Për Ballkanin apo për një rol të ri?

Dec 12, 2017 | 11:31
SHPËRNDAJE

leonidha mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Këto ditë përfundoi në Beograd Takimi i Kryeministrave të Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Presidentit të Serbisë, për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe diskutimin e disa projekteve të përbashkëta në infrastrukturë për tubacionet e gazit, për ato në hekurudha dhe autostrada. Takimi ishte zgjatim i atij që u organizua  në Varna dy muaj më parë, më 3 tetor dhe që do të ndiqet nga takimi i ardhshëm në mars, në Rumani.

Ajo çka kujtdo i tërheq vëmendjen është fakti: Mospjesëmarrja në to e vendeve të tjera të rajonit, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjë- Hercegovinës, teksa Serbia ishte pjesëmarrëse e këtij takimi. Me sa vihet re, synimi i tri vendeve anëtare të Bashkimit Europian lidhet me marrjen e një roli kyç, nëpërmjet kësaj nisme, për stabilitetin, paqen dhe prosperitetin e rajonit të Ballkanit.

Qysh në Varna, Kryeministri grek, Tsipras, në një konferencë për mediat, duke përsëritur dhe qëndrimin e kolegëve të tij, kërkoi nga Bashkimi Europian që të korrigjojë gabimin e madh ndaj rajonit, për të mos e lënë atë jashtë familjes europiane. E tërë kjo nuk mund të kamuflojë përpjekjet për krijimin e një imazhi të ri, në rastin konkret të Greqisë, përballë rakitizmit të derisotëm të BE-së. Retorika e Tsipras, kur është fjala për zgjerimin e këtij organizmi, dhe pse Greqia është anëtare, e kalon pa u ndierë, për të këmbëngulur në avantazhet e Serbisë në BE.

Të katër vendet, në rolin e ri që ndërmarrin, i atribuojnë vetes drejtimin e përbashkët të Ballkanit, me marrjen në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm të kryesimit të BE-së nga Bullgaria. Katër vendet, pra, duke përfshirë dhe Serbinë, pjesëmarrëse në takim, sipas tyre, e bëjnë Ballkanin të sigurt. Të tjerët, thuajse nuk ekzistojnë për to. Çfarë ka pas këtij sfondi?

Për Greqinë, Serbia është aleat i ngushtë i saj, një dashuri e njohur dhe aspak platonike apo e rastit, në kuadër të marrëdhënieve të tyre të veçanta. Duket, ortodoksizmi dhe lidhjet sllave i bëjnë më të ndjeshme këto marrëdhënie dhe për vendet e tjera, organizatore të takimeve të mësipërme, sikurse janë kartë e rëndësishme dhe për Rusinë. Ndryshe, si mund të shpjegohet qëndrimi mospërfillës, i mbajtur prej tyre ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor?

Nga ana tjetër, inkurajon ato qëndrime të Serbisë, të cilat shkojnë ndesh me Bashkimin Europian, modernizimin e vetë rajonit, duke mbajtur gjallë çdo klimë tensioni të tij. Janë këto arsyet që e bëjnë Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, të flasë në këto takime për “padrejtësitë e shkaktuara mbi Serbinë, për pësimin e trefishtë të saj”.

Nga ana tjetër, kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, vazhdon dhe këto ditë të shtojë zhurmën për “gabimet” e Bashkimit Europian në njohjen e shtetit të Kosovës, të cilën, ish-ministri i qeverisë së Millosheviçit e shikon si “hapje të kutisë së Pandorës, me pasoja për të ardhmen”. Një retorikë kjo, që është fryrë gjatë kësaj kohe së bashku me ecejaket dhe letrat e udhëheqësve serbë, drejtuar vendeve anëtare të BE-së dhe shteteve të tjera për t’u tërhequr nga njohja e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Ana tjetër. Nisma si kjo e katër vendeve, për shkak të rolit që duan të marrin, sikurse kemi theksuar dhe herë tjetër, janë një përsëritje, këtë radhë e zbehtë e nismave të tjera. Organizatorët e Takimit të Varnës dhe Beogradit e njohin mirë atë që quhet “Nisma e Berlinit”, ku me kujdesin e veçantë të Kancelares gjermane, Merkel, por dhe me mbështetjen e vendeve të tjera, u organizua në Berlin Konferenca e parë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Dhe jo me “të preferuarit”, por me të gjitha këto vende, që në rrugën e integrimit europian të tyre, të kenë bashkëpunim aktiv dhe me më tepër kurajo për të rrëzuar ato barriera, që asfiksojnë marrëdhëniet mes tyre, forcimin e reformave strukturore. Këto nisma pas nismash nuk mund të gjallërojnë kohezionin e vendeve të rajonit tonë. Takimi i Beogradit të sjell vetvetiu në mendje Takimin e Krajovës në Rumani, thuajse, edhe me të njëjtin format të tij, mbajtur dy vite më parë: E njëjta pjesëmarrje, Rumani, Serbi, Bullgari.

Një aleancë e re e këtyre vendeve. Grupime të tilla mendojmë se krijojnë më shumë pështjellim te vendet e tjera, në vend të integrimit të tyre në BE. Takime, nisma do të ketë, por, së pari, duhet të jetë i qartë misioni i tyre. Jo të dublojnë, madje, të dublojnë keqas. Ndërkohë, nuk të pengon kush për lobim, por jo të mbetesh në aleanca të tilla, që dashur pa dashur mund të krijojnë shqetësim për rajonin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura