Pensionet e para sipas skemës së re në Vlorë, Rama: Reforma u bë realitet në 1 vit e gjysmë

Mar 3, 2015 | 14:12
SHPËRNDAJE

Rama Veliaj foto ilustruese

Vlorë- Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj ishin sot në zyrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në qytetin e Vlorës, ku janë shpërndarë pensionet e reja për disa të moshuar, të cilët tani në bazë të skemës së re, përfitojnë pensione më të larta.

Për kryeministrin Edi Rama ky është një moment i rëndësishëm pasi tregon se reforma u bë realitet. “Në 1 vit e gjysëm të qeverisjes tonë u bë e mundur që çdo kush që paguan rregullisht sigurimet shoqërore arrin të marrë pension më të lartë se me skemën e vjetër. Një mësues që për 35 vjet ka paguar sigurimet me formulën e vjetër do merrte 245 mijë lekë pension ndërsa me formulën e re pensioni shkon në 277 mijë lekë. Këto janë fakte që çdo pensionistë i vërteton në xhepin e tij”, – tha Rama.

Ministri Veliaj vuri në dukje faktin se ka shkuar në 93.392 numri i personave të shtuar në listën e sigurimeve shoqërore për vitin 2014.

“Nëse në llogarisim sesi i gjetëm çështjen e punësimit dhe sigurimet shoqërore në vitin 2013 dhe atë që mbyllën në ditën e fundit të vitit 2014, diferenca e atyre që janë siguruar për herë të parë në sigurimet shoqërore është 93.392 persona. Një skemë që ishte e falimentuar falë incentivave që ka dhënë reforma e re dhe falë amnistisë në fshat që është aplikuar nga reforma e re ka rritur të ardhurat e skemës me 100 milionë dollar ”, – tha Veliaj. Teksa paralajmëroi se brenda 6 mujorit të parë të këtij viti do ketë një rritje të dytë me 2 për qind për të gjitha pensionet.

“Këto nuk do kishin sens nëse nuk do bënim një bilanc pozitiv për pensionistët shqiptarë. Vjet ne rritëm pensionet në gjysmën e dytë të vitit me 2 për qind dhe ne në gjysmën e parë të këtij viti do rrisin sërisht me 2 për qind pensionet”, tha ministri Veliaj.

Skema e re e pensioneve që ka nisur të aplikohet që nga 1 janari 2015, ka hequr tavanin prej 240 mijë lekësh, duke mundësuar pensione që arrijnë mbi 300 mijë lekë për ccdo pensionist të ri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura