Pensionet, procedurat e aplikimit online për vërtetimet e kontributeve

Nov 17, 2017 | 13:12
SHPËRNDAJE

Mjaftojnë vetëm dy minuta që qytetarët të marrin vërtetimin për periudha të ndryshme kontributive. Kjo në sajë të praktikës online, që ka nisur të zbatohet, e cila shmang vajtjen deri në institucion, radhët e pritjes e një mori burokracish që mund të dalin rrugës.

Pensionet

Përmes një videoje në rrjetet sociale, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka sqaruar hap pas hapi procedurat që duhet të ndiqen nga ata që janë të regjistruar në portalin e-albania dhe ata që ende s’e kanë bërë një gjë të tillë.

Sipas ISSH-së, dokumenti i lëshuar nuk do të ketë nevojë për vulë të njomë. “Të gjithë ata qytetarë që dëshirojnë të pajisen me vërtetime për periudhat e ndryshme të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore mund ta bëjnë atë online përmes faqes https:// e-albania.al/.

Vërtetimi i siguruar online nuk ka nevojë për firmë, sepse është i nënshkruar në mënyrë elektronike, çka e bën atë automatikisht të vlefshëm”, thuhet në njoftimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

LEHTËSITË

Por kjo nuk është e vetmja lehtësi. Vënia në jetë e këtij sistemi, do të bëjë po ashtu që institucionet të mund t’i sigurojnë vetë këto dokumente, duke i çliruar qytetarët nga paraqitja e tyre dorazi.

Për efekt pensioni apo jo, zyrat rajonale të ISSHsë nuk do të kërkojnë më të gjitha llojet e certifikatave, dëshminë e penalitetit, apo edhe dokumente të tjera që janë tagër i vetë institucionit, pasi mund t’i sigurojnë ato online përmes sistemit në pak minuta dhe pa asnjë kosto. Nga ana tjetër, nëse nuk mund ta siguroni dot dokumentin, ju mund të kërkoni asistencë në vendin ku jeni të punësuar.

“Nëse nuk keni mundësi të aplikoni në faqen https://e-albania.al/ për vërtetimin e sigurimeve shoqërore apo edhe një sërë dokumentesh të tjera online, ju mund t’ua kërkoni ta bëjnë personat përgjegjës për këtë proces, pranë institucionit apo subjektit ku punoni, duke eliminuar humbjen e kohës për paraqitjen fizikisht pranë sporteleve, ku duhet të aplikoni”, sugjerohet nga ISSH-ja.

APLIKIMI

Për regjistrimin në portal mjafton vetëm një kartë identiteti dhe disa të dhëna bazë. Në përfundim të kësaj praktike, do të pajiseni me një kod të posaçëm që ju mundëson aksesin, duke përfituar lehtësisht, pa shumë mund dhe pas asnjë kosto, shërbimin që jeni të interesuar. Në tabelën përbri janë të listuara hap pas hapi edhe procedurat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura