Për birra në lozhën e Teatrit të Operës dhe Baletit

Nov 24, 2014 | 14:24
SHPËRNDAJE

Në lozhën e Teatrit të Operës dhe Baletit, të enjten, gjatë premierës së “La Boheme”
Asnjëherë nuk ta pret mendja se ku do të të dalë lajmi. Më shumë sesa lajmi, në fakt çudia. Të enjten në mbrëmje, në Teatrin e Operës dhe Baletit, ishte premiera e operës “La Boheme”. Ngjante impenjativ angazhimi i të ftuarve o atyre që kishin blerë biletat, tek i shihje të hynin në hollin e teatrit. Ok, nuk është se nevojitet aq shumë parfum, po sidoqoftë… deri në momentin që nuk e di nga të vjen e ku do shkojë, uron që aroma të mos jetë ngjitur me karrigen tënde. Sigurisht! Nuk mund të ishin askund tjetër, vetëm dy karrige më larg. Mjaftueshëm për të dëgjuar çdo hungërimë që e shisnin për batutë dhe për të dalluar të kuqin e buzëve që në fakt prej fryrjeve të njëpasnjëshme, mbërrinte deri te qeset e poshtësyrit. Qese kishe ti, jo ato, por sa për ta lokalizuar si zonë. Ishin katër vajza, bionde të hershme, që zunë vendet e tyre në lozhë, pesë minuta përpara se të niste shfaqja. Deri te selfie-t që bënë të gjitha me radhë, gjithçka është e kuptueshme. Ç’kuptim do të kishte gjithë investimi në rroba e në grim (sa keq që nuk përcillet edhe aroma!) nëse nuk do të ekspozohej, sidomos kur je e pranishme në një aktivitet kulturor të nivelit të operës. Asnjë pra, e dimë tashmë të gjithë, ndaj, siç thamë, deri këtu gjithçka ishte për t’u përgëzuar.
Pastaj pati një prag hutimi. Vinte, siç duket, nga kureshtja e parë e një gjëje të panjohur. E dini, tamam ai fëmija që i premton se do t’i tregosh një lodër që e zhgënjen menjëherë, edhe pse, shikimin nuk ka denjuar t’ia hedhë as me të dy sytë. Ashtu!
Ndërkaq, të gjithë ishin në vigjiljen e Vitit të Ri, atij të riut të 1830. Dhe fundja, ç’faj kishte grupi ekzotik, pse t’i tërhiqej vëmendja nga një apartament i shkretë si ai i piktorit Marcello dhe shkrimtarit Rodolfo, që kulmin e batutës e vërtisnin rreth punës e rreth të ftohtit, që i pengonte pikërisht për të punuar. E kur të dyve u bashkohet edhe një filozof si Collin me Schaunardin muzikant, imagjinoni sesa e mjerë që bëhet e gjitha. E padurueshme! Me siguri që vajzat dikush duhet t’i kishte ndriçuar me sinopsin që më parë, sepse, siç u kuptua fare pak minuta më vonë, kishin marrë çdo masë. Ndërsa akti i parë i “La Boheme” kishte filluar, nisën bisedat se sa e gjatë mund të jetë, se kur mbaron, ç’do të bëjmë më vonë e të tjera plane argëtuese që do servirte nata. Bashkë me vajzat ishte edhe një djalosh i bollshëm që për disa minuta u zhduk. E ndërsa ti mendon se më në fund salla e Teatrit të Operës nuk ngjan fare me ftohtësinë për të cilën po këndojnë artistët që je duke parë, hapet dera. Djali që kishte munguar, por që e priste vendi bosh, shoqërohej nga një tjetër, hollak, që mbante në duar një tabaka. Deri sa ftillohesh se ajo që je duke parë nuk është pjesë e shfaqjes, duhen disa minuta. Tabakaja e djalit mbante mbi vete 4 birra dhe nja dy enë të vogla metalike që nga zhurmat e përtypjeve duhet të ishin të mbushura me patatina e kikirikë. Po, birra! Vërtet, në një minutë, të kalojnë gjithë filmat e vjetër anglezë, gjithë lozhat private të aristokratëve, por jo… askund nuk ishte parë. Po Julia Roberts, a po pinte ndonjë gotë shampanjë te “Pretty Woman” kur po shihte Traviatën?! Jo, jo, jo! Ajo, e shkreta, vetëm sa po qante! Po aty, aty jashtë te dyert që të fusnin në lozhën me dy radhë karrigesh, shkruante “është rreptësishtë e ndaluar në lozhën qeveritare hyrja e personave që nuk janë të pajisur me ftesën o mjetin identifikues përkatës” (diçka e tillë). Dhe të mendosh që për të mbërritur deri në katin e dytë, kamerierit të barit i është dashur të përshkojë tërë atë rrugë gjatë së cilës askush nuk e ka ndalur, megjithëse shishet e birrës ngriheshin krenare sa për të mbuluar të gjithë fytyrën e tij. Siç, tani mund të parafytyroni, për të pranishmit më të afërt të qejflinjve, opera u prish. Nuk dëgjohej më sepse birra e do edhe pak muhabet, nuk shtyhet në të thatë. Ndërkaq, akti i parë kishte shkuar në fund sepse dritat u ndezën. Nuk kishe parë e dëgjuar asgjë! Vetëm llomotitje zhurmash në kokë që vetëm në opera nuk mendoje t’i gjeje. Kjo e pëshpërimave, është situatë e zakontë nëpër të gjitha sallat e kinemave, teatrove a opera qofshin, por birra nuk ishte parë! Na ndjeni nëse do t’ju duket edhe ju ngjarje e zakonshme sepse mund ta keni dëgjuar tjetër herë… ne nuk e kishim parë! Nuk pamë as premierën e “La boheme” që premtonte vërtet për mirë. Kishte mbaruar akti i parë. U pi një cigare që paralajmëronte një birrë të dytë! Sikur Znj. Kumbaro të kishte qenë ca më afër ahengut, do të kishte dëgjuar e mbase do të kishte ndërhyrë, por zotërinjtë që humbën thuajse gjithë shfaqjen, qortimin më të ashpër, kishin kthimin e kokës drejt tyre. Gjest ky që, “të zotëve” me siguri u përkthehej “Ç’zili na paskan!”. Kjo nuk ishte “La Boheme”. Shfaqja, siç thanë të nesërmen ata që kishin pasur fatin ta shihnin të gjithën, kishte qenë e mirë. Ishte vetëm një cep i fëlliqur që mund të përsëritet e ndaj të cilëve duhen marrë masa!

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura