Kristi Pine, rrëfen vrasjet dhe atentatet me tritol: Vrasjen në Shkodër e bëra pa para, për hatër të një miku

Feb 20, 2015 | 11:01
SHPËRNDAJE

Prokuroria për Krimet e Rënda ka arritur të pendojë një nga tre të dyshuarit si pjesë e një grupi të angazhuar në vrasjet me pagesë dhe atentate me tritol.

I arretsuari Kristi Pine

Burime të organit të akuzës konfirmuan se personi që pranoi të bashkëpunojë me drejtësisë, në këmbim të sigurisë fizike dhe lehtësirave në masën e dënimit, është 24-vjeçari Kristi Pine. I riu ka zgjidhur gjuhën para hetuesve duke rrëfyer fakte për të cilat, përveç vetes së tij, inkriminonte dhe dy të dyshuarit e tjerë, Alfred Qefalia dhe Aleksandër Gora.

Sipas Prokurorisë, Qefalia dyshohet të ketë pasur rol aktiv në disa prej akteve kriminale. I dyshuari Gora mendohet të ketë dhënë ndihmesë duke u siguruar kushte për kryerjen e krimeve, duke gjetur klientë apo siguruar ndonjë porosi. Referuar rrëfimit të Pines, ai dhe dy të arrestuarit e tjerë ishin ekzekutorët në terren të urdhrave që i merrnin nga persona të tjerë.
RREFIMI 

Burimeve pranë Prokurorisë thanë se Pine ka pranuar përfshirjen e tij në katër ngjarje kriminale, tri prej të cilave kundrejt pagesave të ndryshme. Bëhet fjalë për vrasjen me armë zjarri të Ibrahim Manit, vrasje e kryer bashkë me një tjetër person. Kjo vrasje ka ndodhur në qershor të vitit 2014 në Shkodër. 24- vjeçari Pine ka rrëfyer se këtë vrasje e kishte kryer në kopshtin e viktimës, teksa ai po punonte.

“E pyeta: a je ti Ibrahimi? Kur m’u përgjigj ‘po’, e qëllova menjëherë. Pak më tej më duket se ishte dhe e shoqja e tij”, mësohet të jetë shprehur Pine.

Sipas tij, këtë vrasje e kishte kryer për hatër të një mikut të tij, të cilin e kishte njohur në burg, kundrejt asnjë pagese. Kjo vrasje dyshohet të jetë kryer për motive hakmarrjeje. Para hetuesve Pine ka pranuar autorësinë e një tentative vrasjeje të dy vëllezërve Andi dhe Edmond Çakmashi, më 4 shtator 2014. Në këtë ngjarje u plagos 37-vjeçari Edmond Çakmashi nga një breshëri plumbash, që goditën makinën e tij tip “Audi” në afërsi të Shkozës, Tiranë.

Njëkohësisht i penduari Pine ka pranuar se, së bashku me të dyshuarin Alfred Qefalia, i kanë vendosur dy herë tritol biznesmenit Armando Ceka. Në ngjarjen e parë, në shtator 2013, në automjetin tip “Volvo” të Cekës ka shpërthyer një sasi tritoli, që nuk e ka lënduar. Një tentativë e dytë vrasjeje ndaj të njëjtit biznesmen u shënua më 26 shkurt 2014, pranë rrugës “Budi” në Tiranë, ku u plagos Ceka dhe dy të tjerë, njëri prej të cilëve u gjymtua. Bazuar në deklarimet e Pines, Prokuroria dyshon të arrestuarin Qefalia si autor të vendosjes së sasisë së eksplozivit në ngjarjen e rrugës “Budi”. Aktualisht Policia dhe Prokuroria po punon për mbledhjen e fakteve dhe provave që të harmonizohen me deklarimet e siguruara nga i penduari Pine.
ARMAND BAJRAMI 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura