në përpjekjen e paharrueshme të Edi Ramës dhe grupit të tij për të shprishur gjatë natës së njëzet korrikut, duke u gdhirë njëzet e njëshi, me një “zbulim” të bujshëm që rezultoi sebep dhe furtunë në gotë, konsensusin e shpallur një ditë më parë nga kreu i opozitës, Lulzim Basha.

Nuk është e krejt e vërtetë ajo që është thënë se Rama e shpiku sebepin vetëm për të ndalur valën e falënderimeve që po merrte rivali i tij nga SHBA dhe Europa në finalen e maratonës. E ka vuajtur patjetër përgënjeshtrimin e falleve dhe profecive të veta të vazhdueshme, sikur opozita nuk e donte reformën. Kjo është njerëzore. Nuk është ndier mirë që po dilte në dritë të keqe para mbështetësve të tij, të cilëve u kishte bërë lavazh truri gjatë gjithë vitit.

Edhe kjo është njerëzore. Por këto janë të përtypshme, pjesë e befasive dhe sfidave të jetës. Nuk janë arsye për t’u futur shqelmin gjerave të mëdha, duke ia bërë si ai shqiptari i paarrirë i fabulës së njohur që tha nuk dua asgjë, veç merrini lopën fqinjit tim. E vërteta është se Rama me të tijtë u motivuan në intrigën e tyre të natës së 20 korrikut, kryesisht nga skenarët e postreformës që ishin konturuar dhe kishin lëshuar hijen e tyre në skakierën e politikës përpara datës 21 korrik.

Përgjatë shumë muajve, ata kishin preferuar e shërbyer sa kishin mundur, si flamurtundës të reformës, dështimin e saj për faj të opozitës dhe ku ta gjesh edhe për faj të partnerëve të bezdisshëm të LSI-së për të ndërtuar mbi ketë realitet një fabul elektorale fiktive, por efektive, ku palët nuk do të ishin ata që jemi mësuar të shohim përherë, socialistët në një anë dhe demokratët në anën tjetër, por “euroamerikanistët për drejtësi” përballë “sovranistëve dhe hajdutëve që kanë lepurin në bark”.

Vendosmëria e ndërkombëtarëve për të votuar reformën e sfumoi përgjatë kohës (por nuk e arkivoi) këtë preferencë të grupit kryeministror. Në skenë dolën qasje të tjera. Pa hequr dorë për asnjë çast nga përdorimi politik i reformës, me synimin për të vrarë me gurin e saj një dyzinë me zogj, këta u fokusuan te votimi i reformës me shumica diversioniste të krijuara nga thirrja tek e tek e deputetëve, nga puna kokë me kokë me ta, pra me forma përjashtuese për grupe dhe individë të veçantë, që retorika e Kryeministrit i kishte paracaktuar si viktima ad hominem të reformës. Në këtë mënyrë, Rama forcohej politikisht.

Kurse aktorët dhe forcat e tjera, në radhë të parë PD, dobësoheshin, shqyheshin. Një shumicë e tillë e fabrikuar ishte ajo prej nëntëdhjetë e katër votash a më shumë, që zoti Rama pretendoi se kishte krijuar paraditen e datës 21 korrik në refuzim të konsensusit që kishte shpallur e ofruar shefi i opozitës së vendit. Kjo ishte shumica PS-LSI, plus disa deputetë të PD-së dhe opozitës, individë të lirë apo rrenegatë.

Afera, siç dihet, nuk u konsumua, askush nuk mund të thotë sot me saktësi kush ishin dhe sa ishin deputetët e opozitës që do të votonim pa partitë e tyre përkrah qeverisë. Nuk ka më asnjë vlerë për t’u marrë me këtë fantazmagori.

Pyetja që mbeti dhe mbetet si vaji sipër ujit nga ai zhvillim është kjo: si është e mundur që Rama rrezikoi votimin e reformës me shumicën e tij “sekrete”, kur më të sigurt se sa votën e deputetëve rrenegatë kishte votën e gjithë grupeve parlamentare të opozitës që kishin shprehur e shërbyer në vijimësi konsensusin, atë që u pranua pastaj mbrëmjen e 21 korrikut? Rrezikoi për të njëjtat arsye që kishin shoqëruar qasjen e tij të mëparshme: Po u votua, mirë! Do do t’i bie gjoksit dhe do të shijoj përçarjen e opozitës.

Po nuk u votua, akoma më mirë. Do t’i bie opozitës dhe do të shpall zgjedhjet. Këto ishin të vjetra. Por kishte edhe një arsye të re që e shtyu në aventurën e refuzimit të konsensusit me opozitën. Postreforma: duke i votuar ndryshimet kushtetuese pa opozitën zyrtare, ai do të kishte mundësi të krijonte paskëtaj pa LSI-në një shumicë të thjeshtë qeverisëse me deputetët e opozitës, që ndërkohë do të ishin ndarë nga partitë e tyre për “kauzën përbashkuese të reformës euroamerikane”.

Këtë e lexoi drejt Ilir Meta që mbajti ato qëndrime që dihen, duke diktuar mbajtjen në këmbë të konsensusit. E lexoi drejt edhe Basha që jo vetëm nuk u provokua, por vijoi negocimin e rregullt me ndërkombëtarët edhe për sebepet, duke marrë gratis, pasi intriga kishte dështuar, më shumë sesa kishte kërkuar e kërkonte. Ne funksion të reformës dhe postreformës, opozitës i ka interesuar dhe i intereson konsensusi.

Asaj i ka rënë barra të pajtojë vullnetin parimor për të votuar ligjet me punën dhe përpjekjet shpeshherë kundër rrymës për t’i i sjellë ato në parametrat e standardeve dhe kushtetutës. Duke vuajtur shkopinjtë e sehirxhinjve apo intrigantëve në breg. Por tani opozita ka një fitore të madhe në palmare, ajo do të vazhdojë në këtë rrugë derisa të miratohen shtatë ligjet dhe gjithçka tjetër që kompleton ngrehinë e reformës.

LSI-së gjithashtu i është dashur dhe i duhet konsensusin. Sa për interesat e reformës, aq edhe për interesat dhe identitetin e saj si forcë politike e qendrës së majtë. Ilir Meta e pagëzoi kësaj radhe me plot kuptimin e fjalës partinë e tij si parti të konsensusit për çështjet ndërpartiake, kombëtare. Shumë njerëz pyesin: pse ka mbajtur e mban këto qëndrime LSI?

Përveç sa thamë më lart, unë mendoj se Ilir Meta e ka analizuar drejt, qysh prej fillimit, lojën e pasinqertë të partnerit të tij në koalicion. Ai e ka kapur tri-katër herë Kryeministrin, duke vënë dorën në brez, siç thotë populli. Fraktura e tyre e fundit është e madhe, e pangjitshme, përveçse me çmimin e një dikretitimi të panjohur deri me sot.

LSI, sikurse partitë e opozitës në krahun tjetër, janë ftuar të votojnë në mënyrë pavarur ligjet e tjera të reformës dhe duhet ta bëjnë këtë. Kjo është rruga për të nxjerrë zbuluar e çaktivizuar qasjet hileqare, cicmicet dhe kurthet e politikës së vogël. Por koalicioni politik PS-LSI ka rënë, qeveria nuk mund të vazhdojë më përtej këtij sesioni dhe sezoni politik, nuk ka arsye. Sa më shpejt të bjerë dhe t’i hapë rrugën një zgjidhjeje të re politike pas miratimit të plotë të Reformës në Drejtësi, aq më mirë është për vendin.

Mretbërësi, siç quhet Ilir Meta, kur mundëson krijimin e qeverive, është mbretzhbërës gjithashtu. Sidomos i një qeverie si kjo e zotit Rama që ka lindur nga një koalicion i votuar dhe ekziston që nga viti 2013 e këndej si produkt i dy partive. Largimi i njërës parti e rrëzon automatikisht qeverinë. Nuk ka vend për rezistencë, për ububu, për ecejake sekserësh, për blerje deputetësh, për manovra dhe kulisa që mëtojnë të zëvendësojnë zgjedhjen e popullit me fabrikime për interesa të ndyra.

Sapo Ilir Meta të njoftojë vendimin e tij të divorcit, Kryeministri Rama, që është kryetari i PSsë, duhet të marrë përgjegjësitë e tij për të ndihmuar e vendosur së bashku me shefin e opozitës, kryetarin e LSI-së dhe kryetarët e partive të tjera parlamentare zgjidhjen e re politike dhe zgjedhjet e reja parlamentare. Çdo përpjekje tjetër për të mbajtur në këmbë trumcakësh një qeveri politike të pavotuar nga qytetarët është një shmangie nga ligjësitë dhe ka kosto të lartë për vendin.

Besoj është edhe e pamundur në kushtet e sotme. Rama ka dalë më i dobët nga loja politike që bëri me Reformën në Drejtësi, ndërkohë që Basha dhe opozita po marrin frytet e një përkushtimi koherent. Siç erdhën punët, PD nuk kërcënohet nga rrjedhja e deputetëve.

Ka rënë argumenti për të ikur nga PD drejt Ramës. Edhe me një argument shumë të fortë siç ishte reforma, unë besoj se s’do të ishin më shumë se dy a tre ata që do të iknin. Pa argument, as që bëhet fjalë. Problemin e kohezionit tani e ka shumica, jo opozita. Sado e madhe të jetë fuqia joshëse për t’u bërë pjesë e një qeverie të pavotuar, kjo fuqi qëndron me poshtë se fuqia e tendencës së ndryshimit dhe e skrupujve. Por Rama nuk duhet ta tentojë. Kjo është çështja.

Një mbyllje e shpejtë dhe me nder e qeverisë politike Rama-Meta do të ishte mundësia e tij e fundit për të dëshmuar se solli diçka të re në politikën e këtij vendi. Ndonjë lexues mund të jetë duke replikuar me mua në këtë çast: ku ishe ti kur këto gjëra ndodhnin me zotin Berisha? I përgjigjem se kam qenë këtu dhe kam thënë të njëjtat gjera, pavarësisht se rastet kanë dallime, duke qenë se Berisha kishte shtatëdhjetë deputetë dhe qeveria e tij ishte në fund të legjislaturës.

Të njëjtat gjera që po them unë sot, ka thënë edhe Rama atëherë për Berishën. Pas pak ditësh apo javësh do të jetë para provës për të bërë për vete atë që ka thënë për tjetrin.

* Opinion i shkruar për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi pa lejen e gazetës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura