Për kë është mesazhi i Izet Haxhisë? “Në djall vaftë ekstradimi…”

Feb 8, 2018 | 23:35
SHPËRNDAJE

Ish badigardi i Sali Berishës në kohën që ka qenë President, Izet Haxhia do të ekstradohet në Shqipëri për të kryer këtu dënimin për përfshirjen në vrasjen e Azem Hajdarit.

Pak orë pas publikimit të vendimit nga ai vetë, përmes një statusi në Facebook, Haxhia shkruan “ne djall vafte ekstradimi !Rrofte Dashuria”.

Gjykata e Lartë turke miraton ekstradimin në Shqipëri, Izet Haxhia ka një kërkesë: Të rihapet vrasja e Hajdarit

ETLEVA DELIA/ Gjykata e Lartë e Turqisë i ka hapur rrugë ekstradimit për në Shqipëri të Izet Haxhias, i dënuar në mungesë me 25 vjet burg për vrasjen e Azem Hajdarit. Për më shumë se 7 vjet, Izet Haxhia drejtësia turke e kishte bllokuar kthimin e tij në Shqipëri, ndonëse e mbajti në burg për 4 vite e 4 muaj, kur u arrestua fillimisht në Kushedasi, me qëllim ekstradimi.

Izet Haxhia, foto e marre ne profilin e tij ne Facebook
Izet Haxhia, foto e marre ne profilin e tij ne Facebook

I arrestuar fillimisht më 3 qershor 2006, Izet Haxhia rezulton të ketë bërë në Turqi 4 vjet, 4 muaj e 8 ditë burg në pritje të ekstradimit. Me këtë çështje, Gjykata turke kishte shkelur të gjitha afatet e për ekstradimin e një personi. Gjatë kësaj kohe, shteti shqiptar duhet t’i kishte dërguar Turqisë të gjitha materialet e kërkuara për të arritur kthimin e tij dhe përballjen me drejtësinë, që e kishte dënuar me 25 vite burg në mungesë.

Për këtë arsye, më 11 tetor 2010, Gjykata Supreme e Turqisë dha vendimin për ta lënë të lirë. Që nga ai moment, Izet Haxhia ka qëndruar atje, në gjendje të lirë, derisa pasditen e djeshme nëpërmjet avokatit ka mësuar për vendimin e marrë nga Gjykata e Lartë.

Izet Haxhia, njëri ndër të dënuarit për vrasjen e Azem Hajdarit jetonte në ishullin luksoz Kushedasi, duke përdorur një emër tjetër. Arrestimi i tij, në qershor të vitit 2006, u konsiderua si një sukses i nismës “Me duar të pastra”, që ndërmori qeveria e asaj kohe.

IZET HAXHIA

Izet Haxhia ka lindur më 9 korrik të vitit 1966 në Tropoje dhe më pas ka qenë banor i Tiranës. Ai është dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe si masë dënimi ka pasur kohën e paraburgimit. Në mars të vitit 2001, Gjykata në Tiranë deklaroi përfundimisht se Izet Haxhia, pjesëmarrës në grupin e truprojave të Sali Berishës, në atë kohë president, ishte larguar jashtë vendit. Për këtë arsye, ai u dënua në mungesë me 25 vjet burgim, si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit.

Lidhja e tij me Berishën e ka zanafillën në vitin 1992 kur Izet Haxhia u emërua me detyrë në Gardën e Republikës dhe më pas u caktua me shërbim në grupin e truprojave të ish-Presidentit. Pak kohë më vonë, Izet Haxhia do të binte në sy jo vetëm si njeriu që dukej në krah të kreut të PD-së në çdo lëvizje, si roja personale e tij, por edhe si një prej personave të besuar të tij.

Pas arrestimit në Turqi, në qershor të vitit 2006, gjatë marrjes në pyetje në seancën për ekstradimin e tij, Haxhia është shprehur se nuk donte të kthehej në burg në Shqipëri, pasi, sipas tij, ishte dënuar në mungesë dhe nuk i ishin respektuar të drejtat, që i jep ligji.

“Atje jam dënuar nga tre shkallët e gjyqësorit, të cilët janë ndikuar nga politika. Unë pranoj të kthehem në Shqipëri vetëm nëse rihapet dosja dhe më premtohet një gjykim i drejtë dhe i barabartë. Do të paraqes prova dhe dëshmitarë, që të vërtetoj se unë nuk kam qenë te selia e Partisë Demokratike në kohën e vrasjes dhe nuk kam urdhëruar vrasjen e deputetit Azem Hajdari”, kishte deklaruar Izet Haxhia para Gjykatës Administrative në Turqi.

Haxhia: Çështja “Hajdari” duhet të rihapet

Izet Haxhia, ish-truproja i Berishës, do të ekstradohet në Shqipëri. Por vetë Haxhia shprehet se duhet të rihapet çështja “Hajdari”. Madje, këtë ai thotë se ia ka kërkuar, edhe qeverisë shqiptare, në kohën kur ministër ka qenë Ilir Rusmajli.

“Jam i gatshëm të dëshmoj dhe çështja duhet të rihapet, pasi jam gjykuar në mungesë. Ia kam pasë kërkuar qeverisë shqiptare kur ka qenë ministër Ilir Rusmajli. Kam kërkuar ekstradimin me kusht që çështja të rihapet dhe qeveria shqiptare e pranoi në bazë të Konventës Ndërkombëtare. Është dhënë me firmë nga Rusmajli”, është shprehur dje Haxhia. Në një prononcim të dhënë për “News 24”, ai është shprehur se Gjykata e Lartë në Turqi ka lejuar ekstradimin e tij.

“Po, është e vërtetë. Sot (dje) është marrë vendimi nga Gjykata e Lartë turke për ekstradimin tim në Shqipëri. Tani, si duket pas 12 vjetësh, u ra ndërmend për ekstradimin tim. Si duket, me përkujdesjen e qeverisë shqiptare, e cila pasi arrestoi gjithë peshqit e mëdhenj, me erdhi radha edhe mua”, u shpreh Haxhia.

Nga ana tjetër, ai deklaroi se nuk i kishte ikur asnjëherë drejtë- sisë dhe është në dispozicion të saj, pasi nuk i trembet burgut. Por kërkon që të gjykohet nga një drejtësi e pavarur. Haxhia është shprehur se, pavarësisht se i ka të gjitha mundësitë që t’i shpëtojë ekstradimit, ai do të kthehet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë. Ndërsa tregon se nuk do t’i shmanget Policisë, që brenda 10 ditësh mund të shkojë ta marrë në adresën që, sipas tij, autoritetet e dinë.

“Ekstradimi im është kërkuar që në vitin 2006 kur më arrestuan këtu. Pas një maratone të gjatë, sot (dje), përmes avokatit më është komunikuar vendimi që Gjykata e Lartë ka marrë për lejimin e ekstradimit tim në Shqipëri. Është një periudhë e gjatë që qeveria shqiptare është e interesuar për kapjen e ‘peshqve’ të mëdhenj. Kthimi im është në favor të kësaj propagande, pasi po mundohen që t’i paraqesin publikut që arritën ekstradimin tim në Shqipëri. Por unë, në fakt, nuk i kam ikur asnjëherë drejtësisë. Madje, edhe pse kam mundësi që t’i shpëtoj këtij ekstradimi, do të kthehem dhe do të jem në dispozicion të drejtësisë shqiptare për të gjitha akuzat. Jam gati për përballje me të gjitha akuzat, që janë bërë dhe atyre që mua më kanë dhënë dënimin”, është shprehur dje Haxhia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura