“Pensionistët janë të braktisur nga qeveria këtë fundvit”- Deputetja e PD-së: Të moshuarit nuk meritojnë lëmoshë për propagandë, por trajtim me dinjitet

Dec 4, 2022 | 11:09
SHPËRNDAJE

Deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri, e ka cilësuar si një lëmoshë për propagandë shpërblimin prej 5 mijë lekësh të reja që qeveria u ka akorduar pensionistëve për festat e fundvitit.

oriolapampuri

Përmes një postimi në facebook, Pampuri shkruan se të moshuarit kanë nevojë për një trajtim të denjë teksa përballen me rritjen galoponte të çmimeve deri në 40%.

Ajo shton se trajtimi me dinjitet pensionistëve nuk është vetëm një politikë e drejtë por dhe një detyrim moral që çdo qeverisje ka ndaj atyre që kanë kontribuuar për ndërtimin e vendit.

“Në këtë fundvit mbi 600 mijë pensionistë në Shqipëri do të ndjehen edhe më të braktisur nga vëmendja e qeverisë.

Fondi i bonusit të fundvitit prej 5 mijë lekë do të jetë i pamjaftueshëm për të plotësuar nevojat që dhe ato si në çdo familje të mund të përballojnë shpenzimet e rritura.

Ndërkohë kur çmimet e shportës ushqimore bazë janë rritur së paku, deri në Tetor sipas INSTAT, me 20% e deri 40% dhe ku sipas parashikimit të Bankës së Shqipërisë rritja e çmimeve mund të vijojë edhe më tej, “5mijë lekëshi” nuk do të sjellë asgjë të re.

Pensionistët duhet të kenë një trajtim për jetesë të denjë dhe jo ti ofrohet një lëmoshë për propagandë qeveritare.

Fatkeqsisht as për vitin e ardhshëm situata e pensioneve nuk do të përmirësohet pasi fondit nuk i parashikohen as shtesë për indeksim e as një paketë sociale mbështetjeje aq shumë të nevojshme nisur nga situata e vështirë ekonomike.

Edhe pse Partia Demokratike paraqiti amendime në buxhetin 2023 për mbështetjen e familjeve me të ardhura të ulta, pensionistëve dhe atyre më pak të avantazhuar, sërisht maxhoranca e majtë preferoi të prioritizonte shpenzimet në rritje për PPP e konçesione e zyra luksoze.

Mbështetja dhe trajtimi me dinjitet i pensionistëve nuk është vetëm një politikë e drejtë për barazi sociale dhe mundësi për çdo qytetar por është mbi të gjitha një detyrim moral që çdo qeverisje dhe shoqëria kanë ndaj sakrificës, punës dhe kontributit që ai brez ka dhënë për zhvillimin e vendit”, shkruan Pampuri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura