Për aleancën e panevojshme PS-LSI

Mar 17, 2018 | 13:40
SHPËRNDAJE

ALFRED PEZAalfred peza

Në disa media periferike, kryesisht pranë LSI-së, sirenat kanë filluar që të përhapin zërat që kërkojnë të ndjellin një aleancë të re të kësaj partie me PS-në. Janë mediat, që kryesisht ose bëjnë protagonistin pa shkak, ose shpërndarësen e tezave që dalin nga selia e LSI-së, thjesht edhe ashtu kot sa për të testuar opinionin. Ose hidhen në treg për të mbajtur me optimizëm të vetët, ose për të çuar ndonjë mesazh që të dëgjohet nga veshët që ajo dëshiron.

Nëse do ishte thjesht dhe vetëm kështu, as që ia vlente të ulesh e të shkruash qoftë edhe këto radhë, e jo më të rrekesh të kuptosh nëse e gjitha kjo ka ndonjë bazë reale apo thjesht janë tymueset e zakonshme mediatike, që ndizen sa për të shtyrë ditën e radhës.

Ka disa media të tjera, relativisht të besueshme për çështje informacionesh të tilla, të cilat kanë postuar lajme pak më konkrete. Duke shkuar deri atje sa të shprehen se e gjitha çfarë flitet nën zë, nuk është thjesht një sajesë. Por një përpjekje konkrete për një përafrim të ri mes dy partive të majta shqiptare drejt një aleance të re, afatgjatë, serioze dhe në kufijtë e një pakti strategjik për vitet e ardhshme. Një tratativë afrimi edhe me ndërmjetës, të cilët ndryshe nga marrëveshja e 1 prillit, nuk vijnë nga brenda Shqipërisë, por nga Kosova.

Këta zëra arrijnë të bëhen më të besueshëm nisur nga tri detaje që e ushqejnë këtë diskutim:

E para, nga “zhdukja” për ca kohë e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhit, nga skena publike dhe mediatike, për shkaqe të pashpjeguara qartazi prej saj.

E dyta, edhe kur ridoli në një bashkëbisedim me gazetarët, tonet e saj u lexuan si relativisht më të buta se më parë në drejtim të PS-së dhe Ramës. Gjë që u përkthye si një mundësi për të ribashkuar votat me maxhorancën qeverisëse edhe në të ardhmen, siç u bë pak ditë më parë për vettingun në Policinë e Shtetit.

E treta, zërat e ndryshëm janë munduar që ta lidhin ribërjen e aleancës PS-LSI, edhe me faktin se PD-ja e Lulzim Bashës po shkon nga gabimi në gabim nëpërmjet ekspozimit të problemeve të brendshme, e deri te skandali më i fundit i çështjes së financimit të lobimit në SHBA, me para të dyshimta ruse.

Në vend që ta mbrojnë, këta zëra duket sikur e ekspozojnë më keq LSI-në, duke e bërë të duket siç nuk është në fakt; një parti që vuan nga “sindroma e kungullit”. Të cilit i duhet domosdoshmërisht të mbështetet mbi një “hu”, për të qëndruar në këmbë.

Përtej të gjitha hipotezave dhe zërave, një gjë duhet thënë qartë: Aleanca mes PS-së  dhe LSI-së është e panevojshme, sidomos tani.

Kjo aleancë është e panevojshme për aq kohë sa ende nuk kanë nisur të thahen plagët e aleancës së parë mes tyre, 2013-2017.

Kjo aleancë është e panevojshme për aq kohë sa të dyja partitë kanë vetëm pak muaj që kanë nisur një mandat të ri politik, njëra e vetme dhe në qeverisje dhe tjera pas 8 vjetësh në pushtet, si një opozitë e re parlamentare.

Kjo aleancë është e panevojshme për aq kohë sa zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme parlamentare, që bëhen edhe shkak ose sebep për aleanca të tilla, duan edhe tre vjet e gjysmë që të vijnë.

Kjo aleancë është e panevojshme, për aq kohë sa LSI-ja është më e dobishme për veten e vet, por edhe për demokracinë shqiptare, si opozitë reale sesa si një bisht i zvarritur i qeverisjes, e cila nuk rrezikohet as nga ndonjë krizë e brendshme, as nga ndonjë krizë legjitimiteti dhe as nga numrat në Parlament.

Fakti që PD-ja është në krizë, është një arsye edhe më shumë se përse LSI-ja e ka të domosdoshme qëndrimin e saj në opozitë. Kjo nuk do t’i bënte mirë jo vetëm shëndoshjes së njërës prej pasurive më të mëdha të sistemit tonë demokratik që është opozita, por edhe vetë LSI.

Kjo parti duhet të forcohet nëpërmjet kalimit të sprovave të vërteta të qëndrimit jo vetëm në pushtet dhe jo vetë gjatë këtij mandati në opozitë, por ndoshta edhe gjatë një mandati tjetër. PS-ja dhe PD-ja kanë plot 20 vjet me radhë që e kalojnë këtë cikël, kur herë njëra e herë tjera, kanë qëndruar nga 8 vjet, për dy mandate me radhë në opozitë, derisa janë rikthyer sërish në pushtet.

alpenews.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura