Mbyllet votimi për strukturat drejtuese të LSI/ Ja sa anëtarë morën pjesë, më shumë se 16 mijë votuan online. Silva Caka jep detajet

Nov 21, 2020 | 21:11
SHPËRNDAJE

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në LSI, Silva Caka, ka dalë me një deklaratë për mediat, pasi procesi i votimeve për strukturat drejtuese të partisë është mbyllur. 

Caka ben te ditur se në zgjedhjet për delegatët e Konventës Kombëtare dhe Kryetarin e LSI, morën pjesë 44.413 anëtarë ose 80.7% e anëtarësisë faktike të regjistrit të anëtarësisë së Partisë. Po ashtu edhe përfshirja e votimit online lejoi te votonin 16.128 anëtarë, ndersa fizikisht votuan 28.285 anëtarë të LSI.

Deklarata e plotë: 

Kam kënaqësinë të deklaroj përpara jush mbylljen e procesit zgjedhor të datës 21 nëntor 2020.

Në zgjedhjet për delegatët e Konventës Kombëtare dhe Kryetarin e LSI, morën pjesë 44.413 anëtarë ose 80.7% e anëtarësisë faktike të regjistrit të anëtarësisë së Partisë.

Përfshirja e votimit online krijoi mundësi reale që anëtarët e partisë të shprehnin gjerësisht vullnetin e tyre duke kapërcyer edhe barrierat jo të pakta që Pandemia krijoi.
28.285 anëtarë të LSI votuan fizikisht dhe mbi 16.128 anëtarë votuan online.

Dita e sotme dhe pjesëmarrja e jashtëzakonshme është qartësisht demostrim i një vitaliteti politik dhe një dëshire të madhe të anëtarësisë për të qenë pjesëmarrës në vendimmarrje.

Asgjë nuk mund të ndalë qytetarët të shprehin masivisht vullnetin edhe në 25 prill, kundër autokracisë që kërkon të mbysë demokracinë. 

Pandemia dhe varfëria nuk munden dhe nuk do të ndalojnë demokracinë. Pa aktivizëm, pa organizim, pa “popull” nuk ekziston demokracia, kun ë themel qendron qytetari.  Prandaj ky votim masiv i LSI është një mesazh kombëtar dhe një thirrje kumbuese për pjesëëmarrje masive në zgjedhje, aktivizëm, ngritje zëri.

LSI u tregoi sot të gjithë shqiptarëve se është shembulli i partisë së solidaritetit social veçanërisht në këto kushte kur shqiptarët kanë nevojë për ndjeshmëri, për solidaritet dhe politikë me zemër.

Personalisht jam e surprizuar dhe shumë e emocionuar nga pjesëmarrja e gjatë, ku qytetarët kanë ndenjur në radhë të gjata për të votuar. Kjo është shpresë, kjo është forcë, kjo është frymë!

Ne sot ndjejmë forcën shpirtërore të qytetarëve shqiptarë, të cilët treguan se 25 prilli nuk do të jetë vetëm rotacion politik, por ndryshimi do të sjellë shembjen e sistemit të kalbur të tranzicionit dhe fillimit të një shprese të re, që do të bëjë të mundur përmbushjen e misionit tonë, për t’a bërë Shqipërinë shtëpinë e të gjithë shqiptarëve.

Me heret ndersa procesi ishte drejt mbylljes, Caka u shpreh:Është e rëndësishme të theksojmë që pjesëmarrja është tepër e konsiderueshme, kryesisht në qarqet më të mëdha të vendit, madje kemi pasur edhe 2-3 raste që duhet të përmenden, siç është rasti i Qarkut të Shkodrës, ku në bashkinë e Vaut të Dejës apo të Malësisë së Madhe kemi pasur edhe ezaurim të formularëve të anëtarësisë apo të formularëve të rikonfirmimit të të dhënave, pra nga database i vjetër në atë të ri dhe për këtë KQZ-ja ka marrë masa për t’i pajisur këto qendra votimi me formularë të rinj”, vijon kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në LSI.

Deklarata e plotë

Për të bërë një rezyme të të gjithë asaj që ka ndodhur ditën e sotme, më duhet që të rithem se në 61 bashkitë e Shqipërisë ka pasur 51 qendra votimi dhe votimi në të gjitha qendrat e votimit ka filluar në orarin e përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pra në orën 9 të mëngjesit dhe nuk është vënë re asnjë mangësi për sa i përket materialeve zgjedhore.

Procesi i votimit ka vijuar normalisht me një pjesëmarrje të konsiderueshme dhe i falënderojmë të gjithë qytetarët që u bënë pjesë e këtij procesi të brendshëm. Është e nevojshme të theksojmë që anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit kanë arritur që të ruajnë protokollin e masave të sigurisë kundër Covid 19, duke lejuar që në çdo qendër votimi të votojë vetëm nga një anëtar. Njëkohësisht për aq sa ka qenë e mundur këto komisione janë përpjekur të ruajnë edhe turmat e qytetarëve, të cilat janë krijuar jashtë qendrave të votimit. Është marrë çdo masë e mundshme për të respektuar protokollin e masave, pra çdo qendër votimi ka qenë e pajisur me termometër elektronik, me maska, me deinfektantë si për duart ashtu edhe për pajisjet.

Kujtojmë të gjitha ata qytetarë që dëshirojnë ende të votojnë online, se në çdo qendër votimi të LSI-së, do të kemi një asistent të votimit online. Është një person i deleguar nga LRI, i cili është mandatuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili do të asistojë çdo person që ka pamundësi ose paqartësi lidhur me votimin online në linkun bashkohu.lsi.al.

I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që dëshirojnë të votojnë online se nëse ende nuk janë pajisur me usernamen e tyre, besoj që brenda orarit zyrtar të përfundimit të procesit elektoral, do të kenë në celularin e tyre të gjithë kredencialet me të cilat mund t’i bashkohen linkut dhe të kryejnë me sukses procesin e tyre të votimit.

Është e rëndësishme të theksojmë që pjesëmarrja është tepër e konsiderueshme, kryesisht në qarqet më të mëdha të vendit, madje kemi pasur edhe 2-3 raste që duhet të përmenden, siç është rasti i Qarkut të Shkodrës, ku në bashkinë e Vaut të Dejës apo të Malësisë së Madhe kemi pasur edhe ezaurim të formularëve të anëtarësisë apo të formularëve të rikonfirmimit të të dhënave, pra nga database i vjetër në atë të ri dhe për këtë KQZ-ja ka marrë masa për t’i pajisur këto qendra votimi me formularë të rinj.

Kemi bërë njëkohësisht njoftimet për të gjitha qendrat e votimit, që nëse do të ketë mangësi në këto dy elementë, pra në formularët e anëtarësimit të të rinjve dhe në formularët e rikonfirmimit të të dhënave, pra anëtarët e vjetër që duan të marrin kartën e re të anëtarësisë, duhet të kontaktojnë menjëherë një nga personat përgjegjës në KQZ, në mënyrë që të pajisen menjëherë me 2 formularë aplikimi dhe rikonfirmimi të dhënash.

Është e nevojshme tashmë që të kemi një pasqyrë ose tabelë përmbledhëse, si atij fizik, pra të qytetarëve që kanë preferuar të ndjekin metodën tradicionale, pra me fletën e votimit, dhe më pas do të kemi edhe një pasqyrë të dhënash të votimit online. Theksoj që të dhënat janë deri në orën 14.

Sipas komunikimeve të bëra së fundmi, flas për votimin fizik,  në qarkun e Beratit kemi pasur 1551 anëtarë. Në qarkun e Dibrës kemi pasur në qendrat e votimit të këtij qarku 452 anëtarë. Në qarkun e Durrësit janë paraqitur pranë qendrave të votimi të Durrësit edhe Krujës 1620 anëtarë. Në qarkun e Elbasanit janë paraqitur 1230 anëtarë. Në qarkun e Fierit janë paraqitur pranë qendrave të votimit 1597 anëtarë. Në qarkun e Gjirokastrës janë paraqitur pranë qendrave të votimit 1051 anëtarë. Në qarkun e Korçës pjesëmarrja ka qenë në nivelin 1207 anëtarë. Në qarkun e Kukësit kemi pasur një pjesëmarrje prej 574 votuesish. Në qarkun e Lezhës kemi pasur një pjesëmarrje prej 913 votuesish. Do doja të ndalesha pak në qarkun e Shkodrës, sepse në raportimin e mëparshëm kemi pasur një diskordancë lidhur me shifrat dhe pasi e kemi verifikuar me KQZ-në kemi thënë shifrën 879 votues, por në të vërtetë kemi një shifër prej 1163 votuesish. Kërkojmë ndjesë për këtë mos rakordim, ishte menjëherë pasi bëmë rakordimet e duhura me të gjitha qendrat e votimit në qarkun e Shkodrës. Vijojmë me qarkun e Tiranës ku në qendrat e votimit janë paraqitur rreth 3056 anëtarë. Kemi edhe qarkun e Vlorës ku në qendrat e votimit janë paraqitur 1195 anëtarë. Pra në total votim fizik, e theksoj edhe njëherë sipas metodës tradicionale  me fletën e votimit, kemi pasur një pjesëmarrje prej 15 325 votues.

Do të doja nga regjia që të bënte të mundur edhe në ekran shifrat e votimit online, të cilat janë akoma edhe më të përditësuara se ora 13. Shkodra rezulton që të ketë pasur votim online 888 persona, që sigurisht kanë kartën e re të anëtarësisë. Në qarkun e Kukësit pjesëmarrja në votim online është 651 anëtarë. Në qarkun e Lezhës pjesëmarrja në votimin online është 666 anëtarë. Në qarkun e Dibrës nëpërmjet linkut kanë votuar 765 votues. Në qarkun e Tiranës kemi një pjesëmarrje prej 1445 votuesish. Në qarkun e Durrësit kemi një pjesëmarrje prej 925 votuesish. Në qarkun e Elbasanit regjistrohet pjesëmarrje prej 914 votuesish. Në qarkun e Fierit kemi një pjesëmarrje prej 915 votuesish. Qarku i Beratit regjistron një pjesëmarrje në votimin online prej 779 votuesish. Në qarkun e Korçës kemi pjesëmarrje prej 739 votuesish. Në qarkun e Gjirokastrës kanë votuar online 865 anëtarë. Në qarkun e Vlorës kanë votuar online 905 anëtarë. Ky ishte votimi online.

LSI zgjedh kryetarin dhe strukturat e reja/ Ja sa ka qenë numri i votuesve në 51 qendrat e votimit, shifrat në të gjitha qarqet

LSI ka nxjerrë shifrat e para lidhur me pjesëmarrjen në votimet brenda partisë, ku deri në orën 11:00 në 51 qendrat e votimit të zgjedhjeve kanë marrë pjesë 5435 anëtarë të kësaj force politike. Kryetarja e KQZ-së brenda LSI, Silva Caka, ka bërë me dije shifrat për secilin qark.

LSI 01

“Në qarkun e Dibrës kanë votuar deri më tani 179 anëtarë. Në Qarkun Lezhë kanë marrë pjesë deri më tani në zgjedhje 365 anëtarë. Në Shkodër 361 anëtarë. Në Kukës 107 anëtarë. Në Qarkun e Elbasanit kanë votuar 504 anëtarë. Në qarkun e Beratit hedhur votën e tyre 347 anëtarë. Në Qarkun e Tiranës kemi 1258 anëtarë që kanë shprehur vullnetin e tyre. Në Qarkun e Fierit 546 anëtarë ndërsa në Qarkun Durrës 457 anëtarë. Në Qarkun e Gjirokastrës 306 anëtarë kanë marrë pjesë në zgjedhje.  Në Qarkun e Vlorës janë paraqitur deri më tani 512 anëtarë në qendrat e votimit. Ndërsa në Qarkun e Korçës janë regjistruar 495 anëtarë që kanë votuar deri më tani”, ka thënë znj. Caka.

Një reagim ka ardhur edhe nga ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, e cila përmes një statusi në rrjetet sociale shprehet: “Tirana sot voton fitoren. Njësia 5 voton fitoren! Anëtarët e LSI i janë drejtuar qendrave të votimit dhe platformës online për të zgjedhur ekipin më të mirë drejtues, që do sjellë ndryshimin në datë 25 Prill! Pjesëmarrje në masë, entuziazëm, përgjegjshmëri qytetare, është ajo çka ndjehet në çdo qendër votimi sot!”

LSI 02

lsi 04

****

“Votimi ka filluar në të 51 qendrat e votimit”, kryetarja e KQZ në LSI shpjegon procesin, ka një njoftim për anëtarët

“Një ditë shumë të rëndësishme për LSI-në”, e ka cilësuar procesin e sotëm të votimeve kryetarja e KQZ-së në këtë parti Silva Caka.  Në një deklaratë për media një orë pas nisjes së votimeve në 51 qendra, Caka tha se deri më tani s’janë vërejtur mangësi në materialet zgjedhore dhe kanë nisur votimet si fizikisht ashtu edhe përmes aplikacionit online.

LSI 4

“Në çdo qendër votimi ata do të kenë asistencë nga asistentët e votimit elektronik, të cilët janë aty me tablet për të ndihmuar këdo që do të ketë nevojë dhe të përdorë kredencialet e tij personale, pra çdo anëtari të ri që mban kartën e re të LSI-së. Sot në mëngjes i janë dërguar kredencialet personale të cilat mund t’i përdori në linkun bashkohu.lsi.al”, shprehet Caka.

Deklarata e plotë

Është një ditë shumë e rëndësishme për Lëvizjen Socialiste për Integrim për shkak se zgjedhim pikërisht atë që edhe ju e përmendët tashmë, që është ekipi fitues për zgjedhjet e 25 prillit.

Pikërisht është rakorduar nga të gjithë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të LSI në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë kryetarët e Komisioneve në të gjitha qendrat e votimit dhe na duhet që të themi që në të gjithë Shqipërinë kemi 51 qendra votimi, ku anëtarët e LSI mund të votojnë nëpërmjet votimit fizik, por sigurisht edhe nëpërmjet votimit online që është një risi e sjellë nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Dhe në komunikimet që ne kemi pasur me të gjithë kryetarët e komisioneve dhe të deleguarit nëpër qarqe na duhet të themi që votimi tashmë ka filluar me sukses në të gjitha qendrat e votimit, pra në të 51 qendrat e votimit.

Nuk janë vërejtur mangësi në materialet zgjedhore. Çdo procedurë është kryer në kohën e duhur dhe tashmë jemi përballur me votuesit e parë të cilët i janë drejtuar qendrave të votimit në të gjithë Shqipërinë, për të votuar si fizikisht nëpërmjet fletës së votimit, ashtu edhe nëpërmjet aplikacionit online.

Për të gjithë ata që ende nuk janë paraqitur në qendrat e tyre të votimit, ne do donim që të kishim një komunikim duke i njoftuar edhe njëherë që, ata anëtarë të LSI që mbajnë kartat e reja të anëtarësisë mund të votojnë vetëm nëpërmjet aplikacionit online.

Në çdo qendër votimi ata do të kenë asistencë nga asistentët e votimit elektronik, të cilët janë aty me tablet për të ndihmuar këdo që do të ketë nevojë dhe të përdorë kredencialet e tij personale, pra çdo anëtari të ri që mban kartën e re të LSI-së. Sot në mëngjes i janë dërguar kredencialet personale të cilat mund t’i përdori në linkun bashkohu.lsi.al.

Doja të njoftoja që zyrat e LSI-së, pra qendrat e votimit, do të jenë të hapura deri në orën 16 dhe çdo qendër votimi që ka ende anëtarë të LSI-së që presin të votojnë pas këtij orari, pa diskutim që me miratimin e Komisionit të Zgjedhjeve do të vazhdojë që të mbajë qendrën të hapur.

Ne jemi përpjekur maksimalisht që të garantojmë jo vetëm nga ana procedurale këtë proces, por edhe duke respektuar protokollin dhe masat e sigurisë anti Covid 19. Në çdo qendër votimi është ruajtur distanca fizike, janë vendosur ato që quhen baza higjienike, pra maska, dezinfektantë për duart, dezinfektantë për pajisjet e qendrës së votimit.

Njëkohësisht janë afishuar të gjitha paralajmërimet, ato që duhet të jenë në hyrje të çdo ambienti, siç janë qendrat e votimit në këtë rast, janë vendosur afishet që i paralajmërojnë qytetarët për ruajtjen e këtyre masave. Faleminderit!

****

Për herë të parë votim online/ Anëtarët e LSI-së zgjedhin sot kreun e partisë dhe forumet drejtuese

Ka nisur sot në orën 09:00 procesi i zgjedhjeve brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim, që do të zgjasë deri në orën 16:00.

Anëtarët e LSI-së po votojnë këtë të shtunë për forumet drejtuese dhe do të përcaktojnë strukturat që do të drejtojnë forcën politike, që aktualisht udhëhiqet nga Monika Kryemadhi.

Vlen për t’u theksuar që për herë të parë do të votohet online, ku të gjithë ata që kanë një kartë anëtarësie në LSI do të zgjedhin të preferuarit e tyre përmes aplikacionit.

LSI

Ndërkaq ata që nuk janë të pajisur me kartë do të votojnë pranë qendrave të votimit që janë hapur në të gjitha bashkitë.

Në një deklaratë për media lidhur me zgjedhjet, zv/kryetari i LSI Luan Rama do të shprehej: “Edhe njëherë tjetër LSI jo vetëm bëhet pararendëse, jo vetëm bëhet promotore, por është shembulli më i mirë i transparencës, shembulli më i mirë i vlerës dhe pushtetit real që kanë anëtarët e saj, të cilët me votën e tyre do të zgjedhin nesër Kryetarin e ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që në fakt është rikonfirmim i mandatit të Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nuk ka ndonjë sekret që LSI do të votojë nesër Monika Kryemadhin në detyrën e Kryetarit të LSI-së, për të dhënë në këtë mënyrë mesazhin e mbështetjes, mesazhin e unitetit, mesazhin e solidaritetit dhe mbi të gjitha mesazhin e vendosmërisë për të fituar në zgjedhjet e 25 prillit”.

LSI 4

LSI 5

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura