Pensionet, përfitimet që do kenë minatorët nga statusi

Sep 18, 2017 | 15:00
SHPËRNDAJE

Rritje të pagës minimale, kujdes shëndetësor falas dhe rrogë ekstra nëse mbesin të papunë. Këto janë vetëm një pjesë e përfitimeve që do të kenë minatorët nga paketa e mbështetjes që do t’u ofrohet, nëse do të pajisen me status.

Foto Ilustruese
Foto Ilustruese

Kjo është edhe arsyeja që ata e kanë kërkuar me aq ngulm, duke i bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme qeverisë që të hartojë një bazë të re ligjore, e cila do t’u garantonte mbrojtje të posaçme.

DRAFTI

Prej disa muajsh, një grup pune me përfaqësues nga Ministria e Energjetikës dhe ajo e Mirëqenies Sociale ka nisur nga puna për konkretizimin e kësaj nisme. “Grupit të punës, i cili drejtohet nga zv.ministri i Energjetikës, i është ngarkuar detyra për hartimin e draftit mbi statusin e minatorit. Bëhet fjalë për disa përfitime të ngjashme me ato që kanë aktualisht naftëtarët, konkretisht kur mbesin të papunë, t’u jepet rroga për tre vitet e para, paga minimale të jetë më e lartë, të përfitojnë kujdes shëndetësor pa pagesë etj.”, pohon kreu i Drejtorisë së Sigurimeve dhe Pagave në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, Astrit Kuka.

Pajisja me status nuk do të jetë privilegj i disave, por i të gjithë atyre që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në miniera. Pritet që drafti i benefiteve të kalojë për miratim brenda këtij viti, përpos rezervave dhe dilemave që mund të vijnë nga shkrirja e ministrive. Aktualisht në Kuvend është depozituar një draft paralel nga ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë fati i këtij projektligji, që po ashtu parashikon pajisjen e minatorëve me status të posaçëm.

DEBITË

Pas hyrjes në fuqi të ligjit për faljen e debive të krijuara gjatë 2016-s, ka nisur edhe fshirja e tyre. Kuka sqaron se kjo amnisti është vetëm për vitin e kaluar, çka do të thotë se nëse krijohen detyrime të reja, ato do të duhet të paguhen. “Në bazë të ligjit, minatorët që dalin në pension të parakohshëm nuk mund të punësohen. Por një pjesë prej tyre kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke përfituar njëkohësisht edhe pagë, edhe pension. Duke qenë se kemi të bëjmë me një kategori në nevojë, atëherë u rivendos për një ndryshim ligjor.

Kështu, të gjitha detyrimet e krijuara deri në dhjetor të 2016-s janë amnistuar. Prej disa muajsh kanë filluar edhe faljet. Por nëse krijojnë borxhe të reja, do të duhet t’i paguajnë pasi nuk ka ndryshuar formula e llogaritjes”, thekson kreu i Drejtorisë së Sigurimeve dhe Pagave në MMSR. Borxhi i tyre varion nga 15 mijë lekë deri në 150 mijë lekë të rinj. Nga amnistia kanë përfituar edhe invalidët, të cilët po ashtu kanë rezultuar të punësuar gjatë vitit që lamë pas.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura