Për kolegët e mi demokratë që u “skualifikuan” nga lista për deputetë

Sep 29, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

ALEKSANDËR BIBERAJ

Aleksander-Biberaj

Nga janari i vitit 2019 deri në gusht të 2020-ës Partia Demokratike, që nga 25 qershori i këtij viti, ka hyrë në një proces propozimesh dhe përzgjedhjesh për kandidatët për deputetë dhe kryetarë bashkish, ngjarje kjo që përbën një risi jo vetëm për PD-në, por edhe për politikën shqiptare.

Natyrisht, si çdo risi, edhe kjo ka të mirat e veta të padiskutueshme, por njëkohësisht bart edhe risqe, të cilat duhet t’i shmangim në pragfushatën elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Qëndrimi 8 vjet në pushtet i rilindjes i ka lodhur tej mase qytetarët shqiptarë, aq më tepër popullin opozitar, pasi fatkeqësisht këtu te ne, që nga lindja (materniteti) deri vdekja (drejtoria funerale e bashkisë) është e lidhur me qeverisjen qendrore apo atë vendore.

Mbijetesa apo jetesa e përditshme, punësimet, shërbimet e ndryshme publike, marrja e një dokumenti/vërtetimi zyrtar, bizneset, licencat apo lejet për aktivitete të ndryshme e deri te regjistrimet e fëmijëve në çerdhe, kopshte apo shkolla, janë të lidhura me politikën, pasi këtu asgjë nuk bëhet nëse nuk ke lidhje direkte me pushtetin, njohje personale me pushtetarët/zyrtarët apo nëse nuk paguan. Por, le të kthehemi te fushata brenda PD-së. Unë isha i deleguar për të ndjekur procesin e propozimeve në Qarkun e Durrësit dhe pjesërisht në Tiranë, ku gjykoj se gjithçka ka qenë më se e lirë dhe demokratike. Ka pasur pjesëmarrje, interesim dhe propozime shume dinjitoze. Në Durrës, nga rreth 320 kandidatë, në fund do të përzgjidhen 14 ose 15, pra, i bie që një në 20 propozime të jetë në listën finale për në Parlament, pra, çdo kandidat ka një probabilitet shumë të vogël zgjedhjeje.

Në mbarë vendin, në total janë propozuar rreth 3700 kandidatë dhe të shkosh nga 3700 në një listë me 140 kandidatë, natyrisht që është një proces i vështirë dhe me shumë përgjegjë si për secilin prej nesh, edhe sikur secili prej nesh të ishte vendimmarrës i vetëm për të hartuar listën finale.

Deri tani, Komisioni i Vlerësimit ka kualifikuar 950 kandidatë për fazën e dytë, që është votimi nga anëtarësia sipas modelit të votimit “votë kontestuese/ kundër” ku do të skualifikohen edhe 20% kandidatë të tjerë. Ky proces filloi jo pa surpriza javën e kaluar nga Qarku i Kukësit (Kukës, Has, Tropojë), pasi “vota kontestuese” skualifikoi dy ish-kryetarët e Bashkive të Kukësit dhe Tropojës, respektivisht Bashkim Shehun dhe Besnik Dushën.

Në Kukës, më parë ishte skualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit ish-deputeti Azgan Haklaj, i cili gjykoj se u nxitua në prononcimet e veta publike. Realisht, nuk e di se çfarë ka ndodhur në votimet e javës së kaluar në Qarkun e Kukësit, por dihet që ne shqiptarët e kemi shumë për zemër “votën kundër”. Natyrisht që nuk dëshiroj aspak të gjykoj dhe as të paragjykoj votuesit demokratë të Kukësit, Hasit dhe Tropojës, të cilët edhe i kam përgëzuar dhe përshëndetur publikisht para procesit të votimi si të parët demokratë në Shqipëri që do të aplikonin këtë proces më se demokratik.

Por ajo që më shqetëson mua dhe që u bë shkak edhe për këtë shkrim, është se nga kjo “garë brenda llojit” ne duhet të dalim më të unifikuar dhe më të fortë. Nuk do të ishte në asnjë lloj rrethane e justifikueshme një fushatë negativiste me njëritjetrin apo lobingu negativ, pasi këtë nxit dhe ëndërron ta bëjë Edi Rama me sektin e tij për të na përçarë, përkundrazi duhet të jem shumë pozitivistë dhe bashkëpunues në garën tonë brenda PD-së.

Për çdo demokrat duhet të jetë e qartë se kundërshtari ynë nuk quhet as Bashkim, as Besnik dhe as Azgan, dhe as ata mijëra të tjerë që u skualifikuan gjatë fazës së parë dhe ata qindra të tjerë që do të skualifikohen deri në finale, por tek Edi Rama dhe banda tij, që, pasi ka shkatërruar gjithçka në këtë vend për 8 vjet, po përpiqet të vjedhë edhe një mandat tjetër për ta zhytur vendin në destabilitet dhe një cikël krizash me kosto të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Mesazhin e kam simetrik për të gjithë demokratët, si për ata kolegë që kualifikohen, të cilët gjykoj se nuk duhet të sillen aspak si triumfues, si fitues, por të jenë shumë modestë, me shumë respekt dhe mirënjohje ndaj atyre demokratëve që i kanë nderuar duke i propozuar.

Po ashtu, kolegët demokratë që janë skualifikuar apo nuk do të shkojnë dot deri në finale, në asnjë moment nuk duhet ta ndiejnë veten “humbës”, “të lënë pas dore”, “të anashkaluar”, dhe aq më pak “të përjashtuar”, pasi ata na nderuan të gjithëve duke pranuar propozimin dhe kandidimin e demokratëve dhe i dhanë kuptim dhe nder garës me pjesëmarrjen e tyre dinjitoze deri në fund. 3700 të propozuarit e demokratëve në mbarë Shqipërinë janë shtylla kurrizore e PD-së, një pjesë e madhe me kontribute prej vitesh dhe dekadash në PD, një pjesë tjetër që nga dhjetori 1990 dhe deri më sot. Ata 3700 kandidatë janë trupa më e rëndësishme politike e PD-së, pasi janë produkt i demokracisë direkte në PD, e cila vjen nga anëtarësia.

Unë dëshiroj t’i falënderoj publikisht dhe miqësisht të gjithë ata që pranuan kandidimin nga anëtarësi e PD-së dhe “skualifikimin” nga raundi i parë apo kurdo që të vijë ky “skualifikim”, dhe të vazhdojnë të japin kontributin opozitar deri në rrëzimin e klikës, pasi në pushtetin e nesërm do të ketë vend dhe mundësi për të gjithë, pasi kjo trupë demokrate prej 3700 personalitetesh është një trupë shumë cilësore, nga e cila mund të nxjerrësh disa parlamente dhe qeveri me distancë nga palaço-parlamenti i sotshëm apo karnavale-qeveria e sotshme.

Nuk kemi luksin as si PD dhe as si opozitë që të humbasim asnjë njeri dhe asnjë votë dhe se votimet e 25 prillit 2021 nuk janë më thjesht një çështje “rrotacioni”, jo çështja është për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët nga kjo monstër që quhet rilindje në Shqipëri, e cila me keq se piranjat po gërryen, bjerr dhe shkatërron çdo ditë të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë, po vret shpresën dhe perspektivën se ky vend bëhet.

Nëse deri para disa vitesh edhe mund të dëgjonim shprehjen e optimiste të shpresës se “Shqipëria do të bëhet”, sot dëgjon të kundërtën e saj që “ky vend kurrë nuk bëhet”. Ajo që po ndodh brenda PD-së nga 25 qershori është si “xhiro e formatimit” ose “xhiro e nxehmjes” në sportin e bukur të garave me makina “Formula 1”; gara e vërtetë fillon pas “xhiros së formatimit”; edhe për ne demokratët gara e vërtetë fillon kundër Edi Ramës dhe regjimit të tij antipopullor, antikombëtar dhe antishqiptar, ku duhet të bashkohemi të gjithë shqiptarët pa asnjë lloj dallimi, ku askush nuk duhet ta ndiejë veten “as të tepërt”, “as të përjashtuar”, “as të anashkaluar” dhe “as të humbës”, përkundrazi secili prej nesh me kontributin e tij të thotë “po, isha atje kur përmbysëm monstrën rilindje dhe shpëtuam vendin tonë, shtëpinë tonë”!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura