Pensionet, zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për njohjen e viteve të punës

Feb 22, 2018 | 19:01
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Deri në vitin 2032, “paketës” së sigurimeve që një grua ka, do t’u shtohen edhe vitet e shkollës së lartë. Pra, koha kur ka kryer studimet universitare dhe pasuniversitare, do të njihet si periudhë kontributive dhe do të llogaritet për efekt pensioni, shkruan “Panorama”.

kushtetuese

Kjo e drejtë ligjore e fituar që në vitin 2000, ka marrë mbështetje edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka vendosur të lërë në fuqi nenin 91/4, të ligjit nr. 7703, në të cilin thuhet shprehimisht se “periudha e kryerjes së studimeve në shkollën e lartë, me shkëputje nga puna për gruan, duke filluar nga data 1.9.2000 dhe deri më 31.12.2032, pavarësisht nga vendi ku janë kryer studimet dhe jo për më shumë se 6 vjet, njihet periudhë sigurimi për efekt pensioni pleqërie”.

VENDIMI

Në vendimin e marrë më 14 shkurt dhe botuar dje në fletoren zyrtare, Kushtetuesja ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Gjykatës Administrative të Apelit Vlorë, e cila në padinë e depozituar e cilë- sonte diskriminues për burrat këtë nen të ligjit.

Trupa me anëtarë: Vitore Tusha, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari, Besnik Imeraj dhe Fatos Lulo, e drejtuar nga Bashkim Dedja, ka hedhur poshtë pretendimet e Gjykatës së Vlorës duke mos e legjitimuar këtë kërkesë. Në vlerësimin e bërë, thuhet se kjo Gjykatë kishte mundësi ta zgjidhte çështjen në mënyrë të pavarur, pa iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Një qëndrim të kundërt me shumicën kanë mbajtur 2 anëtarët Bashkim Dedja (kryetar) dhe Vitore Tusha. Ndonëse në thelb mbështesin vendimin final, ata kanë dhënë argumente plotësuese se përse nuk është pranuar kërkesa.

ARGUMENTET

Në vitin 2000, kur nisi zbatimin kjo skemë, mosha e daljes në pension për gratë ishte 55 vjeç, ndërsa periudha e sigurimit e kërkuar ishte 28 vjet. Nga përfundimi i shkollës së lartë gruaja nuk plotësonte periudhën e sigurimit që kërkohej.

Ndërsa burrat, në vitin 2000, e kishin moshën për pension 60 vjeç dhe periudhën e sigurimit 31 vjet, të cilat mund t’i plotësonin. Nga diferenca e këtyre kritereve, burrat duhej ta fillonin punën në moshën 29-vjeçare pa ndërprerje deri në mbushjen e moshës për pension, periudhë e cila plotësohej. Ndërsa për gratë, duke qenë se ishin të ‘penalizuara’, u vendos që të futeshin në lojë vitet e shkollës, pasi vetëm në këtë mënyrë do të shmangej një trajtim i diferencuar.

Pra, kjo nismë u përligj asokohe me faktin se krijonte kushtet për barazi sa i takon së drejtës për pension. “Diskriminimi pozitiv në rastin konkret është vendosur bazuar në shkaqe të përligjura dhe rrethana objektive”, thuhet në vendim. Pas vitit 2032, për përfitim pensioni, nuk do të përfshihet më periudha e shkollës së lartë sepse si gratë, ashtu edhe burrat, kanë të gjitha kushtet për të plotësuar vitet kontributive që kërkohen.

vendimi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura