Për “Kambanën e qelqtë”/ Marrëzia e autores që e bën romanin racional

Sep 30, 2017 | 10:25
SHPËRNDAJE

Esteri është një studente e shkëlqyer, një vajzë e bukur dhe e talentuar, së cilës sapo i është dhënë mundësia e rrallë të bëjë një stazh në një revistë të famshme në Nju Jork. Ajo ndien një përzierje ngazëllimi dhe tmerri, si pothuajse çdokush që është shpërngulur nga një rrethinë drejt një qyteti të madh, sidomos nëse kjo shpërngulje ndodh në moshë të re. Të gjithë jemi bërë spektatorë të “çudive metropolitane”, duke pritur në mënyrë të pavetëdijshme çastin kur instinktet tona do të na vijnë në ndihmë.

Të gjithë jemi dehur, kemi kërcyer apo kemi vjellë. Zakonisht kemi shpëtuar paq, pakëz më të pjekur dhe, fatmirë- sisht, të pacenuar. Por ka edhe nga ata që kanë kaluar nëpër shtigje të tjera, nga ata që rrjedha e jetës nuk i ka lëshuar në asnjë breg.sylvia-plath-hires-cropped

E kështu janë fundosur, pak nga pak. Dhe Esteri po fundoset, fshehurazi e për arsye që as vetë nuk i ka krejt të qarta. Ajo do të shkëputet nga realiteti rrethues, duke u izoluar pak nga pak, me shpresë që të përmbajë dhimbjen e vazhdueshme e të pakuptueshme që personifikon tashmë vetë jetën.

Ndoshta “Kambana e qelqtë” rrëfen historinë e dikujt që po zbulon se të qenët gjatë gjithë kohës “i përkryer”, apo edhe thjesht “i mirë”, nuk është e thjeshtë, e pranueshme apo edhe e përballueshme në afat të gjatë. Në kryeveprën e saj të njohur e të gjithëkohshme, Sylvia Plath tinëzisht e tërheq lexuesin brenda shkatërrimit të Esterit, dhe e bën me një forcë të tillë, sa marrëzia e saj bëhet e prekshme, e vërtetë, pothuajse racionale.

Ky depërtim i thellë në skutat më të errëta e më pikëlluese të psikikës njerëzore është një nga arritjet më të jashtëzakonshme të letërsisë. “Kambana e qelqtë” ka shitur miliona kopje që prej botimit të tij dhe është një nga romanet më të lexuara dhe të komentuara në shkollat amerikane. U ekranizua në 1979 dhe një tjetër ekranizim pritet të dalë së shpejti.

PËR AUTOREN

Autorja Sylvia Plath (1932 -1963) ishte një poete dhe shkrimtare amerikane. Ajo lindi në Boston dhe studioi në Smith College dhe në Universitetin e Cambridge-it, para se të njihej ndërkombëtarisht si një nga poetet dhe shkrimtaret e reja më premtuese. Në vitin 1956 u martua me poetin Ted Hughes, me të cilin jetoi deri sa u ndanë në shtator të vitit 1962. Jetuan së bashku në SHBA e në Angli, dhe patën dy fëmijë, Frieda dhe Nicholas. Në pjesën më të madhe të jetës së saj, Plath-i vuajti nga depresioni patologjik dhe u trajtua disa herë me terapitë e elektroshokut.

Ajo i dha fund jetës në vitin 1963. Plath-i njihet si një nga poetet më të rëndësishme në zhanrin e lirikës vetërrëfyese dhe njihet kryesisht për dy përmbledhje me poezi, “The Colossus and other poems” dhe “Ariel”. “Kambana e qelqtë”, proza e saj e vetme, gjysmëautobiografike, u botua pak muaj para vdekjes. Në vitin 1982, ajo u nderua me çmimin “Pulitzer” për poezitë e saj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura