Pensionet, shembujt për tri kategori. Sa del pensioni për një të punësuar me pagë minimale

Nov 20, 2015 | 13:56
SHPËRNDAJE

Koeficientët e rritjes së pagave para viteve 1994 dhe ato të pagave pas viteve 1994 shërbejnë si bazë për llogaritjen e pensioneve. Janë rreth 20 mijë qytetarë, në mbarë vendin, të cilët dalin në pension gjatë një viti. Me ligjin e ri të sigurimeve, pagat e çdo viti kanë një rëndësi të madhe në llogaritjen e pensioneve. Pagat e para viteve 1994 përbëjnë më shumë se 1/3 e viteve të punës të një të punësuari që del sot në pension. Kështu, për të dalë në pension duhet të kesh të paktën 35 vite pune.

Pensionet

Me një llogari të thjeshtë, do të thotë se më shumë se 14 vite janë punë para viteve 1994. Ligji i ri e cakton pensionin si 1 për qind e pagës së vlerësuar, shumëzuar me vitet e punës. Kjo e fundit del si mesatare e pagave që ka pasur një individ gjatë gjithë kohës së punës. Para viteve 1994, pagat kanë qenë shumë të ulëta. Kjo do të sillte si rezultat një pension shumë të ulët. Për këtë arsye, qeveria ka vendosur të indeksojë këto paga, me koeficient 8.59 për qind.

Pra, në rast se paga ka qenë 5754 lekë, pra pagë e lartë e asaj kohe, duke u shumëzuar me koeficientin 8.59, sjell një pagë 49,427 lekë në muaj. Kaq bëhet baza e pagës për 14 vitet e parë të punës. Por nuk mjafton vetëm kjo. Edhe nga viti 1994 e deri sot, pagat kanë lëvizur. Kështu, një pagë e vitit 1995 është shumë më e vogël se një pagë e vitit 2013 apo 2014. Për këtë arsye qeveria ka vendosur indeksim për çdo vit, nga 1994 e deri në vitin 2015, në mënyrë që të rrisë bazën e pagës, dhe ta sjellë në kushtet e sotme. Pas këtyre veprimeve, llogaritja është më e thjeshtë.

Nxirret paga bazë e vlerësuar, dhe pensioni llogaritet sa 1 për qind e kësaj shume, duke e shumëzuar me vitet e punës. Pra, të gjitha pagat para vitit 1994 kanë një rëndësi për të nxjerrë bazën e vlerësuar të pagës mbi të cilën do të llogaritet pensioni. Gazeta boton sot edhe pagat për çdo pozicion të punëve gjatë kohës së komunizmit, bashkë me koeficientët për vitet 1994-2015.

Bashkë me tabelat janë edhe llogaritjet sa del pensioni për atë që ka marrë një pagë minimale, mesatare dhe maksimale. Kuptohet që çdonjëri gjatë jetës së vet ka ndryshuar nivelin e pagës. Por çdokush, në bazë të formulës, e ka të thjeshtë të llogarisë pensionin e tij, sepse e di sa është paguar çdo vit, dhe e di sa është koeficienti për çdo vit.

Tabelat që boton gazeta kanë koeficientin para viteve 1994, që është 8.59, dhe koeficientin për të gjitha vitet e tjera deri në vitin 2015.

pagat llogaritja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura