Pengmarrja për hashashin/ “Po pinim kafe kur na rrëmbyen me vëllanë”

Nov 30, 2015 | 8:12
SHPËRNDAJE

Zbardhet dëshmia e vëllait të personit të mbajtur peng për gjashtë ditë në Shkodër, për një shumë prej 10 mijë eurosh nga tre persona tashmë të arrestuar.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tre të ndaluarve në Shkodër, Kolë Dushku, Lek Shkrepa dhe Tomë Shkrepa. Ata dyshohet se i kanë shitur një sasi droge një shtetasi malazez.

pengu

Garant për malazezin dyshohet se kanë dalë dy vëllezërit e marrë peng, të cilët janë rrëmbyer pasi blerësi i drogës nuk ka bërë pagesën. Një ditë pas ngjarjes së ndodhur më 21 nëntor 2015, Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimi penal, që bën fjalë për veprën penale të “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit”.

Pikërisht, mbi bazën e këtij procedimi është marrë edhe dëshmia e vëllait të pengut, i cili ditën e ngjarjes kishte qenë bashkë me vetë pengun në zonën ku ai u mbajt i rrëmbyer nga autorët e krimit. Burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë se hetimi ka nisur mbi bazën e dosjes së përcjellë nga Drejtoria e Policisë Vendore, Shkodër. Fjala është për kallëzimin e bërë nga shtetasi me iniciale A.K., (vëllai i pengut).

Ai, në kallëzimin dhe deklarimin e tij shpjegon se në datë 21 nëntor 2015, rreth orës 18:30, ka qenë duke pirë kafe me vëllain e tij, shtetasin S.K., në një lokal në vendin e quajtur Rus, qyteti Shkodër. Sipas dëshmisë së tij, aty kanë ardhur shtetasi me emrin Tomë, i identifikuar si Tomë Shkrepa, si dhe dy persona të tjerë, të cilët i kanë hipur në një autoveturë tip “Benz Mercedes” dhe i kanë dërguar në fshatin Grudë e Re, Shkodër.

Referuar dëshmisë së dhënë nga vëllai i pengut, pasi kanë zbritur nga automjeti, një prej autorëve të pengmarrjes ka filluar duke i sharë dhe ofenduar, si dhe i ka goditur me grushte, duke u thënë “ju, ose do të më jepni 10 mijë euro, ose do të më gjeni shtetasin x, nga Mali i Zi”.

MBAJTJA E PENGUT Pas këtij momenti, në dëshminë e tij shtetasi me iniciale A.K. ka thënë se autorët e krimit i kanë hipur atë dhe të vëllain në një automjet tip fuoristradë e markës “Rang Rover”, ngjyrë jeshile, duke i dërguar në një përrua në fshatin Rrash-Kullaj, Malësi e Madhe.

Pasi i kanë çuar atje, autorët i kanë rrahur dy vëllezërit, u kanë marrë telefonat, kanë lënë makinën dhe pas rreth tri orësh udhëtim në këmbë kanë shkuar në një fshat në zonën Dukagjin, ku përpara u kanë dalë dy persona të armatosur me armë.

Këta shtetas kanë marrë me vete shtetasin S.K. (pengun), ndërsa Tomë Shkrepa dhe një tjetër person, sipas dëshmisë së dhënë nga vëllai i të rrëmbyerit, janë kthyer së bashku me dëshmitarin A.K. në qytetin e Shkodrës. Ata kanë liruar vëllain e të rrëmbyerit, por i kanë lënë afat këtij të fundit që deri në datë 29 nëntor 2015, të sigurojë 10 mijë euro dhe, në rast të mosdhënies së kësaj shume, do t’i vrasin vëllain (të mbajtur peng).

NEGOCIATAT Dy vëllezërit, që u morën peng në Dukagjin dhe ku njëri prej tyre qëndroi për një javë me pengmarrësit, janë lënë të lirë nga Policia e Shkodrës. Edhe pse dyshimet janë për pazare droge, policia vendore ende nuk ka në dorë asnjë prej provave.

Fillimisht është marrë në pyetje shtetasi A.K., duke qenë se ka qëndruar një javë në Shkodër sikur ishte në kërkim të shumës prej 10 mijë eurosh që kërkonin pengmarrësit.

Gjatë kësaj kohe, përveç organizimit të planit operacional të policisë, hollësisht është marrë në pyetje shtetasi A.K., vëllai i pengut. Qëllimi kryesor për policinë ka qenë shpëtimi i shtetasit Sulltan K., i cili mbahej peng prej një jave, që nga data 21 nëntor.

Pas një aksioni të organizuar është arritur që uniformat blu të bëjnë lirimin e tij në zonën ku ai mbahej peng. Aksioni ka zgjatur për më shumë se 6 orë, por është mbyllur me lirimin e pengut ditën e shtunë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura