“Penalltia ndaj nesh ndryshoi ndeshjen”, Pirlo: Është normale të eliminohesh kur bën…

Mar 10, 2021 | 8:38
SHPËRNDAJE

Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo, ka pranuar se skuadra e tij bëri shumë gabime me Porton. Ai tha se skuadra duhej të kishte shënuar në rastet që u krijuan dhe se penalltia në fillim të takimit ndryshoi gjithë planet e skuadrës për këtë ndeshje.

andrea-pirlo-verona-juventus_e22gz1qsgbuq1v4xe8rtnv7gb

Në pjesën e parë i latë shumë hapësira kundërshtarit, ndërsa në të dytën e korrigjuat, por goli i dytë i Portës ishte sërish një naivitet… Pse kështu?

Bëmë katër gabime në total në dy ndeshjet me Porton dhe kur bën 4 gabime në të tilla nivele është normale që edhe të eliminohesh.

Ku gabuat?

Nuk gabuam kur ishim në superioritet numerik, sepse e vetmja zgjidhje që kishim ishte që të luanim sa më shumë nga krahët dhe të qarkullonim mirë topin. Por, në fazën finale ne nuk shtuam forcat në zonën e rivalit dhe kjo u lejoi atyre që të mbroheshin mirë. Megjithatë, ne ia arritëm ta përmbysnim disavantazhin dhe më pas ra disi ritmi. Ne nuk shfrytëzuam rastet që krijuam gjatë kohës që ushtruam presingun e dyfishtë.

U eliminuat që në mars nga Champions prej një skuadre që nuk është në rangun e Juves dhe jeni larg Interit 10 pikë në kampionat… Si dilet nga kjo situatë?

Nga kjo situatë dilet duke e fshirë këtë ndeshje sa më shpejt dhe duke menduar për kampionatin. Nuk do të jetë e lehtë, por pas pak ditësh do ta kemi kaluar. Duhet të mendojmë për kampionatin, sepse janë ende shumë ndeshje për t’u luajtur dhe do të përpiqemi që të ngjitemi në klasifikim.

Pse Juventusi luan thuajse gjithnjë keq në pjesën e parë dhe zgjohet vetëm në të dytën?

Ne këtë ndeshje e nisëm mirë, sepse Morata pati një rast për gol, por nuk e realizoi dot. Më pas ndodhi episodi i penalltisë që na kushtoi shumë, sepse ndryshoi e gjithë ndeshja për ne. Në fillim e patëm të vështirë, por e morëm veten dhe në pjesën e dytë bëmë një ndeshje të madhe duke përmbysur rezultatin dhe duke goditur shtyllën. Natyrisht, na ndihmoi edhe superioriteti numerik që të dominonim, por problemi është që nuk shënuam dot edhe golin e tretë. Ndeshjet kështu janë…

Nuk e shihni si problem që skuadra juaj luan mirë vetëm një pjesë?

Nuk më duket se ka ndonjë problem. Ka raste që edhe nuk e nisim mirë ndeshjen, por nuk është kështu në këtë takim. Është tjetër gjë të luash një ndeshje me qetësi dhe tjetër kur duhet ta përmbysësh pasi ke pësuar një gol të shpejtë. E megjithatë ne e përmbysëm dhe ndoshta për çështje fati nuk ia dolëm. Kur ndodhin episode të tilla ndryshon gjithçka dhe nuk është e thjeshtë.

PËRGATITI: JETON STAMOLLA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura