Pensionet, ish-ushtarakët kundër qeverisë për ligjin

Aug 25, 2015 | 11:19
SHPËRNDAJE

Më shumë se 15 mijë ushtarakë në pension preken nga rillogaritja e pensioneve. Presidenti i Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve, Kujtim Çako, pohon se skema që ka nisur të aplikohet pas miratimit të ligjit të ri, ndryshe nga sa trumbetohet se sjell pensione më të mira, ul me gati 50% masën e përfitimit për këtë kategori.

shqota-e1437286556535“Rillogaritja përfaqëson vetëm rillogaritje dhe jo rritje apo përmirësim pensioni, por ulje drastike me rreth 50 për qind, në rillogaritjen e pensionit të parakohshëm për rreth 15 500 pensionistë dhe një ulje të pensionit suplementar për të gjithë pensionistët në pension pleqërie. Kjo ka çuar në pakësim pensioni dhe ulje të nivelit jetik dhe të familjeve të tyre”, u shpreh Çako gjatë një takimi mes shoqatave të ushtarakëve, ku i pranishëm ishte edhe presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare të Ushtarakëve Europianë, Emannuel Jakob.

KËRKESAT

Në takim ushtarakët kanë paraqitur shtatë kërkesa, mes të cilave është edhe ajo për anulimin e aktit normativ të pesë viteve më parë, i cili i ka kthyer në debitorë ushtarakët. Këta të fundit janë të detyruar të kthejnë mbrapsht një pjesë të shumës së përfituar në vitet e mëparshme. Çako ka kërkuar po ashtu nga qeveria që të ndalë miratimin e ligjeve në fushën e sigurimeve shoqërore nëse këto nisma të reja ligjore bien ndesh me statusin e ushtarakut dhe dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, në radhën e kërkesave, ishte edhe ajo për lëshimin e kartave të identitetit, ku të shënoheshin gradat ushtarake, si edhe ajo për indeksimin e pensioneve. Kjo do të rriste masën e përfitimit mujor për këtë kategori.

“Ne kërkojmë të paguhen pensionet për 6 vjet në periudhën që nuk është zbatuar asnjë pension, nga 01.01.1993 deri 01.01.1999. Të jepen kartat e identitetit pajisur me grada ushtarake, duke bërë njësimin me funksionet që kanë pasur, duke korrigjuar gabimet përkatëse. Të mos ndërpritet pensioni i parakohshëm i ushtarakut në rast punësimi jo si aktiv në FA, si edhe të jepen gjithë përfitimet e tjera ligjore si për uniformë, strehim, trajtim shëndetësor, transport etj.”, tha më tej presidenti i Aleancës së Ushtarakëve.

ANKESAT

Më datë 1 janar 2000 filloi për herë të parë trajtimi i ushtarakëve me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, pension suplementar pleqërie me të drejtë përfitimi nga 1 janari 1999. Asokohe, një ushtarak përfitoi vetëm një pension të unifikuar, prej 8.000 lekësh në muaj. “Kjo llogaritje e pensionit është bërë apriori, pa mbajtur parasysh vjetërsinë, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe as pagën referuese, pa zbatuar formulën në fuqi sipas statusit, ku Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka paguar një masë pensioni të barabartë për të gjithë dhe më e ulët nga çfarë i takon çdo ushtaraku”, theksoi Çako. Sipas tij, vonesa ka pasur edhe në lidhjen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nga ISSH. “Pensioni nuk është lidhur menjëherë me daljen në rezervë për ushtarakët që plotësojnë kushtet për këtë pension, por pas trajtimit dyvjeçar me pagë kalimtare dhe plotësimit të moshës”. Tjetër shqetësim i paraqitur ishte edhe ai për mostrajtimin shëndetësor, kryesisht me medikamentet që jepen me rimbursim në masën 80 për qind. Çako pohon se këtë të drejtë e gëzojnë vetëm një numër i vogël ushtarakësh, por jo të gjithë, siç edhe përcaktohet në ligj.

STRASBURGU

Të drejtat e mohuara në vend bën që shoqatat t’i drejtohen për zgjidhje Gjykatës së Strasburgut. Presidenti i Aleancës së Ushtarakëve, Kujtim Çako, e cilësoi të drejtë padinë e depozituar në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, duke renditur një mori arsyesh që e përligjnin një hap të tillë. Sipas tij, padia duhet marrë në shqyrtim nga Strasburgu për vetë faktin se 2000 paditës ushtarakë në pension kanë fituar gjyqin me vendime të formës së prerë nga gjykatat shqiptare. “Çështja jonë duhet rishqyrtuar e gjykuar në themel dhe jo në formë edhe nga Strasburgu. Ne kërkojmë të bëhet ndërkombëtarizimi i çështjes së të drejtave të ushtarakëve shqiptarë nëpërmjet raporteve, si në institucione të BE-së, NATO-s dhe institucione të Drejtësisë si dhe lobing në institucionet më të larta shqiptare si një aspekt i respektimit të të drejtave të njeriut”, nënvijëzoi në fund të fjalës së tij Çako.

NGA ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura