Pensionistët, lista e re e dokumenteve të kompensimit të dritave

Apr 17, 2015 | 14:50
SHPËRNDAJE

Pas radhëve të gjata për plotësimin e dokumenteve, tre ministrat kanë vendosur të ndryshojnë procedurën për kompensimin e dritave. Bëhet fjalë për dokumentet që duhet të plotësojnë pensionistët, në mënyrë që të përfitojnë kompensimin 648 lekë në muaj, nga rritja e çmimit të energjisë.

Ministri i Mirëqenies, Veliaj, ai i Financave Cani dhe i Energjisë Gjiknuri kanë vendosur të shtyjnë afatin deri në fund të qershorit për plotë- simin e dokumenteve dhe të heqin detyrimin për marrjen ë vërtetimit si punëkërkues në zyrat e punës. Udhëzimi i ri, pritet të publikohet këto ditë, bashkë me dy ndryshimet që do të lehtësojnë ndjeshëm procedurat për të paktën 83 mijë pensionistë që përfitojnë nga skema e kompensimit.

NDRYSHIMI I DOKUMENTEVE

Për të vërtetuar se plotëson kushtet, në udhëzim janë përcaktuar disa dokumente që duhet të plotësojnë pensionistët. Së bashku me deklaratën (formulari), kryefamiljari pensionist/invalid duhet të paraqesë pranë agjencive lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit: fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit; certifikatën familjare për invalidët; fotokopjen e librezës së energjisë elektrike që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara, si dhe për anëtarët madhorë të familjes vërtetimin nga zyra e punës që janë punëkërkues të papunë. Është pikërisht pika e fundit, vërtetimi nga zyrat e punës, ai që do të hiqet.

Në ndryshimin e ri, pensionistët nuk do të dorëzojnë vërtetimin nga zyrat e punës, por vetëm një deklaratë të nënshkruar nga ata, se nuk kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar. Kontrolli në këtë rast do të bëhet nga vetë zyrat e punës, nëse deklarata është e saktë apo e rreme. Kjo do të shmangë radhët e gjata në zyrat e punës, si dhe kërkesat në rritje për këtë dokument.

NDRYSHIMI I AFATIT

Kompensimin e energjisë elektrike e përfitojnë rreth 83 mijë pensionistë. Këta janë kryefamiljarë të cilët deri më datë 1 janar 2015 merrnin kompensim të energjisë sipas vendimeve të mëparshme. E gjithë kjo kategori, sipas udhëzimit të ri, do të marrë automatikisht, nga data 2 shkurt edhe kompensimin e ri të energjisë 648 lekë/muaj.

Në udhëzim përcaktohet se kjo kategori duhet që brenda datës 27 prill të rinovojë dhe dorëzojë sërish në ISSH listën e dokumenteve që vërtetojnë se janë kryefamiljarë pa asnjë person në familje të punësuar apo që krijon të ardhura.

Për shkak të dyndjes së madhe në zyrat e ISSH, qeveria ka vendosur që ky afat të shtyhet deri më datë 27 qershor 2015. Pra të gjithë pensionistët, që aktualisht marrin kompensimin e energjisë, kanë edhe dy muaj kohë për të vërtetuar se i plotësojnë kushtet.

Ja çfarë parashikon udhëzimi: “Me qëllim që gjenerimi dhe pagesa e kompensimeve në favor të përfituesve të kryhet pa krijuar shqetësime, fillimisht nga ISSH si dokumente që përcaktojnë të drejtën e përfitimit janë të vlefshme ato dokumente të cilat shërbejnë për dhënien e kompensimit sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.565, datë 09.08.2006 “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike”. Rideklarimi për efekt të përfitimit të kompensimit, sipas VKM nr.8/2015 dhe vlerësimi i kushteve për vazhdimin e kompensimit do të bëhet brenda 3 muajve nga fillimi i pagesave, duke bërë edhe sistemimin e efekteve financiare në rast të përfitimeve të padrejta”. Fjalia brenda tre muajve, ndryshon dhe bëhet deri më 27 qershor 2015.

Por, pse duhet rivërtetimi? Në udhëzim përcaktohet se në rast se një pensionist kryefamiljar nuk vërteton se nuk ka të ardhura të tjera nga pjesëtarët e familjes, atëherë atij i ndërpritet kompensimi, pra shuma 648 lekë/muaj, dhe duhet të kthejë mbrapsht të gjithë shumat e marra paraprakisht.

Nertila Maho 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura