Për 21 janarin

Jan 23, 2018 | 11:33
SHPËRNDAJE

pellumb nakoPËLLUMB NAKO

21 janari mbeti datë që kujtohet. Jo datë që rikujton katër viktima. Aq shumë zhurmë e akuza bëhen, saqë nderimi për ta nuk vihet re fare. Ata mbeten humbësit e vërtetë dhe pagues të përjetshëm të faturave të etjes së shfrenuar për pushtet. Madje, gjithë skenarët e kësaj dite janë mësuar përmendësh. Flitet për drejtësi të munguar. Për politikanë kriminelë. Shumë pasion dhe shumë mllef. Skenar ideal për spekulim me ndjenjat. Për populizëm. Dhe aq më tepër, kur me vete ke një tabor të tërë mjetesh propagandistike, efekti është shkatërrues për kundërshtarin.

Kur ka dhimbje, natyrshëm, në reagim ka edhe pasion. Kur ka pasion nuk ka analizë të ftohtë. E vërteta e institucioneve ligjore vihet në pikëpyetje nga ato politike. Komentet, analizat, së bashku me autorët e tyre, ndjekin këtë të fundit. Jeta është e shtrenjtë dhe askush nuk ka të drejtë të ta heqë. Viktimat janë aty. Bashkë me dëshirën e zjarrtë për të vërtetën. Përpos hetimit, një analizë e ftohtë,neutrale, në gjendje të marrë në shqyrtim shkaqet dhe pasojat e ngjarjes, aspektet e funksionimit dhe të mosfunksionimit të institucioneve, me dashje ose pa dashje, atmosferën sociale e politike të asaj kohe, ngarkesën psikologjike që kushtëzoi veprimet e të gjithë aktorëve atë ditë, jo vetëm do ta nxirrte fajtorin më pak fajtor dhe mbrojtësin e zjarrtë më afër fajit, por do të shërbente në parandalimin e ngjarjeve të tilla.

E vërteta, përveç se ligjore duhet të jetë edhe morale. Duhet e plotë. Dhe analiza duhet të fillojë me identifikimin e elementëve të rëndësishëm, për të cilët vërtetësia është absolute dhe e pranuar nga të gjithë. Dihet, dhe është fakt që më 21 janar, në krye të manifestuesve ishte një turmë shumë agresive, e cila më të mbërritur para policisë, filloi ta masakrojë atë me mjete të forta. Dihet, dhe është fakt se Policia rendit, si organ i specializuar i Policisë së Shtetit në drejtim të menaxhimit të manifestimeve, ishte vendosur në vijën e parë.

Në kontakt direkt me manifestuesit. Duke marrë parasysh situatat e pakontrolluara që mund të ndodhin gjatë një manifestimi, ku logjika e individit përpihet nga instinktet e turmës, ku humbja e gjakftohtësisë së ndonjë punonjësi policie përball dhunës mund të çojë në përdorimin e armës prej tij, megjithëse e mirëtrajnuar dhe me eksperiencë, policisë iu hoq gjithë armatimi, përfshi edhe pistoletën ,të cilën e ka për mbrojtje personale. Megjithatë, sulmi mbi të ishte barbar.

Dihet, dhe është fakt se pas rreshtave të policisë, e ndarë nga një gardh metalik, në brendësi, ishte vendosur Garda e Republikës. Institucion tjetër i sigurisë ky, po ashtu në varësi të Ministrit të Brendshëm. Me trajnim dhe eksperiencë në ruajtjen e objekteve qeveritare dhe aspak e trajnuar ( pasi nuk e ka në funksion) në përballimin e manifestimeve publike apo të ndonjë turme agresive.

E armatosur, sipas ligjit, me armë automatike, ajo nuk ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me turmën dhe as nën presionin e goditjeve të saj. Dihet dhe është fakt se kur policia, për të shpërndarë manifestimin, hodhi gazin lotsjellës, i shtyrë nga era, ai ndikoi më shumë mbi policinë. Nën efektin e tij, pa pajisjet e duhura, policia e braktisi vendin ku ishte dislokuar dhe në një moment të dytë, turma agresive u ndesh përballë me Gardën e Republikës.

E stresuar, e tensionuar,e frikësuar, e gjitha pothuaj në moshë të re, por e armatosur, e ndodhur papritur nën dhunë, Garda e Republikës nuk ishte aspak e përgatitur të përplasej me turmën. Nuk kishte as formimin e nevojshëm, as mjetet (mburojat) dhe aq më pak eksperiencën e duhur. E gjithë kjo nuk hyn në funksionet e saj. Dhe në situata të tilla të rënda dhune masive, nuk është habi që institucioni të shkërmoqet në grumbull individësh dhe arma, para se të shkrepet në ajër, të qëllojë pa dashje drejt dhe po ashtu nuk është e pamundur që, edhe ndonjë individ të dalë jashtë kontrollit. Nuk duhet më shumë për një katastrofë.

Ndryshe nuk ka asnjë arsye që viktimë të mos ngelet asnjë nga “grupi i sulmit”, por njerëz tërësisht paqësorë dhe pa asnjë lidhje me dhunën. Dhe katastrofa ndodhi. Në një manifestim, forcat e policisë nuk duhet të kenë armë zjarri. Dhe ato nuk kishin. Në një manifestim, organizatorët nuk duhet të dërgojnë manifestuesit drejt një force të sigurisë, të cilës ligji i njeh mbajtjen e armëve automatike. Dhe ata aty i dërguan. Ajo që vijoi më pas, është ekzaktësisht ajo që nuk duhej të ndodhte. Menaxhimi i situatës u bë shumë i vështirë.

Nga njëra anë dhe mbi të gjitha, duhej garantuar mosshkërmoqja e institucioneve të sigurisë ( atmosfera e vitit 1997 ishte shumë e ndjeshme), dhe nga ana tjetër, duhej garantuar një proces hetimor neutral për të zbardhur ngjarjet. Ishte polarizimi politik, ai që do të dominonte. Publiku i hutuar. E vërteta e pabesueshme. Gabimi i dukshëm. Marrja në mbrojtje e institucioneve u quajt mbrojtje e kriminelëve. Mosbesimi ndërmjet organeve, ku zotëronin ndikime rrymash antagoniste politike dhe që ligji i ka vënë për të punuar bashkë, gabimet e disa urdhrave ndalimi e më pas moszbatimin e tyre e quajti fshehje apo prishje provash.

Mungesa e eksperiencës për të menaxhuar panikun do të bënte po ashtu dëme të pallogaritshme. Dhe më shumë vend zuri vreri, vënia ndër këmbë e kundërshtarit, loja me ndjenjat. Frikë ngado. Megjithatë ,një pyetje ngelet: Përse u sulmua aq përbindshëm policia? Policia u godit, u provokua që të bënte gabime. Gabimet e saj mund të krijonin kaos. Kaosi ka viktima. Policia nuk bëri shumë gabime. Garda po. Kush fitoi? Viktimat sigurisht që jo. Ajo që nuk duhet të ndodhë dhe nuk ka për të ndodhur më 27 janar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura