Për katër ditë rreth 7 Emirateve të Bashkuara Arabe

Aug 18, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Duket sikur aty kryqëzohet e gjithë bota. Mijëra njerëz që ikin e vijnë. Në linjën e gjatë të kontrollit të pasaportave janë të shumtë ata që mbajnë shtrënguar në dorë një leje pune. Aty ka punë me shumicë. Ndërtohet çdo minutë. Vijnë nga Pakistani, Filipinet, Afrika, India…, të djersitur e me shumë shpresa. Të tjerë, që prej veshjeve duken se janë për pushime. Aty ka diell pa fund dhe një det të nxehtë. Një vajzë mban në dorë një fustan nusërie… E ka gjetur vendin ideal. Është Dubai… Qëllimi ynë është krejt tjetër. Ka shumë kuriozitet brenda për të zbuluar një vend aq të ndryshëm prej kulturës sonë. 

Burj Khalifa, kulla me e larte ne Bote, 828 metra ne Dubai
Burj Khalifa, kulla me e larte ne Bote, 828 metra ne Dubai

Të dhënë pas artit tradicional, ngushtësisht i lidhur me fenë islame, të bësh aktivitete mbi artin bashkëkohor, në pamje të parë duket një mision i pamundur në Emiratet e Bashkuara Arabe. Por asgjë nuk është e pamundur për Aurela Cukun, shkodranen që për më shumë se tetë vjet po punon me e për artin, pikërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe. Pas një hulumtimi të tregut dhe udhëtimeve, kryesisht në Amerikën Latine, që i ndryshuan këndvështrimin e saj për artin, Aurela do të hapte një galeri arti në Dubai. E ka quajtur “Artissima Art Gallery” e aty ka mbledhur copëza nga vende të ndryshme të botës. Brenda një kohe fare të shkurtër ajo ka hapur ekspozita të artistëve nga vende të ndryshme të botës, ndonjëherë edhe duke rrezikuar në ekstrem.

Me gjithë suksesin e aktiviteteve, që kanë tërhequr vëmendjen e mediave vendase, madje deri në Nju Jork, ku revista “New York Magazine” i ka kushtuar një faqe aktivitetit të galerisë së saj, katalogu i një prej ekspozitave më provokuese mbi “body painting”. “Magic emotion” është bërë pjesë e arkivit të Bibliotekës Kombëtare të Zvicrës, apo pranisë së përhershme të njerëzve të rëndësishëm në Dubai, ajo nuk mund të kënaqej vetëm me hapësirën e galerisë. Ndaj vendosi të dalë përtej, të rrahë kryq e tërthor të gjitha emiratet. Kështu nisi edhe rrugëtimi ynë nëpër të shtata Emiratet, mes shkretëtirës, malit dhe detit, infrastrukturës që ndryshonte sa hap e mbyll sytë dhe ndërtesave marramendëse, që dukeshin sa afër aq edhe larg, gati një mirazh në shkretëtirë. Një mrekulli që mund ta bënte vetëm dora e njeriut.

***
Ndalesa e parë është në Ajman, shteti më i vogël i emirateve, por jo më pak i rëndësishëm ndër të shtata. Në Ministrinë e Kulturës dhe Rinisë na pret Ibrahim Mahmoud al Auadhi, përgjegjës për zyrën e Arteve të Bukura, i cili duke qenë vetë piktor, përpiqet të ndihmojë njerëzit, sidomos ata me nevoja të veçanta, pikërisht përmes pikturës. Edhe pse vendësit janë disi skeptikë në këtë drejtim, ai ulet mes fëmijëve, grave, njerëzve të moshave të ndryshme dhe zbulon shpirtin e tyre në kanavacë….

“Shpesh herë ftoj njerëz të moshave të ndryshme këtu, që nga fëmijët e vegjël, te gratë e të moshuarit, fëmijët me nevoja të veçanta. U flas atyre për artin dhe përpiqem t’u mësoj ata që atë çka fshehin brenda vetes së tyre ta hedhin në telajo. Nuk ka qenë e thjeshtë puna me gratë, por i kam bindur, jam ulur me to, kam folur, i kam parë në sy, për të zbuluar se çfarë fshihet brenda tyre, nëse janë të lumtura ose jo”, thotë ai, duke na treguar një sallë të mbushur me piktura të realizuara nga fëmijë, gra, por edhe të burgosur.

Mjafton të shohësh ndërtesën e Ministrisë së Kulturës për të kuptuar të ardhmen e këtij vendi. Salla madhështore koncertesh, salla ekspozitash, bibliotekë, vend i posaçëm për fëmijët e gratë… Një vend i hapur për të gjithë, edhe për të huajt… “Kushdo është i mirëpritur. Shtëpia ime, është shtëpia juaj”, thotë Ibrahimi.

***
E lëmë Ajmanin me ftesën e Ibrahimit për t’u rikthyer sërish dhe udhëtojmë drejt Ras Al Khaimasë, një vend ekstremesh, ku mund të shohësh që nga ndërtesat më të çuditshme në formë piramidash, resortet luksoze, hotelet “Hilton” dhe fushat e golfit, te kampingjet në shkretëtirë me deve e strucë. Madje, një syresh ka ndërtuar edhe sheiku Mejren bin Mohamed bin Mejren, i cili nuk është thjesht një admirues i “desert safari”, por dëshiron që t’u lërë brezave të rinj trashëgiminë e të parëve.

Në kampingun e tij ngritur në një prej shkretëtirave të Ras al Khaimah gjen jo vetëm infrastrukturën e nevojshme për të qëndruar, por edhe një seri ndërtimesh tradicionale, ashtu si dikur paraardhësit e tyre beduinë ngrinin në shkretëtirë, si dhe një kopsht zoologjik me kafshë e shpendë të zonës. Jo vetëm për traditën, por edhe për një hapje drejt bashkëkohores përpiqet fondacioni “Sheikh Saud Bin Saqr al Qasimi”.

I gjejmë teksa përgatiten për aktivitetin e radhës, një ekspozitë me punime artistike të realizuara me dorë, na presin dy zonjusha simpatike Jessika Andreus dhe Gretchen Flores, të cilat na rendisin një radhë të gjatë aktivitetesh që zhvillohen në Ras Al Khaima, që nga festivalet e filmit tek ato me muzikë tradicionale vendëse.

***
Në Umm al Quwain, vendin e ëmbëlsirës ‘honey cake’, por dhe pasurive arkeologjike, i kushtohet një rëndësi e veçantë ruajtjes së traditës kulturore. Është e shtunë, ka kaluar dreka dhe aty punohet. Ministri i Kulturës, Abdullah Ali Buoisaibah, na thotë se shteti i Umm al Quwain investon shumë që brezi i ri të mos shkëputet nga tradita e të parëve, që të promovojnë dhe ruajnë identitetin kombëtar dhe kulturor, por kjo nuk do të thotë se nuk janë të hapur ndaj qasjeve të reja kulturore, siç mund të jetë arti bashkëkohor. “Artissima Art Gallery” ka qenë vazhdimisht e ftuar për të zhvilluar aktivitetet e saj në ambientet e kësaj ministrie.

***
Fujairah të lë menjëherë shijen e zhvillimit. Kudo ndërtohet. Rrugë të reja, ndërtesa të larta, xhami madhështore që gati të verbojnë sytë nga bardhësia.. Hoteleria po zhvillohet me shpejtësi marramendëse. Jo vetëm vendësit, por edhe sheikët e emirateve fqinje po nxitojnë të investojnë sa më shpejt: “Mendojmë se Fujairah është vendi i duhur për të investuar në hoteleri, për shkak të zhvillimit të shpejtë që po merr kjo zonë. Është një vend që i ka të gjitha e kushdo do të ndihej i mirëseardhur”, thotë menaxheri i përgjithshëm i një prej hoteleve të njohur të zonës, hotelit “Millennium”, Nabil Khuzouz. Por Fujairah e shtrirë mes detit, malit e shkretëtirës, mes vinçave që kryqëzohen, i kushton jo pak vëmendje kulturës.

Sidomos ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Në Fujairah gjejmë një nga muzetë më të pasura në emirate, si edhe një kështjellë, e ruajtur për mrekulli, e cila daton mes viteve 1500-1550. Një atraksion i shkëlqyer turistik për të huajt. Po aty, në Fujairah patëm mundësi të takojmë edhe një kolegen tonë gazetare, sipas së cilës, kush mendon se femrat merren vetëm me punë shtëpie, apo rrinë vetëm në qendra estetike në Emirate, gabohen…

Khadija Ali Khamis për shtatë vite ka punuar si gazetare në Radion e Fujairas e tashmë punon në gazetën “Fujairah News”. U është dedikuar kryesisht aktiviteteve kulturore, jo vetëm atyre që zhvillohen në Fujairah, por edhe në emiratet e tjera, sidomos në Dubai. Nuk e ka pasur të lehtë, sigurisht. Ajo tregon se mentaliteti të bëhet mur shumë herë, por asgjë nuk është e pamundur.

***
Sharjah është pa dyshim një nga shtetet më të bukura në Emirate. I shpallur si kryeqendra e kulturës arabe nga UNESCO e po ashtu e konsideruar si kryeqyteti i kulturës islame, Sharjah është tërheqës, me ndërtesa të rregullta, jo imponues dhe më parqe shumëngjyrëshe. Mbetet një nga destinacionet e kërkuara nga turistët, jo vetëm për bukurinë, traditën që e ruajnë me fanatizëm, por edhe për “desert safari”. Nga Sharjah nuk mund të largohesh pa përjetuar një aventurë të pa të dytë në dunat e rërës. “Orient Tours”, ngritur në vitin 1985 nga sheik Faisal Al Qassemi, është i njohur për të gjithë ata që zgjedhin këtë aventurë. E pasi adrenalina është rritur në maksimum, mund t’i gëzohesh një shëtitjeje me gamile, një tatuazhi të përkohshëm me këna që një vajzë vendëse ta realizon sa hap e mbyll sytë, një darke në tendat e ngritura në mes shkretëtirës, shoqëruar me virtuozitetin e valltarëve…

***
E lëmë Sharjah dhe drejtohemi drejt kryeqendrës, Dubait. Kurioziteti bën që rruga të duket më e gjatë, edhe pse nuk mban veç një orë me makinë. Dritat e Dubait të përshëndesin së largu. Ka rënë nata, por atje nuk duket të ketë ndonjë ndryshim të madh mes natës dhe ditës. Gjithçka në lëvizje, njerëz nga të gjitha kontinentet, makinat më të fundit që të shoqërojnë me zhurmën e shpejtësisë, kullat me lartësi marramendëse.

Një vizitë në Dubai nuk mund të kuptohet pa u ngjitur në kullën më të lartë në botë, Burj Khalifa, 829.8 metra e lartë. Radha është e gjatë për t’u ngjitur atje, por pasi ke arritur, kupton se ia ka vlejtur. Një magji më vete është Burj al Arabia, e vendosur mes detit, si një velë e ankoruar, që mbrëmjeve reflekton ngjyra të ndryshme: e kuqe, e verdhë, e gjelbër.. Ishujt Palma janë një tjetër mrekulli e dorës së njeriut, vila, gjelbërim, akuariume gjigantë ku mund të shohësh të gjitha speciet e peshqve…gjithçka e kuruar deri në detaj….

Në Dubai, qytetin e shtatë më të vizituar në botë, i propozuar nga UNESCO për t’u renditur në listën e trashëgimisë botërore, takon njerëz dhe kultura nga e gjithë bota, jo thjesht të ardhur si vizitorë, por të vendosur aty, në përpjekje për t’u integruar në jetën vendëse. Një nga komunitetet më të mëdha atje është ai latin, i cili përpiqet fort për të ruajtur dhe për të bërë të njohur identitetin dhe kulturës e vet. Ambasada e Perusë është një nga më aktivet në këtë drejtim. Zv/ambasadorja e Perusë, Claudia Guevara, na thotë se njerëzit nuk dinë shumë për Perunë, ndoshta kanë dëgjuar pak për Maçu Piçun, kulturën inkase, por nuk dinë asgjë më shumë mbi kulturën vendëse, traditën, kulinarin, artin..

***
Edhe pse kullat më të larta janë në Dubai, duket se pushteti gjendet pikërisht në Abu Dhabi, atje ku ndodhen zyrat qeveritare të Emirateve të Bashkuara Arabe, por edhe vendndodhja e Presidentit të Emirateve, Khalifa Bin Zajed. Aty ndodhet edhe pushteti ekonomik. Ndryshe nga Dubai, që të imponohet me kullat e larta, Abu Dhabi ka një tjetër natyrë. Me një bukuri të rrallë të shfaqet “Emirates Palace”, një hotel luksoz me 7 yje, Etihat Touers, simbol i Abu D’habit, Xhamia madhështore e Sheikh Zayed, e cila vizitohet nga mijëra vizitorë në ditë..

Salla e koncerteve në Emirates Palace Hotel Abu Dhabi, ku pak kohë më parë ka interpretuar sopranoja Inva Mula
Salla e koncerteve në Emirates Palace Hotel Abu Dhabi, ku pak
kohë më parë ka interpretuar sopranoja Inva Mula

Për adhuruesit e shpejtësisë aty është edhe një nga qendrat më të mëdha të Ferrarit, por mbi të gjitha pista e famshme e “Formula One”. Po në Abu Dhabi është edhe selia e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Emirate. Një godinë modeste, por në një zonë qendrore. Nuri Domi, përfaqësuesi shqiptar atje, thotë se komuniteti shqiptar nuk është i shumtë në numër. Arrin një shifër prej 200 vetash dhe është angazhuar më shumë në shërbimet hoteliere.

Me sa duket, Dubai nuk është tashmë një vend i largët, të cilin mund ta prekësh vetëm për pushime, por edhe për të punuar. Sepse, në fund të fundit, pas gjithë asaj mrekullie të arkitekturës, fshihet një punë kolosale, të cilën në shumicën e herëve e mbajnë të punësuarit sezonalë nga vende të ndryshme të botës.

Aurela Cuku: Si hapa një galeri arti në Dubai

Kur dëshira është e madhe, asgjë nuk është e pamundur. Aurela Cuku nuk e kishte menduar se arti do të bëhej jeta e saj. Tani, gjithçka rrotullohet rreth tij. Iu deshën vite përgatitje, deri sa të hapte një galeri arti në Dubai, aktiviteti i së cilës në të vërtet shtrihet në të shtata Emiratet Arabe. Ka punuar fort për të vendosur lidhjet e duhura, e sot sheh me kënaqësi se si një shqiptareje i hapen dyert në një vend që shihet gati i pakapshëm, të cilin më shumë e njohin me të dëgjuar sesa me të prekur. Aurela Cuku na merr për dore dhe na tregon se si mund të ndërtosh diçka nga zero.

Aurela Cuku me ministrin e Kulturës së Um Al Quwain, Abdullah Ali Buoisaibah
Aurela Cuku me ministrin e Kulturës së Um Al Quwain, Abdullah Ali Buoisaibah

Si ju lindi ideja të hapnit një galeri arti në Dubai?
Ideja ka lindur 8 vite më parë, kur pas një udhëtimi në Amerikën Latine bashkë me ortakun tim vendosëm të hapnim një galeri arti, fillimisht me vepra nga vendet latine (handcraft) dhe më tej, vendosëm ta kishim qendrën këtu në Dubai, ku ai kishte një aktivitet 30-vjeçar. Kështu filluan udhëtimet në Amerikë dhe Meksikë. Por puna përgatitore kishte filluar shumë kohë më parë në mbledhjen e një koleksioni me vepra nga vende të ndryshme, si indianët e Amerikës, Panamaja, Uruguai, Bolivia e vende të ndryshme. Duhet shumë punë për të arritur të hapësh një galeri arti…

Cili është raporti juaj me artistët shqiptarë?
Kemi ftuar artistë shqiptarë si Ndue Pepa, Natasha Bega, Mirela Nurçe. Janë mirëpritur dhe kanë pasur sukses. Ndue Pepa ka bërë ekspozita në të gjitha Emiratet. Do të doja që të bashkëpunoja edhe me artistë të tjerë shqiptarë, sigurisht pas një seleksionimi të bazuar mbi kulturën dhe preferencat e vendit ku jemi.

Cilat janë këto preferenca?
Preferohen punë që nuk janë ndeshur më parë. Preferohen abstraktet që janë larg paraqitjes së imazhit të njerëzve apo kafshët. Unë përpiqem të gjej artistë të veçantë që nuk janë ekspozuar më parë këtu.

Cila është qasja e vendësve ndaj artit?
Është në fillim, është një fushë në zhvillim e sipër. Në fillim, në këtë rrugë ku ne kemi galerinë, kishte vetëm katër të tilla, tani janë bërë tetë. Është një vend në rritje dhe perspektivat janë të mëdha. Gjithë sytë e botës janë këtu ndaj dhe kërkoj artistë që të ofrojnë diçka të veçantë dhe të panjohur.

Qendrën e keni në Dubai, e megjithatë jeni në lëvizje të vazhdueshme nëpër Emirate…
Pasi hapa galerinë e artit e kuptova se isha mbyllur mes katër mureve. Edhe pse kisha realizuar ëndrrën time për të hapur një galeri, kuptova se nuk ishte mirë edhe për artin e artistin të izolohej vetëm brenda këtyre hapësirave. Atëherë vendosa që të bëja të njëjtën gjë si me veten time. Më pëlqen të udhëtoj dhe këtë po bëj edhe me artin e artistët. E fillova në të shtata Emiratet, edhe në ato ku nuk ka qenë kush asnjëherë, edhe në vendet më të humbura. Kam prekur, kam shkelur dhe kam zbuluar shumë gjëra që nuk i dija. Përgjithësisht njerëzit njohin vetëm Dubain apo Abu Dhabin, por nuk i njohin Emiratet e tjera, të cilat janë shumë të bukura, të virgjëra, ende me kulturën tradicionale. Është një anë e panjohur që më ka tërhequr shumë, madje më shumë se bota moderne në Dubai apo Abu Dhabi. Arti duhet të jetë në lëvizje. Edhe uji kur rri në një vend qelbet. E njëjta gjë edhe për artin e artistin apo dhe jetën e përditshme. 

Ndërkaq keni ndërmarrë edhe udhëtime nëpër të shtata Emiratet, me gazetarë nga vende të ndryshme, ç’përfitoni ju nga kjo? 
Gazetarët janë mesazherët e parë që mund të flasin për artin, për diçka që po bëhet. E fillova me një grup gazetarësh nga Nju Jorku dhe një këngëtare operash. Duket e çuditshme, por doja të bëja diçka ndryshe nga galeritë e tjera. Ishte e vetmja mënyrë për të treguar diçka të re. Kemi udhëtuar në shumë vende, edhe në ato më të humburat, por ku arti pëlqehet…  Ka qenë diçka ndryshe, por që të mbush shpirtin. Nuk ka shumë rëndësi sesa shumë shitje do të kesh, por sa entuziazëm do të kesh, emocione… Kështu lindi edhe ideja e realizimit të një turi me gazetarë shqiptarë. Në një kohë rekord prej katër ditësh kemi udhëtuar të shtata Emiratet. Mendoj se emocionet kanë qenë të mëdha për të gjithë. Kanë qenë përjetime të forta. Kemi shëtitur, kemi parë shumë gjëra, kemi bërë shumë punë, për të prekur vetë realitetin e për ta përçuar atë edhe në Shqipëri.

Alma Mile/ Bruna Prifti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura