Për librin “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë” të Flutura Açkës/ Dramat shqiptare, përmes personazheve që zbulohen në atdheun e Dantes

Nov 3, 2017 | 15:44
SHPËRNDAJE

Të premten në mbrëmje, te hotel “Tirana”, Flutura Açka promovoi librin e saj më të ri. Për nga pjesëmarrja, dukej se qe një ngjarje shumë më e madhe se kaq. Miq të saj, që nuk kanë mundësinë ta takojnë shpesh, ishin të gjithë aty.

Flutura-AckaBashkëbotuesi i “Skandërbeg Books” në Holandë, Richard van den Brink, që prej vitesh është dhe bashkëshorti i saj, moderoi këtë mbrëmje leximi publik, duke i dhuruar simbolikisht librin e parë shkrimtarit Arbër Ahmetaj, për vetë lidhjen, që ashtu si edhe ky roman, ai ka me emigracionin. Ahmetaj, si lexuesi i parë i “Të ftuar në rrethin e dhjetë”, ka pasur rastin t’i bëjë një analizë të gjatë librit, të cilin e ka quajtur roman humanist.

ARBËR AHMETAJ

“Të ftuar në rrethin e dhjetë” është roman i një ndjeshmërie të lartë qytetare. Me këtë roman, Flutura Açka bën një prerje të thellë anatomike mbi shoqërinë e sotme shqiptare duke zbritur deri thellë në ditët e para të ngjizjes së shtetit shqiptar. Dinamika, subjekti, personazhet, teknikat e rrëfimit e të shkrimit, janë thjesht marramendëse. Ky shënim duket si në konflikt interesi, pasi Flutura Açka është botuesja e prozës sime në shqip, por më duhet, po ashtu, të theksoj se ajo dhe unë jemi në një konkurrencë të pamëshirshme si autorë. Pasi mbarova së lexuari në dorëshkrim këtë roman, u gëzova, jo thjesht për atë si autore, por për letërsinë dhe shkrimin shqip, pasi pa pikë dyshimi, ky roman do të përbëjë një pikë shënjuese në letrat tona.

Flutura, edhe me romanet tjera si “Ku je?”, “Kukullat nuk kanë atdhe” etj, ka vënë stekën e saj letrare në lartë- si sfiduese, por me këtë roman, ajo avancon edhe më shumë. Romani ka në qendër tri personazhe, miq fëmijërie e që vendosin të takohen pas shumë vitesh për të festuar një përvjetor. I strukturuar në dhjetë kapituj, të thirrur “rrathë”, si reminishencë e rrathëve të “Ferrit” të Dantes, lexuesi njihet me jetën e tyre, me të shkuarën dhe tashmen e vendit, nga vijnë dhe atdheut, të cilin kanë zgjedhur për të jetuar. Përmes tyre edhe dhjetëra personazhe të tjerë, hyjnë në shtjellë duke sjellë mikrodramëzat, historitë e tyre të vogla e të mëdha. Romani përshkruan njeriun e sotëm shqiptar, por edhe atë europian, me të gjithë kompleksitetin e tij, dyzimet, luhatjet, arritjet, brengat, dhimbjet, tonet e shpirtit, shpërthimet e ndjenjave e të mendimeve. Dhurata për lexuesin është e magjishme. Pakkush mbetet pa e gjetur vetveten në këtë roman. Që nga ata që na drejtuan e na drejtojnë, ata që u shuan përfundimisht përmes vrasjeve e burgimeve të pashpirta, ata që mbijetuan duke u përballur apo gjunjëzuar, ata që ikën duke mbetur me kokë të kthyer pas, ata që na pritën, na i hapën apo mbyllën dyert e shtëpive të tyre në Europë. Drama e personazheve zbulohet ngadalë, në një mbrëmje fiorentinase, në atdheun e Dantes.download (2)

Po ashtu, si dhe bota e tyre e brendshme, psikologjia, shpresat, arritjet dhe dështimet e tyre. Lexuesit i bëhet edhe një dhuratë tjetër: romani përshkohet nga një pasuri e jashtëzakonshme informacioni mbi historinë, arkitekturën, artin dhe muzikën. Flutura Açka merr përdore lexuesin përmes bukurive të qyteteve europiane, na shoqëron në artin dhe letërsinë e sotme e të djeshme, duke dëshmuar njohje të thella të tyre për veten e vet, dhe një bujari të rrallë për lexuesit e saj. Personazhet, pavarësisht anëve të errëta e komplekse të jetës së tyre, “udhëhiqen” përmes rrathëve të ferrit nga dashuria si Virgjili i antikitetit që shoqëron Danten.

(Në roman janë përfshirë dhjetëra tercina të veprës së famshme, të përkthyera në shqip nga Pashko Gjeçi, si eko të gjendjeve të ngjashme). Dashuria, kjo ndjenjë sublime, e përndritshme e përtëritëse, jo rrallë edhe i djeg me shkëlqimin e saj tundues. Autorja ka alternuar me mjeshtëri emocione të thella e të bukura, me përshkrime e qasje analitike përmes dialogësh inteligjentë, duke sjellë peshën e rëndë që bartin personazhet e saj. Romani u ka shpëtuar gjithsesi toneve publicistike, pasi autorja nuk mban anë, ajo u jep hapë- sirën e domosdoshme gjykimeve të personazheve të veta, u jep atyre lirinë e plotë të gjykimit, liri, në kërkim të së cilës ata kanë sakrifikuar aq shumë.

Gjykimi i fundit u takon lexuesve! Libri kënaq edhe etjen e gjahtarëve të shprehjeve të bukura, të citateve të mençura, pasi personazhet e romanit janë njerëz me përvoja e kultura të çmueshme, gjë që u jep atyre një shkëlqim humanist! “Të ftuar në rrethin e dhjetë” është po aq i mirë, sa edhe romani “Dernier des Notres” i Adelaide de Clairmont-Tonnerre, që ka fituar “Grand prix du roman de l’Academi Francaise 2016”.

Ua kam rekomanduar miqve të mi frankofonë këtë roman, dhe nuk kanë mbetur të zhgënjyer: i nxis miqtë e mi, të pasionuar pas letërsisë shqipe, ta lexojnë romanin e Flutura Açkës “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”, pasi jam i bindur që do të mbeten shumë të kënaqur. Ky roman arrin të bëjë dy gjëra njëherësh, të rrëfejë në mënyrë të mrekullueshme një histori, dhe të ngjallë emocione estetike, emocione që vijnë nga shkrimi i bukur, nga vetë fjala.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura