Pensionistët, OSHEE fal kamatëvonesat e energjisë. Përfituesit dhe kushtet

Feb 12, 2016 | 13:43
SHPËRNDAJE

Pensionistët kryefamiljarë do të përfitojnë nga skema e faljes së kamatëvonesave për detyrime të energjisë së papaguar me ulje këstesh në fund të vitit.

pensioniste1Bëhet fjalë për detyrimet e krijuara para datës 30 nëntor 2015 dhe përfitues janë 40 mijë pensionistë kryefamiljarë. Kusht përfitimi është lidhja e një aktmarrëveshjeje me OSHEE-në.

OSHEE-ja ofron dy skema lehtësuese për pensionistët. Në skemën e parë ftohen pensionistët familjarë për të paguar detyrimet e papaguara të energjisë me këste dhe në rast se ata e paguajnë rregullisht për një vit, iu falen kamatëvonesat kundrejt pagesës simbolike prej 20 lekësh.

Kategoria tjetër përfituese është për ata pensionistë që kanë një marrëveshje me OSHEE-në për detyrimet e prapambetura, kësti i pagesës iu ulet 1200 lekë në muaj dhe në fund kamatëvonesat u falen duke paguar vetëm 20 lekë.

KATEGORIA E PARË

Në kategorinë e parë përfituese OSHEE-ja ofron për të gjithë pensionistët kryefamiljarë që kanë detyrime të lindura para datës 30 nëntor 2015 lidhjen e një aktmarrëveshjeje për të përfituar faljen e kamatave. Këta përfitojnë këste më të vogla dhe në rast se paguajnë rregullisht energjinë gjatë vitit 2016.

Po ashtu këta pensionistë në fund të vitit përfitojnë edhe nga falja e kamatëvonesave me një pagesë simbolike prej 20 lekësh.

Për të lidhur aktmarrëveshjet pensionistët duhet të paraqesin në sportelet e OSHEE-së certifikatën familjare, dhe shkëputja e anëtarëve të tjerë të trungut familjar duhet të jetë bërë para 1 dhjetorit, kartën e identitetit, librezën e pensionit dhe librezën e energjisë.

KATEGORIA E DYTË

Kategoria e dytë përfituese janë të gjithë pensionistët që kanë një aktmarrëveshje me OSHEE-në për pagesat me këste të detyrimeve të prapambetura, duke iu ulur kësti në 1200 lekë në muaj.

Edhe kjo kategori duhet të jetë e rregullt në pagimin e energjisë. Në rast se paguan rregullisht deri në fund të vitit 2016, tashmë me këste të ulura, atëherë me një pagesë prej 20 lekësh i falen të gjitha kamatëvonesat e energjisë së papaguar. Operatori i Energjisë Elektrike sqaron se kushtet për përftim të reduktimit të këstit të energjisë është paraqitja në sportel për përditësimin e të dhënave të energjisë elektrike.

Edhe këta pensionistë duhet të sjellin në sportelet e OSHEE-së certifikatën familjare, dhe shkëputja e anëtarëve të tjerë të trungut familjar duhet të jetë bërë para 1 dhjetorit, kartën e identitetit, librezën e pensionit dhe librezën e energjisë. Kategoria e dytë përfituese janë të gjithë pensionistët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura