Për Gjermaninë, për Europën

Jan 20, 2018 | 13:20
SHPËRNDAJE

BASHKIM ZENELI

Ish-ambasadori Bashkim Zeneli

Mbas zgjedhjeve par lamentare të 24 shtatorit, Gjermania u fut në dilemën e ndërtimit të koalicionit qeverisës. Tri partitë më të mëdha në vend, CDU, SPD dhe CSU, kishin pësuar humbjen më të madhe që nga viti 1949. Kancelares Angela Merkel, si drejtuese e partisë që kishte marrë shumicën e deputetëve, i mbeteshin dy rrugë për të formuar koalicionin: me SPD, pra, të vazhdonte koalicioni i madh, ose më Liberalët dhe të Gjelbrit, ose siç do të quhej, koalicioni Jamaica. Ky do të ishte koalicioni i parë në historinë politike të Gjermanisë.

Menjëherë pas zgjedhjeve, vetëm 50 minuta mbas mbylljes së kutive të votimit, kryetari i SPD-së Martin Schulz deklaroi se nuk do të bashkëqeveriste më me Kancelaren Merkel dhe se do t´i përkushtohej në opozitë rindërtimit dhe forcimit të partisë, e cila, të paktën që mbas fitores së madhe në shtator të vitit 1998, kishte ardhur vazhdimisht duke u tkurrur në mënyrë të ndjeshme e duke ndërruar 6-7 kryetarë në afro 20 vite.

Por, edhe bisedimet e znj. Merkel me Liberalët dhe të gjelbrit për koalicionin Jamaica, nuk patën rezultat për shkak të mosrënies dakord me shumë çështje. Mbetej ose të arrihej koalicioni (që ishte kundërshtuar) me SPD, ose të kalohej në zgjedhje të reja, që në një mënyrë ose në një tjetër, nuk i dëshironte asnjë parti parlamentare.

Atëherë, Presidenti Steinmeier bëri thirrje për të gjetur rrugën e mirëkuptimit midis CDU dhe SPD. Ai zhvilloi disa takime me kryetarët Merkel dhe Schulz.

Udhëheqësi socialdemokrat thirri kongresin e jashtëzakonshëm të partisë. Ai mori miratimin e Partisë thjesht për të hyrë në bisedime me CDU dhe CSU duke paraqitur kërkesat në çdo fushë, për një koalicion të mundshëm.

Duket se Kancelarja Merkel kishte shumë të drejtë kur mbas refuzimit të SPD për të vazhduar koalicionin e madh, deklaroi se, “një derë që përplaset fort, nuk do të thotë se mbyllet gjithmonë mirë”.

Përfaqësues të tri partive diskutuan në Berlin për rreth 25 orë, në pika të ndryshme të programeve të tyre qeverisëse dhe arritën, në parim, një marrëveshje prej 28 faqesh, me pikat kryesore për çfarë ishte rënë dakord.

Të tre kryetarët, Merkel, Schultz dhe Seehofer, në konferencën e përbashkët për shtyp, u shprehën njëri më i kënaqur se tjetri për çfarë ishte rënë dakord paraprakisht. Kryetari i SPD, Schultz, deklaroi se rreth 80 për qind e qëndrimeve të programit të tij gjetën mbështetje, sidomos në çështjet ekonomike dhe sociale. U ra dakord që të mos ketë rritje taksash, të këtë përmirësime ne favor të qytetarëve për sigurimin shëndetësor, të rriten investimet në arsim, të ndërtohen 1.5 milionë ndërtesa deri në vitin 2022, të rriten të ardhurat për familjet dhe të ketë shpërblime mujore më të larta për çdo fëmijë.

U ra dakord, gjithashtu, që Gjermania të pranojë çdo vit 180-220 mijë imigrantë dhe të liberalizojë rregullat për bashkimin familjar të imigrantëve. Drejtuesit e tri partive folën për bisedime të vështira, tepër intensive e me ballafaqime të vazhdueshme. Por u arrit kompromisi për bashkëpunimin e ardhshëm. U kuptua drejt përgjegjësia për votën që morën nga qytetarët. Tre ishin motivet e fuqishme, që bënë të arrihej ky kompromis:

Së pari, përgjegjësia për Gjermaninë, për qytetarët e saj, për të ardhmen e vendit.

Së dyti, përgjegjësia për Europën. Jashtë peshës dhe rolit të Gjermanisë në sfidat e sotme shumë të mëdha, nuk mund të ketë Europë të qëndrueshme, të fortë. Ajo ndodhet sot në ditët jo të mira të saj, për shkak të euroskepticizmit, të Brex-it, të raporteve të reja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ringjalljes së tendencave të shteteve nacionaliste, të “mureve” politike, ideologjike dhe fetare, në pranimin e imigrantëve, të lëvizjeve populiste e antieuropiane në vende të ndryshme të BE-se e sidomos të atyre që kanë ardhur nga lindja ish-komuniste etj., etj. Presidenti i Francës, Macron, po ndërmerr lëvizje për forcimin e Europës dhe pa Gjermaninë, ai nuk mund të bëjë asgjë.

Së treti, i lidhur ngushtë më sa më sipër është qëndrimi i tri partive të mëdha, për moslejimin e rritjes në vend të ekstremizmit të djathtë, që me AfD (Alternativa për Gjermaninë) arriti të hyjë në Bundestag, mbas 60 vitesh, madje si forcë e tretë.

Udhëheqësit më të lartë europianë e përshëndetën kompromisin e arritur, edhe si një fitore e madhe për Europën. Por, nuk ka mbaruar ende çdo gjë, ndonëse besimi për një koalicion të madh (Gro-ko) është i dukshëm. Socialdemokratët do të mbledhin më 21 janar kongresin e tyre, në Bonn. Do të jenë 600 delegatët, që do të miratojnë ose jo përfshirjen e SPD në koalicion. Dy koalicionet e fundit (2005-2009) dhe (2013-2017) e kanë dobësuar forcën dhe thelbin opozitar e kritik të SPD. Tani, për SPD-në flitet si për “pacienten socialdemokrate”-Kryetarit Martin Schulz i duhet me çdo kusht të bindë, sidomos bazën e partisë, për domosdoshmërinë e koalicionit të madh për të ardhmen e vendit. Por skepticizmi në radhët e socialdemokratëve duket se nuk është i vogël.

Kryetari Schulz ka ditë që ka nisur një turne në landet më të “nxehta”. Deri tani, socialdemokratët e Berlinit dhe të SachsenAnhalt kanë dalë kundër koalicionit të madh, ndonëse me rezultat tepër të ngushtë. Thuhet se Gro-ko do të pengojë forcimin e SPD…

Schultz ka bashkëbiseduar me forumet e partisë në Nordheim Westfalen, që do të ketë 144 delegatë nga 600 gjithsej, por edhe në Niedersachsen që do të këtë 81 delegatë, në Hessen me 72 delegatë etj.

Partia, baza e saj, duhet bindur për kthesën 180 gradë që mori udhëheqja nga 24 shtatori, me një “jo” të fortë, në 11 janar me një “po” bindëse. Tashmë Schulz dhe ish-kryetari i partisë Gabriel, ende ministër i Jashtëm federal, por edhe drejtues të tjerë të partisë po punojnë intensivisht për të bindur anëtarët e partisë për nevojën e koalicionit të madh. Skeptikët nuk janë të paktë.

Shtypi ka “shpikur” “Fjalorin-Schultz2”, për të evidentuar të gjithë termat e përgjegjësive që ai ndien për koalicionin e madh. Madje, dy ditë më parë, kryetari Schulz, një europianist i spikatur, deklaroi se mund të bashkëqeverisim edhe për dy vjet me CDU-CSU.

Nëse më 21 janar kongresi i socialdemokratëve hap dritën jeshile për koalicionin e madh, atëherë do të fillojnë bisedimet midis të tri partive, për koalicionin qeverisës. Udhëheqja e SPD është besimplotë se do t’ia arrijë kësaj.

Jo vetëm sytë e Gjermanisë, por edhe të Europës, e pse jo, të botës, do të jenë në Bonn, në vendimin që do të marrë kongresi i jashtëzakonshëm i socialdemokratëve.

Duket, nëse ndodh kështu, që qeveria e re e Gjermanisë, e drejtuar nga Kancelarja Merkel, të krijohet në ditët e fundit të marsit. Deri tani, që nga viti 1949, kohëzgjatja më e madhe nga zgjedhjet në formimin e kabinetit ka qenë 83 ditë. Tani duket se do shkojë deri në 180 ditë. Me këtë mandat, Angela Merkel do të mbetet 16 vjet si Kancelare, po aq sa Kancelari Helmut Kohl.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura