Pensionet e ushtarakëve, shembulli si llogaritet përfitimi me formulën e re

Jan 18, 2016 | 21:27
SHPËRNDAJE

Me miratimin e skemës së re të pensioneve, rrjedhimisht ndryshojnë edhe përfitimet e të gjitha kategorive. Ushtarakët janë një shtesë që, krahas pensionit të pleqërisë, përfitojnë edhe pension suplementar. Në një intervistë për gazetën, drejtoresha e Drejtorisë së Përfitimeve në ISSH, Solida Dibra, sqaron procedurat dhe kategoritë e ishushtarakëve për të marrë pension suplementar. Bashkë me intervistën, gazeta po boton edhe shembullin si llogaritet pensioni suplementar. Dibra sqaron se përfitimi ekstra “nuk mund të jetë/nuk duhet të jetë më i lartë se 50% e pensionit të pleqërisë që ishushtaraku gëzon, në çastin e lindjes së të drejtës së pensionit suplementar”.

FORMULA

Por, nga ana tjetër, llogaritja e pensionit të pleqërisë ka ndryshuar. Në këtë mënyrë ndryshon edhe masa e përfitimit të ri. Me heqjen e tavanit të pensionit, masa e përfitimit (për pension e pleqërisë), rritet me vitet e punës dhe pagës.

Duke u rritur baza, rritet edhe përfitimi tjetër. Pra, në rast se pensioni i pleqërisë shkon nga 24000 lekë/muaj, që ishte maksimali me skemën e vjetër, në 30 mijë lekë në muaj, rrjedhimisht rritet edhe pensioni suplementar. Ky i fundit nuk duhet të jetë më shumë se 50% e pensionit të pleqërisë. Në këtë rast shtohet nga 12 mijë lekë, me ligjin e vjetër, në 15 mijë lekë/ muaj me ndryshimet e reja.

Cilat janë kategoritë e ushtarakëve, të cilët marrin pension suplementar? Kategoritë që marrin pension suplementar në zbatim të ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009, të ndryshuar, janë ish-ushtarakët në shërbim aktiv të përhershëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, si dhe punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.

Çfarë kushtesh duhet të përmbushë një ushtarak për të përfituar? Pension suplementar pleqërie apo invaliditeti, përfitojnë ish-ushtarakët që kanë vjetërsi shërbimi në kategoritë e mësipërme, të cilët përfitojnë pension pleqërie, apo invaliditeti nga skema e detyrueshme. Gjithashtu, pjesëtarët e familjes në ngarkim të personave që përmendëm më lart, kur përfitojnë pension familjar nga skema e detyrueshme, përfitojnë edhe pension suplementar familjar.

Si llogaritet pensioni suplementar i ushtarakëve? Pensioni suplementar i pleqërisë dhe ai i invaliditetit llogaritet me 1 për qind të pagës mesatare referuese neto për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë apo invaliditetit, që përfituesi gëzon në çastin e lindjes së të drejtës për pension suplementar. Në rastet kur ushtaraku bëhet invalid në krye të detyrës apo për shkak të saj, masa e pensionit suplementar të invaliditetit është 20 për qind e pagës referuese neto.

Pensioni suplementar familjar llogaritet në bazë të pensionit suplementar mujor, që kishte ose i takonte të merrte i ndjeri/e ndjera dhe është: 50 për qind për Bashkëshortin/bashkëshorten e ve dhe 25 për qind për çdo jetim, prind ose pjesëtar tjetër të familjes në ngarkim.

Kufiri maksimal i këtij përfitimi nuk duhet të jetë më i lartë se shuma e plotë e pensionit suplementar që kishte, ose i takonte të merrte i ndjeri/e ndjera, sipas këtij ligji. Specifike është se për pjesëtarët e familjes në ngarkim të ushtarakut të shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, të punonjësit të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të SHISH-it, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj, përveçse përfitojnë pension familjar, nga skema e detyrueshme, përfitojnë edhe pension suplementar familjar sa diferenca ndërmjet pagës referuese neto të të ndjerit/së ndjerës, në çastin e humbjes së jetës dhe pensionit familjar, që përfitonte, sipas dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Pra, nëse një ushtarak i Forcave të Armatosura humbet jetën në detyrë apo për shkak të saj, familjarët e tij, nga të dy skemat, nga skema e detyrueshme dhe ajo suplementare, përfitojnë të ardhura në masën e pagës referuese neto që përfitonte ushtaraku kur ishte i gjallë. Kjo masë rivlerësohet sa herë që ndryshon paga e gradës apo detyrës që kishte ish-ushtaraku i rënë në krye të detyrës.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura