Pensionet e emigrantëve, flet kreu i ISSH: Pse nuk ka pakt me Italinë dhe Greqinë

Mar 22, 2018 | 9:16
SHPËRNDAJE

FATION BINJAKU/ Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje me konsensus marrëveshjen e njohjes së kontributeve shoqërore për shqiptarët që jetojnë në Austri. Nga kjo marrëveshje pritet të përfitojnë rreth 2 mijë shqiptarë që jetojnë në Austri.

Astrit Hado

Gjatë mbledhjes së Komisionit, drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, tha dje se në këtë marrëveshje nuk janë përfshirë sigurimet shëndetësore, sepse pala shqiptare nuk i përballon dot kostot financiare.

Gjatë diskutimit në Parlament, deputetët kanë kërkuar informacion përse qeveria shqiptare nuk ka arritur të finalizojë marrëveshje për njohjen e pensioneve me Greqinë dhe me Italinë, dy vendet që kanë më shumë emigrantë shqiptarë. Por drejtori i ISSH-së, Astrit Hado, pranoi se këto dy vende nuk kanë interes të nënshkruajnë marrëveshje me vendin tonë.

“Kemi bërë dy takime teknike me kolegët italianë për t’i sheshuar këto gjëra, por nga pikëpamja financiare nuk është se ka ndonjë barrë të madhe Italia, sepse në fund të fundit këto marrëveshje kanë për parim që do marrësh aq fitim sa ke kontribuar. Nuk është se do marrësh para që nuk të takojnë. Një shqiptar që ka kontribuar në Itali për 10 vjet do të marrë lekët e veta. Për sa i përket çështjes me Greqinë, situata në të cilën ndodhet Greqia dhe financiarisht edhe krizat, nuk ka një reagim”, tha dje Hado.

Ai pohoi se strategjia e Shqipërisë është që të bëjë marrëveshje me sa më shumë vende të BE-së në mënyrë që të ushtrojë presion pozitiv ndaj Greqisë dhe Italisë që të firmosin këto marrëveshje për njohjen e pensioneve.

“Jemi në një situatë që duam të nënshkruajmë sa më shumë marrëveshje me vende të BE-së sidomos për të krijuar, po flas hapur, një lloj presioni pozitiv ndaj Greqisë dhe Italisë, që janë dy vendet që kanë numrin më të lartë të qytetarëve shqiptarë që duan të nënshkruajnë këtë marrëveshje”, tha ai.

Ndërkohë, drejtori i Pagave dhe Pensioneve, Astrit Kuko, tregoi se me Italinë janë zhvilluar një sërë negociatash, por pala italiane nuk pranon të bëjë marrëveshje me Shqipërinë sepse do t’i mbyllë derën vendeve të botës së tretë. “Nga një studim i yni rezulton se janë 502 mijë shqiptarë në Itali. 240 mijë ishin në punë me kontribute të rregullt. Do të thotë që kanë kontribut shumë të madh në skemën italiane dhe nga llogaritjet e grupmoshave përkatëse, i takonte që për 5 vite do të dilnin në pension 28 mijë shqiptarë. Kjo grup-moshë kishte ikur në Itali në vitet ’90, ndërkohë sistemi italian përballon vetë 60 mijë pensione familjare për standardin minimal të jetesës rreth 460 euro.

Patën parashtruar dhe gjendjen e vetë emigracionit shqiptar që kryesisht është familjar dhe mbi 130 mijë shqiptarë janë në sistemin arsimor dhe faktikisht, edhe pala italiane prononcohet me atë që shqiptarët po futen, po integrohen tërësisht në Itali dhe kjo marrëveshje është e domosdoshme, por nuk është katastrofike siç është me vendet e tjera. Por, nëse bëjmë marrëveshje me ju, nuk mund të bllokojmë vendet e tjera”, tha dje Astrit Kuko.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura