Qendra më e njohur arkeologjike në Shqipëri, qyteti antik i Butrintit, pritet të menaxhohet për dhjetë vitet e ardhshme nga një agjenci e re. Në ligjin e miratuar së fundmi, ajo njihet si “Fondacion”, por për të nuk ka shumë hollësi, me përjashtim të faktit, që do të jetë një partneritet mes Ministrisë së Kulturës dhe një partneri strategjik.
Ndryshimi është pjesë e “Planit të Menaxhimit të Integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”, një dokument prej 300 faqesh, miratuar nga qeveria shqiptare dhe hartuar nga kompania angleze “Prince and Pearce”, kontraktuar dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF).
Kjo do të ishte hera e parë që në menaxhimin e qytetit antik të Butrintit do të përfshihej drejtëpërdrejt edhe një subjekt jo-publik.
Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës, Ministria e Kulturës tha se “Fondacioni” i ri do të krijohet përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi me një partner strategjik, për të cilin ajo nuk dha shumë hollësi, por shtoi se “organizimi dhe funksionimi i “Fondacionit” do t’i nënshtrohen legjislacionit për organizatat jofitimprurëse”. Marrëveshja mes Ministrisë së Kulturës dhe fondacionit të ri duhet të miratohet në parlament.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al