Për Bulqizën, buxhetin dhe kolegët e mi

Nov 29, 2015 | 12:15
SHPËRNDAJE

perparim-spahiuPËRPARIM SPAHIU

Në trevat e zgjedhësve të mi, qarkullon një porosi e vjetër, se është mirë të përmendesh, qoftë për mirë, apo për keq, por mjaft të përmendesh! Pikërisht kjo po ndodh shpesh këto ditë në Tiranë. Për shembull, Bulqiza po përmendet! Rruga e Arbrit gjithashtu, rënia e çmimit të kromit, segmenti i shkatërruar nga Mati në Bulqizë, faji i kamionëve të kromit, djegia e pasurive të bizneseve private që investojnë me lejet e këtij shteti, Drejtoria e Arsimit që s’ka pushuar asnjë të djathtë nga puna, marrëveshja korrekte për ndarjen e pushtetit lokal me PS-LSI etj. etj.

Pothuajse të gjitha po përmenden, për keq a për mirë, kot ose plot. Por, që të përmendet e të përflitet se Bulqiza dhe Qarku i Dibrës po marrin më shumë fonde nga qeveria për infrastrukturën, këtë nuk e kisha menduar (!) Prej dy vitesh e gjysmë (e them me përgjegjësinë më të madhe si deputet i Qarkut të Dibrës) nuk është shtruar asnjë metër rrugë nga kjo qeveri, ose më mirë që nga fushata “e egër” e 2013-s, kur ishkryeministri i atëhershëm e vizitoi mbi 6 herë, duke urdhëruar nga halli që të shtroheshin ato rrugë, sepse vërtet nuk i dilej ashtu siç kishin përfunduar!

Mbase miku dhe kolegu im i PS-së, Artan Gaçe, që foli në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, s’e ka idenë fare, sepse dhe nuk e ka vizituar asnjëherë këtë zonë, pse jo, edhe për fajin tim. Por edhe unë s’kam pse ngarkoj veten aq shumë, pasi është vërtet e tmerrshme që për të arritur në një zonë vetëm 50 km larg Tiranës, do të duhet të udhëtosh gjithë ditën, sikurse e bëjnë çdo ditë hallexhinjtë që banojnë atje. Është pikërisht kjo zonë, që në numër ka më shumë rrugë se çdo krahinë tjetër që të sjellin në kryeqytet.

Njëra nga Kukësi, tjetra nga Rrësheni, një tjetër nga Burreli, pastaj nga Librazhdi (e paasfaltuar) dhe e fundit (mbase më e mira) nga Dibra e Madhe! Që të gjitha pa përjashtim janë minimumi tri orë larg! Pa folur për ato dhjetëra fshatra, që fjalën asfalt e kanë harruar prej dekadash dhe kërkojnë vetëm “pak çakëll” për të gjetur qytetin më të afërt! Ndërkohë nuk dua të flas për 41 punonjës që kërkohen të shkurtohen në spitalin e Matit, pasi folën kolegët e mi, majtas dhe djathtas.

Por që kolegë të mi të kundërshtojnë investime në infrastrukturë në vendin më të harruar dhe, në të njëjtën kohë, më të shfrytëzuar nga pasuritë, këtë s’mund ta pranoj. Madje, po ta dinin, nuk do ta pranonin as kolegët Robert Bitri e Artan Gaçe. Vetëm nëse ata kanë keqkuptuar ministrin Shkëlqim Cani, që për fat të mirë, ose të keq, është zgjedhur nga Qarku i Dibrës. Në mos qofsha unë i keqkuptuar me të gjithë, përveç zgjedhësve të mi!

*Deputet i LSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura