“Për Dritan Lelin nuk ka më vend”/ Zbardhen porositë e Ramës në Asamblenë e PS në Vlorë: Duhet të kishte dhënë dorëheqjen, por…Ja paralajmërimi për emërimet e drejtorëve

Jun 27, 2021 | 20:01
SHPËRNDAJE

“Panorama.al” ka zbardhur porositë që kryeministri Edi Rama dha në Asamblenë e Partisë Socialiste në Vlorë, ku nuk mund të shmangej edhe debati për kryetarin e Bashkisë, Dritan Leli.

rama-leli

Mësohet se në fjalën e tij, kreu i qeverisë ka thënë se në Partinë Socialiste nuk ka më vend për Dritan Lelin. Rama është shprehur se ai duhet të kishte dhënë dorëheqjen, por duke qene se nuk zgjodhi këtë rrugë beteja ndaj tij do te vazhdojë.

“Do vazhdojmë betejën. Për të nuk ka vend, ai vendosi të mos jetë te beteja e radhës, asgjë nuk duhet të jetë personale mes këshilltarëve dhe tij, ky është vendim politik.

Duhet që këshilltarët të bëjnë detyrën, të bëjnë kontrolle në komisione sikur të ishte një kryetar partie çfarëdo. Do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen,  nuk pranon në këtë formë, në do vijojmë betejën”, mësohet se ka thënë Rama.

Ndërkohë sa i takon sistemit të emërimeve të drejtorëve nga deputetët, Rama u shpreh shkurt: “Ta harroni”.

“Duhet të mblidhet Partia Socialiste që të vendosë. Shumë drejtues janë arrogantë”, ka deklaruar kreu i qeverisë, ndërsa paralajmëroi se do të ketë rotacion.

PËRPLASJA RAMA-LELI

Përplasja mes Kryeministrit Raam dhe kryebashkiakut socialist Dritan Leli duket se çdo ditë e më shumë është rritur. Ajo u bë publike para se të regjistroheshin kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit në KQZ. Leli refuzoi që të hiqte dorë nga mandati i kryebashkiakut e të kandidonte për deputet.

Duket se ky ishte kulmi i një përplasjeje të brendshme në kampin socialist. Gjatë fushatës, kreu i PS-së e quajti kryebashkiakun e Vlorës të vdekur, ndërsa gjithmonë në aktivitetet e tij e ka shmangur.

Ndërkohë, pas zgjedhjeve duket se ka nisur edhe “hakmarrja” ndaj Lelit nga socialistët. Prej një muaji, kryetarja e Këshillit Bashkiak ka kërkuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak për të zhvilluar seanca dëgjimore me kryetarin e Bashkisë Dritan Leli.

Ata pretendojnë se në qarkun e Vlorës mungojnë investimet në infrastrukturë dhe se Bashkia nuk ka marrë masat për të përballuar sezonin turistik. Por pavarësisht këmbënguljes së tyre, deri më tani kryebashkiaku e ka shmangur një “gjyq publik”. Herën e parë që ndodhi para dy javësh, Leli nuk lejoi që mbledhja e Këshillit Bashkiak të bëhej me prani fizike.

Ai kërkoi që mbledhja të zhvillohej online, ndërsa mbylli edhe derën e teatrit duke u bërë pengesë edhe për pjesën tjetër të Këshillit Bashkiak. Mbledhja e Këshillit Bashkiak ka dështuar edhe dy herë të tjera, ndërsa ende insistohet që të mblidhen. Por, teksa kryebashkiaku Dritan Leli akuzohet nga kolegët e tij në Vlorë se nuk ka marrë masat dhe nuk ka bërë investime për pastrimin e qytetit, vërehet një vëmendje e shtuar e ndërkombëtarëve te Bashkia e Vlorës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura