Për dinjitetin e popullit dhe Republikës së Kosovës

Mar 26, 2020 | 13:07
SHPËRNDAJE
Sami Repishti
Sami Repishti

Sami Repishti, PhD.

Ridgefield, CT.-Nxitja për shkrimin e këtyne shenimeve erdhi nga leximi i nji analize të gjendjes së tanishme të Republikës së Kosovës, botue në “Peacefare.net-Peace Through Understanding”. Titulli i analizës ashtë “A bad deal” (Nji zgjidhje e keqe) dhe u postue në portalin Daniel Serwer. Profesor Serwer ashtë nji shkollar amerikan i njohun mirë në qarqet akademike; ai jep mësim në Universitetin Johns Hopkins të qytetit Baltimore, Md, dhe shumë i njohun për interesimin e tij, dhe kontributin për zgjidhjen e drejtë të “problemit kosovar”. Unë kam pasë fatin e mirë të njihem dhe të shoqënohem në disa konferenca mbi Kosovën, dhe kënaqsinë me ndigjue e lexue opinionet e tia mbi këte subjekt.

Shkrimi mban datën 13 mars 2020. Autori i analizës ashtë diplomati amerikan i pensionuem, Z. Shaun Byrnes, i cili ka sherbye si Shef Misioni Diplomatik amerikan në Kosovë gjatë viteve vendimtare 1998 dhe 1999, dy vjet para çlirimit definitiv të vendit nga okupacioni ushtarak serb, dhe rregjimi i terrorit millosheviqian.

Analiza fillon me sqarimin se Presidenti i Kosovës, Z. Thaçi, nji nga udhëheqsit e lëvizjes ushtarake UÇK, dhe Presidenti i Serbisë, Z. Vuçiq, ish ministër në qeverinë e ish-Presidentit Millosheviq, besohet se kanë përgatitë nji projekt-marrëveshje gjithëpërfshirëse që synon përfundimin e konfliktit kosovar-serb i cili “zgjatet ma shumë se nji shekull”. Flitet gjithashtu se ky projekt-marrëveshje ashtë i gatshëm për firmim nga të dy palët, por pengohet nga KM i Kosovës, Z. Albin Kurti, për dy arsye:

E para, simbas Kushtetutës së Kosovës, marrëveshje të tilla duhen firmue nga Kryeministri, kryetar i Qeverisë (jo nga Presidenti); dhe,

E dyta, dyshohet se projekt-marrëveshja përmban klauzula ku të dy palët janë dakordue me ba shkembime territoriale. Ashtë fjala për prekjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, nji element thelbësor i pavarësisë së Republikës. Presidenti Thaçi, me diplomaci personale, fillimisht ka pranue “korrigjime kufitare” por para kundërshtimit të fortë të popullsisë, ai ashtë tërheqë .

Këto “korrigjime”ose “shkembime” territoriale përfshijnë pjesë tokësore në Veri të lumit Iber të Kosovës që i shkojnë Serbisë, dhe disa pjesë të Luginës së Preshevës që i kalojne Kosovës; plus, asociacioni i komunave serbe në Kosovë, sot me autoritet të percaktuem do të zhvillohet simbas modelit “Srpska Republika” e Bosnjes, eventualisht me të drejtën e shkëputjes nga Kosova, ekstra-territorialitet për Monastiret serbe në Kosovë, jo njohje zyrtare de iure të Kosovës nga Serbia, por nji premtim serb se nuk do të pengohet antarësimi i Kosovës në OKB. Se ciii do të jetë qendrimi opozitar rus në Këshiilin e Sigurimit për këte çeshtje mbetet pyetje, megjithëse Presidenti Putin ka deklarue në vitin 2008 se “Rusia përkrahë çdo qendrim të përbashkët që mbajnë Serbia dhe Kosova. Me nji fjalë, nji premtim rus!
Le të mos harrojmë se çdo ndryshim kufijsh të njohun zyrtarisht sjellë në mënyrë te paevitueshme shkembimin e ndersjellë të popullsive vendëse – nji akt barbar në vete- eksperiencë që shqiptarët njohin shumë mirë gjatë marrëdhanjeve të tyne me shtetet fqinj: Mal i Zi, Serbi dhe Greqi. Le të mos harrojmë gjithashtu se asnji herë shkembimet tokësore kanë favorizue shqiptarët. Ata janë imponue nga “të huejtë” dhe për interesa të “të huejve”, kryesisht nga “okupatori turk”. Rastë i sotëm, ashtë rasti i parë në historinë mijëvjeçare të tokave arbënore ku ndryshimet bahen me vullnetin e lirë të shqiptarëve, dhe nuk duhen pranue.

Nji arsye e dytë ka implikime ma të gjana: Ballkani ashtë nji përziemje permanente e pakicave kombëtare me shtetet ku banojnë. Ka ardhë koha që të pranojmë pakicat kombëtare si nji fakt i jetës sonë politike, të trajtojmë ata si pjesë e pandame e dy shtetevet tona shqiptare dhe të insistojmë që pakicat shqiptare në vendet ku jetojnë të trajtohen me drejtësi dhe dinjitet. Kjo ashtë rruga europiane që na preferojmë me ndjekë, dhe zgjidhja ma demokratike. Mbyllja në suazën e shteteve kombëtare monolite i përket së kaluemes, dhe ka dhanë rezultate shkatërruese; ajo duhet abandonue. Shpresojmë me hy në nji Europë të lirë, të bashkueme, demokratike dhe paqësore, dhe duhet të japim kontributin tonë modest në këte drejtim….ashtu si veprojmë në NATO, KESB, UNESCO etj.

Kësaj situate të ngarkueme me përgjegjsinë ma të madhe duhet ti shtojmë se takimet, bisedimet, dhe përfundimet e arrijtuna janë ba në mënyrë “sekrete” dhe me udhëheqjen e Zonjës Mogherini, Komisionere për politikën e jashtëme dhe të sigurimit europian, nji zhvillim jo transparent dhe i dyshimtë për interesat tona, ashtu siç ngjet gjithëmonë me “diplomacitë personale”….
Para së gjithash, duhet të dijmë se historikisht Kosova ka humbë tokë dhe popullsi në çdo ndryshim kufini me fqinjtë. Në lidhje me Serbinë, simbas studjuesve kosovarë:

-në vitin 1833, u shperngulën shqiptarët nga Krusheva, Paraqini, Rozhaj, SokoBanje, Timok e Negotin;

-në vitin 1876-80, u shperngulën rreth 130.000 shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit, Toplice, Prokuplje, Kurshumli, Pirot, Leskovac, Vranje; ata u vendosën në Prishtinë dhe rrethe. Edhe sot kemi zonat e tyne që quhen “mehalla e muhaxhirëve” (‘lagjet e refugjatëve”). Pa numërue shqiptarët e Malit të Zi e Çamërisë.

-në vitin 1912-1919 u shperngulën qindëra mijëra shqiptarë nga Presheva Bujanovci, Medvegja, Sanxhaku etj. (pa shqiptarët e Malit të Zi dhe Çamërisë!)

-në vitet 1923-1938, rreth 400.000 shqiptarë merguen në Turqi me marrëveshje jugosllavo-turke. Gjithëherë, vendimet u morën nga okupatori pesëqind vjeçar imperatoria turke, pa aprovimin shqiptar….!

Të gjitha tokët e zbrazuna u aneksuen padrejtësisht dhe definitivisht me mjete ushtarake nga Serbia. Shkembimi i territoreve kosovare të njohuna zyrtarisht nga bashkësia ndërkombëtare si tokë shqiptare do të siellte nji pakësim tjetër të territorit kosovar, dhe nji valë të re refugjatësh shqiptarë, si dhe denimin e tyne me jetë në vorfëni. Ngjarjet e viteve 1998-99 janë nji mësim për të gjithë ne.

Kjo zgjidhje ashtë logjikisht e pa pranueshme, dhe moralisht e denueshme! Le të presim për ditë ma të mira. Koha punon për ne!

Fatkeqsisht, Administrata e Presidentit Trump kercënon Kosovën me tërheqjen e trupava amerikane nga Kosova dhe me ndërpremjen e ndihmës financiare për zhvillimin e Kosovës. Washingtoni kercënon Republikën e lirë e të pavarun të Kosovës për mosbindje. Çuditërisht, Presidenti i Kosoves, Z.

Thaçi, perdorë këte presion amerikan për luftën e tij kundër KM Albin Kurti që refuzon kërkesen amerikane. Me këte qendrim Presidenti Thaçi, shpreson me dobësue pozitën e qeverisë Kurti dhe marrjen në dorë të fatit të Republikës pa kundërshtarë të aftë me e pengue. Arsytimi i Z. Thaçi ashtë se qendrimi i KM Kurti dobëson lidhjet e ngushta që Kosova ka me SHBA-në…. Infantile!
“Udhëheqsit e Kosovës duhet të dijnë se miqësia me SHBA-në ashtë sot, dhe do të mbetet edhe nesër e fortë, pavarësisht nga mosmarrëveshja per “tarifat doganore“, thekson analisti i njohun dhe diplomati Shaun Byrns. Dhe këtu qendron kyçi i marrëdhanjeve SHBA-Kosovë. Ashtë naive me mendue se politika amerikane lëkundet simbas erës që frynë. Ajo politikë ashte realiste dhe nuk devijon pa nji arsye të shkallës së parë siç janë interesat e SHBA-së.
Në këte situatë, KM Kurti ka mbajtë qendrim parimor. Tarifat doganore do të hiqen krahas me veprime reciproke të Serbisë. Me 16 mars 2020 u hoqën tarifat për “landët e para” që përbajnë afërsisht 80 përqind të tarifave të blokueme. Tashti, ai kerkon që dialogu me Serbinë të krysohet nga qeveria e jo nga presidenca, nji kerkesë legjitime simbas Kushtetutës, dhe e përshtatëshme, sepse eliminon faktorin “sekret” të bisedimeve të deritanishme.

Qendrimi i LDK-së, pjesë e Administratës Kurti ashtë nji enigmë. Vetëm nji muej mbas formimit të Qeverisë së re, kerkesa e tyne me elimnue tarifat doganore pa asnji reciprocitet nga ana serbe tingëllon si nji akt opozitar mbrenda Qeverisë. Nji kompromis u tentue nga Speakeri i Parlamentit, Zonja V.Osmani, n/krytare e LDK-së. Ajo propozoi në sesionin e jashtëzakonshëm të Parlamentit të Kosovës, me 11 mars 2020, heqjen e tarifave dhe marrjen përsipër nga Qeveria drejtimin e dialogut me Serbinë. Përpjekje pa sukses!
Metoda e bisedimeve hap mbas hapi, e fillueme në vitin 2013 nga Bashkimi Europian për arrtijen e nji marrëveshje gjithëpërfshirëse u abandonue pa arrijtë objektivin e dëshiruem: njohjen e ndërsjellë në mes të dy palëve. Vetëm disa marrëveshje të dorës së dytë u aplikuen. Fryma sekrete “shkëmbimi i territoreve” dhe përcaktimi i pozitës së “asociacionit të komunave serbe” krijuen nji valë shqetësimi në qarqet diplomatike. Ndamja e territorit të Kosovës kercënon dhunën nga ana e popullsive të shkëputuna me forcë dhe rrezikon nji konflikt ma të madh që Kosova sidomos, nuk ashtë në gjendje me përballue. Konflikti ringjallë kerkesat shoviniste, sidomos në Serbi, dhe nga nji incident në nji atmosferë të ketillë shpërthen konflikti i armatosun. Kjo nuk lejohet nga Europa dhe SHBA.

Ndërsa BE-ja ka pershëndetë qendrimin e KM Kurti si i arsyeshëm dhe premtues, SHBA-ja e ka refuzue. Ky qendrim ka krijue dyshime edhe në qarqet politike të Kongresit amerikan. Senatori David Purdue (R.Georgia) i përkrahun nga izolacionisti Senator Rand Paul (R.Ky), Ambasadori Grenell , zyrtari i naltë i

Këshillit Kombëtar të Sigurimit, Amasadori O’Brian, folën haptazi për nji qendrim të këtill. E çuditshëm mbetet përkrahja e këtij qendrimi edhe nga Donald Trump, Jr. djali i Presidentit Trump që përsëriti kercënimet e dy senatorëve. Z. Trump, Jr . ashtë afarist privat i aftë, pa eksperiencë në diplomaci ose në fushën ushtarake

Nga këtu lindi dyshimi se ndërhymja e Z. Trump, Jr. motivohet nga përpjekjet e denduna me pergatitë terrenin për rizgjedhjen, në nandor 2020, të Presidentit Trump, i cili ka nji rekord mossuksesi në politikën e jashtëme. Nji marrëveshje kosovaro-serbe do të ishte nji “fitore” për Presidentin Trump i cili ka premtue se firmimi i marrëveshjes do të bahet në lulishtën e Shtëpisë së Bardhë, nji privilegj i rrallë. Tani per tani, dialogu do të ndërpritet deri mbas zgjedhjeve parlamentare serbe të 26 prillit 2020, por të pasigurta për arsye të epidemisë coronavirus. Analisti Daniel Serwer, në nji intervistë me gazetën Bota Sot, tha…

”Kjo duket si nji marrëveshje për shkëmbm territoresh që nuk garanton antarësimin (e Kosovës) në OKB dhe do t’i ofroj asociacionit të komunave serbe” më shumë se ka lejue Gjykata Kushtetuese. Eshtë shumë e qartë që populli i Kosovës nuk don shkembim territoresh. Pjesa e mesazhit tim per Presidentin (Thaçi) eshtë që (Ambasadori ) Grenell nuk eshtë mik i Kosovës. Eshtë fakt i njohur që ka lobim proserb shumë aktiv në SHBA”.
(Shenim: Ish Kogresmeni M. Pence, sot N/President i SHBA-se, ka qenë gjat viteve 1990-ta nji kundërshtar aktiv i pavarësisë së Kosovës, dhe përkrahës i fortë i Kongresistes Helen Deliq-Bentley, me origjinë serbe, përkrahëse e hapun e diktatorit S.Millosheviq, dhe figura kryesore e lobit serb në Washington,D.C. SR)

***
Sot, ballafaqohemi me dy faktorë kryesor të gjendjes politike në Kosovë:
I pari, zhvillimet politike të vendit dhe mungesa e akordimit të forcave politike në sherbim të kauzës së përbashkët: interesat e Republikës së Kosovës sidomos mbas ardhjes në pushtet të koaliconit të Z. Albin Kurti, kryeministër dhe aleanca me Lidhjen Demokratike të Kosoves, grumullim partiak i krijuem nga presidenti historik i Kosovës, i ndjeri Dr. Ibrahim Rugova.

I dyti, nji mirëkuptim logjik, i drejtë dhe konkret i qendrimit të botës së jashtëme, kryesisht amerikane dhe të BE-së për Republikën e pavarun të Kosovës.

KM Albin Kurti ka ardhë në fuqi mbas shumë përpjekjesh me heshtë ate dhe partinë e tij politike.Prandej, kundërshtimet që dalin sot nuk janë të paprituna. Por ai gëzon emën të mirë si luftar konsekuent kundër korrupsionit endemik në Kosovë.

Refuzimi i Presidentit serb Vuçiq me rifillue dialogun vetëm mbas votimeve të 26 prillit 2020 i jep Z. Kurti kohë të çmueshme me rishikue qendrimin e tij dhe me pergatitë nji platformë politike ma të pranueshme nga popullsia e vendit, nga “sovrani”, Përkrahja e BE-së inisiativës tij fillestare, tregon se ai shikohet me optimizëm nga Europa. Përkrahja e Speaker V.Osmani, nenkrytare e LDK-ës lehtëson barren e tij dhe kundërshtimin e organizuem të të gjithë atyne që kerkojnë përmbysjen e Qeverisë Kurti . Me gjithë përpjekjet e Presidentit Thaçi mos me heqë dorë nga drejtimi i dialogut me Serbinë, ka mundësi që Presidenti të dështojë dhe të pranojë kërkesën kushtetuese për dialog që ashtë prerogativë e Kryeministrit, jo e Presidentit. Sot, konflikti vazhdon me konsekuenca të randa për vendin, sidomos në kredibilitetin e Republikës me u vetë-administrue .

“Aleati srategjik” i Kosovës, Shtetet e Bashkueme të Amerikës, nenkupton se vlen për të dy palët: strategjia amerikane ashtë afatgjatë dhe përfshinë edhe mbrojtjen e Kosovës, pavarësisht nga ndryshimet qeveritare; ashtu siç ashtë edhe për Kosovën: miqësia e patundun me Shtetet e Bahkueme, pavarësisht nga partitë politike që drejtojnë shtetin amerikan. Presidenti Trump nuk ashtë i përherëshëm; politika e jashtëme amerikane ashtë afatgjatë dhe me synime të mirëcaktueme.

Në analizën e diplomatit Shaun Byrnes:

“Ashtë me randësi për udhëheqsit e Kosovës të mos harrojnë se nji marrëveshje gjithëpërfshirëse ashtë e pamundun perballë frymës anmiqsore që “serbët” kanë ndaj ish-krahinës së tyne. Për derisa Serbia të mos njohë dhe pranue ate që ajo ka ba në Kosovë nen shtetin e Milosheviqit, marrëdhanjet e tyne me Serbinë nuk mund të jenë normale as miqesore.”

Orientimet afatgjata të Shteteve të Bashkueme ndaj “problemit kosovar” janë përcaktue qartësisht në fjalimin e ish Kryetarit te Komisionit Senatorial Joseph Biden (D.MD), ish nenpresident i SHBA-së në Administratën Obama (2008-2016) e sot kandidati demokrat për president i SH.B.A-së në votimet e Nandorit 2020. Gjatë viteve heroike të rezistencës kosovare, ish Senatori Biden ka tregue mirëkuptim për problemin kosovar dhe ka ndihmue përpjekjet e bashkësisë shqiptaro-amerikane me internacionalizue problemin.
Mbas nji “seance dëgjimore” “Hearings” të Senatit amerikan që ai kryesonte, të mbajtun në vitin 1998, ku fola edhe unë, ai më ftoi te tryeza e tij. “Doktor, -tha-, më thuej pse kaq probleme në Ballkan? Si mendoni ju?” Unë i pergjigja se “…për sa kohë që militarizmi serb dominon politikën e jashtëme të Serbisë, Ballkani nuk gjen paqë. Asnji shtet kufitar me Serbinë paraqet kercënim për atë vend; por të gjithë shtetet ndiejnë nji pasiguri nga militarizmi agresiv serb” Åi vazhdoi: “Si mendoni ju të zgjidhet ky problem?” Unë përgjigja: “Më vjen keq Senator por nuk jam në gjendje me dhanë nji mendim të edukuem; ajo që mund të ju them me nji shkallë të naltë sigurie ashtë se nuk do të kemi paqë në atë regjon në se Kosova nuk fiton pavarësinë. Për këte jam i bindun!” Ai më shikoi në sy, më falënderoi dhe u largue.

Në nji fjalim “keynote” të mbajtun në Hotelin Sheraton, New York City, gjatë nji mbledhje të organizueme nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, me 28 prill 2002, Senatori Joseph Biden, në prezencen bi-partizane të kongresmenëve Tom Lantos (D.Ca) dhe Ben Gilman (R. NY) dhe të ftuemve shqiptarë Pjetër Arbnori, Ramush Haradinaj, dhe Arben Xhaferi deklaroi:
“Interesat e qarta të vetë Shteteve të Bashkueme të Amerikës gjatë shekullit 21 fillojnë me nji Europë të pandame, të plotë dhe të bashkueme, ‘sepse kurdoherë që Europa zbret në kaos’ bijtë e bijat tona vdesin, ekonomia e jonë dobësohet, dhe na paguejmë çmimin që kërkohet. Të paisun me kulturë, histori, dhe prirje natyrale të përbashkët, na jemi të pa aftë me u largue prej saj, dhe prej asaj që ngjet në Europë. Fati i shtatë miljonë shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik. ashtë gjithashtu kritik për interesat e vetë Amerikës. Në se legjitimiteti etnik i popullit shqiptar nuk do të njihet dhe nuk do të mbrohet, të gjitha njesitë që përbajnë ate regjon do të bijnë, dhe në se nuk jemi gati me stabilizue Ballkanin, na, Amerikanët, do ta paguejmë shtrenjtë!”
Nji formulim ma i qartë dhe ma instruktiv ashtë vështirë të gjindet!
Për shekuj me rradhë, historinë tonë e kanë ba “të huejtë” në kurrizin tonë; na e kemi pësue me rezultate tragjike dhe kercënimin e asgjasimit tonë. Ka ardhë dita të mendojmë për ne dhe për breznitë e ardhme: duhet të bajmë historinë tonë simbas interesave tona, me sigurue nji të ardhme në paqë dhe me dinjitet, sidomos me dinjitet, nji të ardhme ku do jemi të lirë nga frika e të lirë nga uria, ku do të ndiehemi krenar për të kaluemen tonë, krenar sot me qenë shqiptar, dhe me plot besim në të ardhmen tonë!
Nënshtrimi ndaj të huejit, cilido qoftë ai ose ajo, ashtë nji fenomen i së kaluemes sonë të hidhun, që nuk duhet lejue të përsëritet….. e së kaluemes jo të largët….!
“ Mos i harroni foletë, mos i harroni plagët”(Papa Françesku)
——————————————————————————————————-
Shenim: Për arsye të randësisë që ka deklarata e U.S.Senatorit Joseph Biden, ndoshta presidenti i ardhshëm i Amerikës, po japim origjinalin anglisht të deklaratës:
“….. The naked self-interest of the United States rests on the 21-st century beginning with a whole, undivided, and unified Europe, because ‘every time Europe plunges into chaos’ our sons and daughters die, our economy falters, and we pay the price. By culture, history, and inclination, we are unable to disassociate ourselves from what happens in Europe. The fate of seven million Albanian people in the Balkans is also critical to our naked self-interest. If the ethnic legitimacy of the Albanian people is not recognized and protected, all of the pieces in the region will fall apart, and if we do not stabilize the Balkans, we will pay very dearly”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura